Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në Forumin e Bizneseve të Diasporës tha se janë duke punuar që mërgata të jetë pjesë integrale e zhvillimit të Kosovës, atij shoqëror, ekonomik e kulturor dhe janë duke zhvilluar një dialog për të përfaqësuar sa më mirë interesa e tyre në Strategjinë për mërgatën që pritet të finalizohet këtë vit.
Kurti në Forumin e Bizneseve të Diasporës potencoi se tani Kosova ndodhet në situatën më të volitshme ekonomike dhe potencialin zhvillimor dhe se investimi në Kosovë paraqet një mundësi përfitimi si kurrë më parë.
“Jemi duke shikuar mënyrat si ta përdorim dijen dhe eksperiencën e marrë jashtë për të zhvilluar vendin…. Jemi në situatë kur kemi nevojë jo më pak për dijen, shkathtësitë, përvojën, etikën e punës së mërgatës e jo vetëm për financat e bazën e tyre materiale”, tha ai.
Kreu i ekzekutivit të vendit gjatë fjalimit të tij tha se zhvillimi i Kosovës është i lidhur drejtpërdrejtë me kontributin e mërgatës në Kosovë.
“Tani më me situatën e volitshme ekonomike dhe potencialin zhvillimor, investimi në Kosovë paraqet një mundësi përfitimi si kurrë më parë. Ejani, kontribuoni dhe fitoni. Nuk jemi në të kaluarën kur kemi bërë thirrje për kontribut përmes sakrificës, po kontribut përmes përfitimit të dyanshëm”, u shpreh Kurti.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës është e përkushtuar dhe hapur për të bashkëpunuar për zhvillimin ekonomik dhe përkrahë nisma që sjellin rritjen e investimeve, e sidomos atyre që janë të fokusuara në eksport.
“Si treg me 2 milionë banorë eksporti duhet të jetë kryefjala….Mirëpres bashkërendimin e platformave ekonomike në mënyrë që potencialet t’i shndërrojmë në mundësi reale”, u shpreh kryeministri.
Ai më tej tha se pozita gjeografike e Kosovës, aeroporti modern, infrastruktura rrugore, afërsia e porteve e bëjnë vend të volitshëm tregtar e transportues, ndërsa theskoi se po punojnë që të modernizohen edhe hekurudhat dhe të shtohet potenciali transportues.
“Popullsia e re, profesionale që flet gjuhë të huaja, teknologjia e përparuar, qasja në internet e qiraja e ulëta, e bëjnë vend për investime”, tha Kurti.
Sipas tij, Kosova ka mbi 650 kompani në fushën e teknologjisë së informacionit, shumica e të cilave shërbejnë edhe në tregjet e jashtme.
“Gjatë vizitës në Çikago isha dëshmitar i një kompanie që kishte punëtorë më shumë në Kosovë, se në SHBA”, tha ai.
Sipas tij, tradita e përpunimit të drurit është “përkthyer në kompani që po eksportojnë në mbarë evropian”.
Kreu i ekzekutivit të Kosovës ndër të tjera tha se për ta lehtësuar zhvillimin ekonomik janë duke punuar në fuqizimin e rendit dhe ligjit, me themelimin e Gjykatës komerciale si dhe përmirësimin e të bërit biznes.
Ndryshe, gjatë këtij Forumi do të paraqiten bashkëpunime të suksesshme mes bizneseve të Kosovës, diasporës dhe të huaja, prezantime nga komunat në lidhje me planet e tyre potenciale ekonomike, mjedisin e biznesit dhe burimet e tjera për të nxitur bashkëpunime mes afaristëve.
Gjithashtu, vizitat në terren do të organizohen për diasporën dhe bizneset e huaja në kompanitë e Kosovës, ku ata do të mund ta dëshmojnë së afërmi kapacitetet prodhuese të kompanive të vendit tonë.
Kjo ngjarje është bashkë-organizim i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Evropë, projekti Kosovo Complete i USAID-it dhe organizatës Germin.