Kritere dhe kushte shumë rigoroze| Ky është Draft-Ligji me të cilin do të rregullohet veprimtaria e kriptovalutave në Kosovë

Fenomeni i kriptovalutave është temë që po vazhdon të dominojë në botë. Me gjithë ngritjet dhe rëniet e vlerës, diskutimeve për to nuk i ka shpëtuar as Kosova. Mungesa e rregullimit ligjor ka qenë pengesë për kosovarët lidhur me investimet. Por, tashmë një draft i projektligjit veçse është përgatitur. Demokracia.com sjell draftin e plotë të këtij Projektligjit për Kriptovalutat.

Kosova pritet që së shpejti të bëhet me një ligj të ri, i cili do t’i përcaktojë rregullat e përdorimit të kriptovalutave apo parave digjitale brenda territorit të saj.

Përveç kategorizimit të kriptovalutave dhe formave të taksimit, projektligji synon të sigurojë edhe pajtueshmëri të industrisë me ligjet vendëse dhe ato ndërkombëtare.

Reklama e sponzorizuar

Demokracia.com e ka siguruar draftin e Projektligjit për Kripto-Asetet, ku shihet se rregullimi nga shteti  do të jetë goxha rigoroz për ata që merren më këtë veprimtari.

Në këtë dokument janë dhënë detaje konkrete lidhur me kriteret e licencimit.

“Asnjë Operator nuk mund të emitojë, tregtojë, shpërndajë apo ruajë Kripto-Asete ose të ofrojë ndonjë shërbim tjetër që ndërlidhet me Kripto-Asetet, përveç nëse është në posedim të Licencës”, thuhet në nenin 4 të këtij projektligji, përcjell Demokracia.com.

Llojet e licencave që miratohen nga Autoritetet Përgjegjëse për kryerjen e veprimtarive të parashikuara në këtë ligj janë ndarë në disa kategori.

“(a) Licenca për subjektit të Autorizuar për teknologji digjitale (Agjenti). (b) Licenca e Ofruesit të Shërbimeve Inovative”.

Biznesi duhet të ketë 500 mijë euro të deponuara

Krahas kushteve të përgjithshme, aplikuesi për licencë, agjenti, duhet të plotësojë edhe disa kritere të veçanta.

Po ashtu, është paraparë që për marrjen e licencës për kriptovaluta, biznesi duhet të ketë një kapital minimal prej 500 mijë euro të deponuara.

“a) të jetë Person Juridik i regjistruar; b) të vërtetojë, duke vënë në dispozicion dokumentacionin provues, se ka aftësitë dhe njohuritë e duhura teknike lidhur me teknologjinë DLT; c) të dorëzojë strukturën organizative të saj, se bashku me informatat personale dhe profesionale lidhur me strukturën e menaxhmentit të lartë, zyrtarit kryesor për teknologji informative si dhe informacionet lidhur me strukturën pronësore të Aplikuesit; d) ka kompetencën dhe përvojën lidhur me procedurën teknologjike për emetimin e tokenëve digjital dhe asteve digjitale të bazuara në teknologjinë e DLT; e) të vërtetojë se në çdo kohe e ka të deponuar një kapital minimal prej 500,000,000 Euro, të deponuar në llogari të veçantë pranë Bankës Qendrore, i cili nuk përdorët për qarkullim biznesi”, thuhet në këtë draft të projektligjit, përcjell Demokracia.com.

Po ashtu, aty thuhet se “Krahas kritereve të veçanta të zbatueshme për çdo Autorizim, aplikuesi kur aplikon për të marrë Autorizimin për Operimin e Platformës Tregtare për Kripto-Asete duhet të ketë dhe të mbajë në vazhdimësi një kapital minimal në vlerën e EUR 150,000.00”.

Në këtë dokument është treguar, po ashtu, edhe për veprimtaritë e përjashtuara nga autorizimi ose licencimi.

