Rizvanolli e Murati do të intervistohen javën e ardhshme nga Komisioni Hetimor Parlamentar për Energjinë

Partitë opozitare në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës, kanë kërkuar qasje në dokumentacionet e nevojshme për menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës.

Ndërsa për shqyrtimin e ekspertëve u kërkua që mbledhja të mbahet me dyer të mbyllura. Aty u vendos që të ftohen për intervistim ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministri i Financave, Punës dhe Trasnfereve, Hekuran Murati.

Rizvanolli do të intervistohet më 15 korrik, ndërsa Murati më datën 20 të këtij muaji. Kryetari i këtij Komisioni, Driton Selmanaj, propozoi datat për intervistim të dy ministrave.

Reklama e sponzorizuar

“Ministrja Artane Rizvanolli ka kërkuar ta shtyjmë sepse është në vizitë. Unë propozoj që sot një javë të jetë mbledhja e radhës për Rizvanollin. Për Muratin nuk kemi marrë përgjigje. Propozoj që të premten e ardhshme ta intervistojmë ministren Rizvanolli me datën 15 në ora 11:00 ndërsa të mërkurën me datën 20 korrik në ora 13:00 ministrin Murati”, tha Selmanaj.

“Kam kërkuar listën e ndërmarrjes dhe kërkesa tjetër që t’i drejtohemi thesarit për qarkullimin e lëvizjes së parasë gjatë kësaj periudhe dhe komunikimet ndërmjet ZRRE-së dhe ministrisë, të diskutohen të mërkurën”, ka thënë tutje Selmanaj.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka kërkuar dokumentacionin e ministrive përkatëse dhe të ZRFE-së.

“Konsideroj që duhet ta kemi listë të ndërmarrjes brenda mandatit të komisionit hetimor, licencat e tyre, kohën etj. Dokumentacionin e punës së kompanive e shohim kontributin e ZRrE-së në task forcë. Është e rëndësishme të kemi dokumentacionin sepse nuk mund ta rikthejmë prapë ministren. Dokumentacioni që po kërkoj nuk ka ardhur te asnjë nga ne. Kërkojmë dokumentacionin nga ministri dhe ZRRE-ja. I vetmi mekanizëm me sqarua janë dokumentacionet”, tha Shala.

Kërkesa për qasje në dokumentacion, u pa i drejtë edhe nga deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

Deputeti i VV, Enver Haliti, tha se nuk është i nevojshëm dokumentacioni shtesë.

“Po mendoj që së pari duhet të caktohen ekspert. Kështu që ia vështirësojmë punën më shumë eksperteve për hartimin e raportit final. Ne si komision do ta kemi të drejtën për dokumentacion shtesë dhe për atë punë jemi këtu. Nuk është i nevojshëm për dokument shtesë. Duhet ta kemi edhe thesarin”, tha ai.

Por deputeti i LDK, Besian Mustafa, ka thënë se kërkesë e tyre ka qenë që ta kenë dokumentacionin që iu mungon dhe jo shtesë.

Aty u bë edhe një ndërrim i deputetëve të PDK-së, ku nga sot në këtë Komision do të jetë Abelard Tahiri në vend të Eliza Hoxhës. /EO/