Çmime të larta të bukës dhe artikujve tjerë esencialë, ministrja paralajmëron masa

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se në disa vende është shtrenjtuar buka, pavarësisht se çmimet e grurit dhe miellit “kanë rënë për 7%”.

Hajdari tha se po e analizojnë situatën në treg dhe lëvizjen e çmimeve të produkteve esenciale ndërsa njoftoi se e kanë krijuar një grup të dytë punues për masën ligjore për produktet esenciale.

Ky grup do të analizojë se çfarë masa ligjore duhet të merren për produkte si gruri, mielli, buka, sheqeri, orizi, kripa, vezët, sapuni, etj. “Kjo varet nga analizat që do të vijnë”, tha ministrja.

Reklama e sponzorizuar

“Çmimet e grurit dhe miellit kanë rënë për 7%, bazuar në evidencën e Doganës”, tha ajo.

“Në realitet, gjersa ne jemi dëshmitarë të rritjes së çmimit të bukës në treg në disa vende, me këtë situatë ne në vazhdim të analizës që e ka sjellë grupi punues, ne shohim që kemi një dallim tepër të lartë”, tha ministrja.

Ajo iu bëri thirrje inspektorëve komunalë që “të jenë më të angazhuar”, ndërsa tha se “Ministria është shumë aktive edhe pas orarit të punës”.

Pas disa hulumtimeve që tha se u kryen edhe gjatë festës së Bajramit, ministrja Hajdari tha se u konstatua diçka.

“Marzha e artikujve esencialë, ndonëse tregu i lirë, ka dallim të lartë mes operatorëve ekonomikë”, tha ajo.

Te disa kompani, ministrja tha se “vërehet një tendencë për ta mirëkuptuar gjendjen me inflacion”, përderisa te disa kompani tjera, tha se “kjo tendencë po mungon”. /Express/