Si ka vazhduar të rritet ekonomia e Turqisë, pavarësisht inflacionit të lartë?

Shumë biznese turke po mbijetojnë me vështirësi, shkruan The Economist

Në murin e zyrës, Savas Mahsereci ka varur një fotografi bardhezi të babait dhe gjyshit, duke prodhuar thembra këpucësh nga gomat e ricikluara të traktorëve.

Dhoma ndodhet mbi fabrikën e tij, në periferi të qytetit Gaziantep, me 2 milionë banorë, në Turqinë Juglindore, pranë kufirit me Sirinë. Ashtu si paraardhësit e tij, Mahsereci merret me biznesin e riciklimit.

Reklama e sponzorizuar

Firma e tij, MTM Plastik, prodhon qese mbeturinash, doreza për një përdorim dhe saçme. Biznesi është rritur me shpejtësi. Tani ai zë 20 herë më shumë hapësirë ​​në fabrikë sesa në vitin 2004 dhe nisi të eksportojë në vitin 2016.

Grykat e ngushta të furnizimit në Kinë janë “një mundësi e madhe për ne”, thotë ai. Kompani të tjera industriale në Gaziantep, po përfitojnë gjithashtu. Qyteti arriti eksporte rekord vitin e kaluar, thotë z. Mahsereci.

Vëzhguesit e jashtëm mund ta kenë të vështirë t’u besojnë historive të bizneseve turke që po lulëzojnë. Që nga viti 2018, vendi është zvarritur nga një krizë valutore në tjetrën.

Investitorët e huaj kanë hequr dorë nga bonot dhe aksionet turke. Monedha Lira ka rënë. Inflacioni është rritur në pothuajse 80% (shih grafikun 1). Megjithatë, ekonomia ka ecur.

Në pjesët më të mira të Stambollit, 1,100 km në perëndim të Gaziantep-it, vihen re të gjitha shenjat e një metropoli të lulëzuar, me tregje në zhvillim: udhëtarë që lëvizin, dyqane të pajisura mirë, trafik i madh.

Enigma e qëndresës

Qëndresa e ekonomisë turke duket si një enigmë. Ajo ishte një nga të paktat ekonomi të mëdha që u rrit në vitin 2020. Vitin e kaluar, PBB-ja u zgjerua me 11%. Shifrat e fundit tregojnë se prodhimi industrial u rrit me 9.1% gjatë vitit deri në maj. Edhe biznesmenët me përvojë janë befasuar.

Misteri ka të bëjë me tërheqjen e dy forcave të kundërta. Nga njëra anë, është një dinamizëm biznesi që e çon përpara ekonominë e Turqisë. Nga ana tjetër, është politikëbërja e çrregullt që e ka gërryer atë. Nën presionin e presidentit Rexhep Tajip Erdogan, Banka Qendrore i ka mbajtur normat e interesit tepër të ulëta, përballë inflacionit në rritje.

Kjo nuk është veçanërisht e mençur, pasi Turqia është një vend me kursime të ulëta, që duhet të tërheqë kapital të huaj për të mbuluar një deficit të madh në llogarinë e saj korrente (shih grafikun 2).

Ajo është një importuese e energjisë, me pjesën më të madhe të gazit të furnizuar nga Rusia dhe Irani. Kur çmimet e energjisë rriten, deficiti tregtar dhe nevoja për kapital të huaj, priren të rriten gjithashtu.

Deri tani, dinamizmi ka mposhtur brishtësinë dhe politikën e keqe. Por nën sipërfaqe, ka shenja se paqëndrueshmëria monetare e Turqisë, po ndihet. Autoritetet kanë marrë masa të dëshpëruara për të përballuar stokun në rënie të valutës së vendit dhe për të mbështetur monedhën vendase. Por kreditë po thahen dhe investimet po ndalen.

Për shkak të inflacionit të lartë, shumë njerëz vuajnë për të përballuar jetesën. Zotin Erdogan e presin zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në qershor 2023 dhe ai mbetet mbrapa në sondazhe. Ai ka mbizotëruar politikën e Turqisë për dy dekada me radhë dhe duket se nuk ka gjasa të largohet në heshtje. Ekonomikisht dhe politikisht, muajt e ardhshëm ka të ngjarë të jenë të paqëndrueshëm.

Nga Bazaar në bizarre

Për njëfarë kohe, Turqia ka pasur stabilitet makroekonomik. Reformat pas një krize në vitin 2001, ishin transformuese. Një ndryshim i madh ishte dhënia e një pavarësie më të madhe për Bankën Qendrore.

Ligjet e reja vendosën kufizime në shpenzimet publike dhe hapën prokurimet qeveritare ndaj ofertave konkurruese. Kur zoti Erdogan erdhi në pushtet në vitin 2003, ai ndoqi politika të reja. Inflacioni ra. Rritja e PBB-së u përshpejtua. Produktiviteti u rrit.

Por me kalimin e kohës, shtysa për reformën ekonomike u zbeh. Banka Qendrore iu nënshtrua trysnisë politike dhe humbi vëmendjen nga objektivi i saj për inflacionin. Dashuria e Erdoganit për projektet e mëdha të infrastrukturës, mori përparësi. Ligji i prokurimit u rrëzua. Kontratat e ndërtimit iu dorëzuan miqve.

Bumi i ndërtimit u kthye në motorin e ekonomisë. Ndërtimi është një industri me produktivitet të ulët, kështu që niveli i rritjes së PBB-së, ra. Kjo industri është gjithashtu shumë e ndjeshme ndaj normave të interesit – ndoshta një arsye për këmbënguljen e Erdoganit për t’i mbajtur ato të ulëta.

