Viteve të fundit kanë qenë të shumta raportimet në media për mjekët që kanë braktisur Kosovën për të ikur në Perëndim në kërkim të kushteve më të mira të punës, shkruan Express.
Megjithatë për Federatën Sindikale të Shëndetësisë s’ka arsye madhore për të hyrë në grevë dhe për t’iu bashkuar sindikatave të tjera në kërkim të kushteve më të mira të punës dhe pagave më të larta.
Kështu kanë bërë të ditur përmes një komunikatë për media të dërguar sot, në të cilën mundohen të numërojnë të mirat që marrin punëtorët shëndetësor.
“Kryesia e FSSHK-së në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur me datë 25.08.2022 pas shqyrtimit të situatës si dhe paralajmërimit të SBASHK-ut dhe Administratës për fillim të Grevës së Përgjithshme,del me qëndrim kundër Grevës respektivisht nuk i bashkëngjitet Grevës për shkak se kërkesat nuk janë në interes të punëtorëve shëndetësor sepse punëtorët shëndetësor e gëzojnë shtesën prej 60 euro dhe nuk është arsye e mjaftueshme FSSHK të merr veprime sindikale siq janë Grevat për 40 euro gjithashtu se Ligji i Pagave është proceduar për miratim në Qeveri dhe priten konsultime rreth tij,Kryesia vendos që ti hap rrugë dialogut për vërejtjet dhe kërkesat e punëtorëve shëndetësor ti realizojë nëpërmjet dialogut me komisionet përkatëse si dhe me Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Prandaj duke pasur parasysh edhe situatën politike duke mos përjashtuar mundësinë e veprimeve sindikale,konsideron se për momentin nuk ka asnjë arsye madhore të hyjmë në Grevë”,thuhet në komunikatë e FSSHK-së.
Një qëndrim i tillë për grevën vjen pasi në media ka dalë një email i Ministrisë së Financave përmes të cilit është kërkuar identifikimi i mësuesve që do të futen në grevë me qëllim të ndaljes së pagës për të njejtit.
FSSHK drejtohet nga Tevide Imeri. Kjo e fundit është zgjedhur në krye të kësaj sindikate para pak muajsh.