Subjektet që ofrojnë shërbimet e mëposhtme nuk janë të detyruara të aplikojnë për Licencë apo Autorizim: Veprimtaria e mihjes se Kripto-Aseteve si dhe emetimit të Kripto-Aseteve në mënyrë indirekte përmes procedurës së mihjes; Veprimtaria e tregtisë se Kripto-Aseteve në kuadër të Këmbimoreve;

Ndërsa, subjektet që ofrojnë shërbimet duhen të regjistrohen në Administratën Tatimore të Kosovës, po ashtu duhet edhe të raportojnë në baza ditore.

“Këmbimoret janë të detyruara që në baza ditore të raportojnë pranë ATK për secilin transaksion që ndërlidhet me Kripto-Asetet si dhe të mbajnë evidence lidhur me: Të dhënat personale të Klientit, duke përfshirë kopjen e dokumentit identifikues si dhe adresën e banimit; Të mbajnë te dhëna identifikuese lidhur me Kripto-Asetin, objekt i transaksionit”.

Këto janë kushtet e Përgjithshme për Licencim

Çdo Aplikues për Licencim/Autorizim duhet të provojë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose nëpërmjet Agjentit, se përmbush të gjitha kushtet e përgjithshme të përcaktuara në këtë nen, si më poshtë:

1)       Të vërtetoj pagesën e taksës për aplikim;

2)        Të vërtetojë, që Aplikuesi është i regjistruar pranë ARBK;

3)        Të vërtetojë, se ka emëruar Bordin Menaxhues ose Bordin Mbikëqyrës dhe të vërtetojë, nëpërmjet shpalosjes së biografisë së tyre dhe përmes një vetëdeklarimi se anëtarët përkatës:

(i)        kanë reputacion profesional dhe personal të mirë, kanë njohuri, aftësi dhe përvojë të mjaftueshme, do të angazhohen me kohë të mjaftueshme për të kryer detyrat e tyre dhe janë në gjendje të kuptojnë qartësisht llojin e aktiviteteve dhe rreziqet që lidhen me to, dhe

(ii)       se Aplikuesi do të alokojë burime të mjaftueshme financiare dhe njerëzore për trajnimin e anëtarëve të Bordit Menaxhues ose Bordit Mbikëqyrës;

4)        Të vërtetojnë nëpërmjet certifikimit nga ARKEP, se Marrëveshja e Teknologjisë Inovative është në përputhje me dispozitat e këtij Ligji. Aplikuesi për t’u licencuar si Agjent dhe/ose Ofrues i Shërbimeve Inovative përjashtohen nga zbatimi i kësaj pike;

5)        Të vërtetojë, duke siguruar një kopje të dokumentit përkatës se ka emëruar së paku një Person përgjegjës dhe një zëvendëspërgjegjës për parandalimin e pastrimit të parave në nivele administrimi/drejtimi në zyrën qendrore;

6)        të vërtetojë që plotëson kriteret e të qenit “i Aftë dhe i Përshtatshëm” për ushtrimin e veprimtarive përkatëse.

7)        të vërtetojë, nëpërmjet dokumentacionit provues, se shoqëria ka miratuar rregullore të brendshme të funksionimit te cilat përmbajnë:

(i)        Masa dhe politika parandaluese për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit;

(ii)       Masa dhe politika efikase për identifikimin dhe menaxhimin e Konfliktit të Interesave;

(iii)      Masa dhe politika efikase për parandalimin e mashtrimit dhe  abuzimit me tregun.

Dokumentacioni duhet të jetë origjinal ose kopje e noterizuar e tij.

Aplikimi për Licencë/Autorizim. Pas plotësimit të formularit të aplikimit, Aplikuesi e dorëzon atë pranë Autoritetit Përgjegjës, duke bashkëlidhur të gjithë dokumentacionin provues për përmbushjen e kushteve të përgjithshme dhe kritereve të veçanta si dhe çdo kërkesë tjetër të këtij Ligji. Aplikimi për licencim/autorizim dhe dokumentacioni provues mund të dorëzohet edhe në formë elektronike, sipas rregullave të përkatëse.