Megjithatë, një dekadë me para të lehta dhe kursime të tepërta globale pas vitit 2008, e mbajti të hapur linjën ndërkombëtare të kredisë së Turqisë.

Por perspektiva e politikës monetare më të shtrënguar në Amerikë, ndezi një minikrizë në tregjet në zhvillim. Në verën e vitit 2018, këmbëngulja e zotit Erdogan se normat e larta të interesit ishin një shkak i inflacionit të lartë dhe jo një kurë për të, shkaktoi largimin e kapitalit të huaj. Lira filloi të binte në vlerë me shpejtësi (shih grafikun 3). Gjurmët e mbetura të pavarësisë së Bankës Qendrore, u venitën. Tre guvernatorë u shkarkuan nga zoti Erdogan.

Në muajt e fundit të vitit 2021, normat e interesit ranë me pesë pikë përqindje, në 14%. Lira u vu nën presion të ri. Që atëherë, inflacioni është rritur nga rreth 20%, në pothuajse 80%. Por zoti Erdogan mbetet i palëkundur. Ata që këmbëngulin për një lidhje midis normave të interesit dhe inflacionit “janë ose analfabetë ose tradhtarë”, tha ai së fundmi.

Mes një kaosi të tillë, është mbresëlënëse që ekonomia ka vazhduar të ecë në këtë mënyrë. Pjesa më e madhe e kësaj është rezultat i fuqive të shumta tregtare të Turqisë.

Ajo ka një treg të madh vendas prej 85 milionë konsumatorësh, kryesisht të rinj, dhe ka qenë prej kohësh një pikë qendrore për tregtinë midis Lindjes dhe Perëndimit. Kultura e biznesit të vendit ka rrënjë të thella. Përqindja e popullsisë që aspiron të jetë sipërmarrëse është e lartë, sipas standardeve ndërkombëtare.

Në përgjithësi, ekzistojnë tre lloje të biznesit turk. Lloji i parë janë firmat e mëdha, shpesh konglomerate. Këto përbëjnë një të katërtën e punësimit dhe gjysmën e vlerës së shtuar të sektorit të biznesit.

Disa janë sipërmarrje të përbashkëta me firma europiane. Më të mirat prodhojnë mallra kapitale të cilësisë së lartë, pjesë këmbimi makinash dhe pajisje ushtarake për eksport. Ato u afrohen niveleve gjermane të produktivitetit. Lloji i dytë janë firmat e vogla, të paregjistruara, me produktivitet të ulët. Lloji i tretë është një grup firmash familjare të mesme.

Kjo strukturë ndihmon për të shpjeguar shkathtësinë e biznesit turk. Shumë firma të mëdha drejtohen në mënyrë konservative dhe diversifikohen nëpër industri dhe tregje eksporti, gjë që u jep atyre elasticitet të madh.

Konglomerati më i madh, Koc Holding, ka katër divizione kryesore: automjete dhe pjesë këmbimi (në sipërmarrje të përbashkëta me Ford dhe Fiat), mallra të bardhë, rafinim të naftës dhe banka. Sabanci Holding, një tjetër konglomerat, ka biznese me pakicë, energji, çimento, biznese bankare dhe prodhuese.

Firmat më të mira familjare të mesme zotërojnë shkathtësi që e kanë marrë nga vitet e paqëndrueshmërisë ekonomike. Turqia ka histori me inflacion të lartë. Shefat janë bërë ekspertë në menaxhimin e financave. Kompanitë kanë pasur kohë të përshtaten me një monedhë të dobët, që nga viti 2018. Shumë prej tyre kanë ulur borxhet në dollarë.

Kompanitë më të vogla përshtaten me mjete të tjera. Linja ndarëse midis kompanisë dhe familjes është e zbehtë. Rreziqet grumbullohen midis anëtarëve të familjes. Shpesh, përgjigjja ndaj fatkeqësisë është të punosh më tepër. Katër të pestat e fuqisë punëtore, punojnë më shumë se 40 orë në javë, një nga përqindjet më të larta në OECD – megjithëse orët e gjata kompensojnë produktivitetin e ulët të punës.

Një strategji tjetër për firmat e vogla dhe të mesme është operimi i biznesit në ekonominë gri, ku pagat shpesh nuk përputhen me inflacionin ose me ligjet për pagën minimale.

Stambolli

Puna e palodhur dhe shkathtësia i ndihmojnë bizneset të ecin përpara. Por ata gjithashtu kanë nevojë për kërkesë. Një nga surprizat e mëdha në Turqi ka qenë fuqia e shpenzimeve konsumatore. Inflacioni në nivel të lartë ka rënduar mbi konsumatorët në Europë dhe Amerikë.

Megjithatë, në Turqi, inflacioni shumë më i lartë nuk e ka ulur kërkesën. Ka shumë teori për këtë. Njëra është se konsumatorët vëzhguan rënien e monedhës Lira, ​​e dinin se çfarë do të thoshte kjo për inflacionin e ardhshëm dhe u përgatitën për çmime më të larta.

Në veçanti, mallrat e qëndrueshme janë një mbrojtje kundër inflacionit. Me norma interesi kaq të ulëta në terma realë, është pothuajse e pakujdesshme që të mos marrësh hua për të shpenzuar.

Por kredia nuk është karburanti i vetëm. Popullsia e re e Turqisë ka një prirje të lartë për të konsumuar, thotë një ekonomist me bazë në Stamboll. Dhe familjet e pasura e kanë një pjesë të madhe të pasurisë së tyre të lidhur në depozita dhe prona në valutë, të cilat e kanë mbajtur ose e kanë rritur vlerën e tyre. /monitor.al/