Autoriteti Përgjegjës merr vendim në lidhje me Licencimin/autorizimin brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve kalendarike nga data e dorëzimit të Aplikimit dhe dokumentacionin provues nga vetë Aplikuesi ose nëpërmjet Agjentit, sipas përcaktimeve të këtij Ligji. Në rast se Autoriteti Përgjegjës nuk merr vendim brenda afatit të mësipërm, licenca do të konsiderohet e miratuar në heshtje, përveç rasteve të pezullimit të parashikuara në nenin 21 të këtij Ligji.

Në këtë draft është treguar se pas procedurave Licencimit/Autorizimit, çdo Bartës i Licencës/Autorizimit duhet t’i paguajë Autoritetit Përgjegjës tarifën vjetore të Operatorit të Licencuar/Autorizuar.

“Me qëllim garantimin e një niveli të përshtatshëm profesionalizmi, Aplikuesi për licencë Agjenti si dhe Agjenti i licencuar duhen të vërtetojë se ka kryer dhe do të vazhdojë të kryejë rregullisht programe të detyrueshme trajnimi. Programet e trajnimit të detyrueshëm do të përcaktohen nga aktet nënligjore”.

Tutje tregohet se krahas kritereve të veçanta të zbatueshme për çdo Autorizim, aplikuesi për aplikon për të marrë Autorizimin e Shërbimeve të Administrimit të Portofolit të Palëve të Treta duhet të ketë dhe të mbajë në vazhdimësi një kapital minimal në vlerën e 100,000.00 eurove.

Kriteret për ndalimin e abuzimit me tregun  

Ndalimet dhe kërkesat që parashikohen në këtë kapitull zbatohen mbi të gjitha veprimet e cilitdo personi juridik ose fizik, të cilat përbëjnë abuzim tregu, të përshkruara në këtë kapitull, ose të detajuar nëpërmjet akteve nënligjore të posaçme të lëshuara nga Autoriteti Përgjegjës, në lidhje me Tokenët Digjitalë/Monedhat Virtuale të cilat pranohen për tregtim në një platformat tregtare, ose për të cilat është paraqitur kërkesa për tu pranuar për tregtimi në këtë bursë ose platformë.

Abuzimi i tregut përfshin, Manipulimin e tregut dhe tregtimin bazuar në informacionin e privilegjuar.

“Do të përbëjnë manipulim të tregut: a)transaksionet ose urdhrat për tregtim të cilat japin, ose ka gjasa të  japin sinjale të rreme ose mashtruese në lidhje me ofertën, kërkesën, ose në lidhje me çmimin e Tokenëve Digjital/Monedhave Virtuale, ose të cilat sigurojnë mbajtjen nëpërmjet një personi ose disa personave që veprojnë në bashkëpunim, të çmimit të një ose disa prej Tokenëve Digjital/Monedhave Virtuale në një nivel artificial, përveçse nëse personi i cili ka kryer transaksionin ose ka dhënë urdhrin për tregtim, vërteton se arsyet e tij për ta bërë këtë veprim janë legjitime dhe se këto transaksione ose urdhra tregtimi përputhen me praktikën e pranuar të tregut;  b)            transaksionet ose urdhrat për tregtim të kryera nëpërmjet  përdorimit të pajisjeve fiktive ose çdo formë tjetër mashtrimi; c) shpërndarja e informacionit përmes mediave, përfshirë internetin, ose me çfarëdo lloj mjeti tjetër, i cili jep apo ka të ngjarë të japë sinjale të rreme ose mashtruese për Token-in Digjital/Monedhën Virtuale, përfshirë shpërndarjen e thashethemeve dhe lajmeve të rreme ose keqinformuese, në rastin kur personi që ka kryer shpërndarjen ka pasur dijeni, ose duhej të  kish pasur dijeni se informacioni ka qenë i rremë ose keqinformues”.

Në këtë Draft janë përmendur edhe gazetarët dhe mediat, duke treguar se si duhet të raportohet.

“Në lidhje me gazetarët kur veprojnë me cilësinë e gazetarit, shpërndarja e informacionit do të vlerësohet duke mbajtur parasysh rregullat që rregullojnë profesionin e tyre, me përjashtim kur ata përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë përfitime materiale ose jo, nga shpërndarja e informacionit në fjalë”.

Po ashtu janë paraparë edhe disa sanksione për ata që shkelin ligjin.

“Në rast të  shkeljes së dispozitave të këtij Ligji, Autoritet Përgjegjëse kanë të drejtë të: Vendosin gjobë administrative në masën minimale 1 dhe maksimale në masën xxx Euro, për çdo shkelje si dhe për çdo mospërputhje me dispozitat e këtij Ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, si më poshtë: Ushtrimit të aktiviteteve të rregulluara nga ky ligj pa licencat ose autorizimet e autoriteteve përkatës, në rastet kur këto aktivitete kërkojnë licencë dhe/ose autorizim; Mosdhënien, apo fshehjen e informacionit kur kërkohet nga Autoritetet Përgjegjëse në përputhje me këtë ligj  Shkelje të dispozitave për abuzimin e tregut.  Kur shkeljet e mësipërme përbëjnë edhe vepër penale, përgjegjësia administrative dhe gjobat administrative nuk përjashtojnë përgjegjësinë penale dhe dënimet penale me gjobë apo me burgim sipas Kodit Penal”, thuhet në Draft.

Cili është qëllimi i këtij Ligji?

Në këtë dokument tregohet se  ky ligj ka për qëllim të rregullojë licensimin, autorizimin dhe mbikëqyrjen operatorëve që ushtojnë veprimtari të ndërlidhur me  emetimin, shpërndarjen, tregtimin dhe ruajtjen e Kripto- Aseteve.

Kushtet e operimit, organizimi dhe qeverisja të operatorëve në fushën e emetimin, tregtimin dhe rruajtjen e Kripto-Aseteve;

Kushtet dhe kriteret për transparencën dhe shpalosje për emetimin, dhe tregtimin e Kripto-Aseteve në platforma tregtare;

Rregullat për mbrojtjen e konsumatorëve lidhur me shërbimet e operatoreve lidhur me shërbimet e operatoreve emetimin, tregtimin, shkëmbimin,  ruajtjen dhe shërbimet e konsulencës lidhur me Kripto-Asetet;

sanksionet në rastin e praktikave abuzive;

çështje të tjera që lidhen me shërbimet në  fushën e Teknologjisë së  Regjistrave të Shpërndare.

Tutje tregohet se dispozitat e këtij ligji zbatohen për të gjitha veprimtaritë qe ndërlidhen me këshilldhënien, emetimin, shpërndarjen, tregtimin dhe rruajtjen e Kripto-Aseteve si dhe veprimtareve të tjera të rregulluara në këtë ligj dhe për të gjithë Personat Fizikë dhe Juridikë që ushtrojnë ose pretendojnë të ushtrojnë veprimtari të tilla në territorin e Republikës së Kosovës ose nga Republika e Kosovës për klientë që ndodhen jashtë saj.

Ky ligj, përveç nëse parashihet ndryshe ne mënyre shpërthimorë me dispozita te këtij ligji, nuk aplikohet për subjektet e mëposhtme:

Institucionet publike; b. Bankën Qendrore të Kosovës; c. Kompanitë e sigurimit dhe ri-sigurimit; d. Administratorët e falimentimit; e. Subjekteve që ne mënyrë ekskluzivë ofrojnë shërbimet që ndërlidhen me Kripto-Asete për kompaninë nëne ose degët apo kompanitë simotre në pronësi të kompanisë./Demokracia.com/