Pas vlerësimit të përgjithshëm të tokave dhe objekteve rezidenciale, që ka bërë Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve në fund të vitit të kaluar, tatimi në pronë për disa është rritur deri në 100 për qind, e për disa ka mbetur i pandryshuar, pasi vlera e pronës, pas vlerësimit, nuk ka ndryshuar.
Deri në fund të muajit prill, qytetarët e Kosovës duhet të bëjnë pagesën e këstit të parë të tatimit vjetor në pronë.
Në të kundërtën, ata do të gjobiten, ndërsa afati për këstin e dytë të pagesës është fundi i muajit shtator.
Nëse pagesa nuk bëhet në kohë, do të aplikohet një interes prej 0.65 për qind për secilin muaj që vonohet pagesa dhe një gjobë prej 10 për qind të tatimit të papaguar.
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi në një përgjigje për Dukagjini ka thënë të gjitha komunat janë dakorduar që ky vendim të kthehet në pikën zero dhe të mos ketë ngritje të tarifave për tatimin në pronë.
“AKK si mekanizëm legjitim ka kërkuar në emër të komunave që faturat e tatimit në pronë për vitin 2023 të jenë të njëjtat si në vitin 2022 që në asnjë mënyrë të mos ketë ngritje të faturave të tatimit në pronë”, ka thënë Ibrahimi.
“Propozimi i Muratit për faljen e 100 eurove – s’ka bazë ligjore”
Për propozimin e ministrit të Financave, Hekuran Murati që secilit tatimpagues në vend t’iu falen 100 eurot e para të tatimit të tyre në pronë, Ibrahimi ka thënë se nuk ka bazë ligjore.
Ai ka thënë se qëkur ministri Murati ka dalë me këtë propozim për tatimin në pronë, AKK përmes komunës së Drenasit, respektivisht kryetari i kësaj komune, Ramiz Lladrovci ka bërë një interpretim ligjor përmes ministrisë së financave në departamentin ligjor ku është konfirmuar se ky propozim nuk ka bazë ligjore për t’u zbatuar.
“Nuk ka mundësi zbatimi ky propozim derisa nuk ka ligj, nuk ka informata se në çfarë stadi është ky projektligj, është ministria e financave ajo që duhet të njoftojë nëse ka filluar hartimin e një projektligji të tillë që u mundëson faljen e 100 eurove të para të tatimit në pronë”, ka thënë Ibrahimi.
“Paqartësia është krijuar nga Ministria e Financave”
Sipas tij, është krijuar paqartësi nga Ministria e Financave në lidhje me tarifat e tatimit në pronë dhe për këtë arsye tashmë qytetarët nuk po shprehin gatishmëri për ta paguar pasi ende nuk e dinë se a do t’u falen 100 euro apo jo.
“Problemin e kanë shkaktuar Ministria e Financave, ata duhet të dalin me një vendim se çfarë duhet të bëhet nëse duhet të kemi pezullim të vendimit paraprak, nuk ka dalë në opinion që të japë sqarime, qytetarët janë të hutuar, nëse nuk paguajnë deri në fund të muajit prill gjobiten. Për këtë arsye kemi kërkuar që Murati të dalë në opinion dhe ta sqarojë”.
Ibrahimi ka theksuar se përderisa komunat janë dakorduar që të ketë pezullim të vendimit për rritje të tatimit në pronë, Qeveria mund ta bëjë një gjë të tillë.
Portali Dukagjini ka pyetur Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve se në çfarë stadi ka arritur propozimi i Muratit për faljen e 100 eurove të tatimit në pronë por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.
Por në disa komuna qytetarët kanë filluar të bëjnë pagesat ani pse nuk e dinë se a do të kompensohen për këtë pjesë nga qeveria.
Ata thonë se do ta paguajnë tatimin në pronë, duke pasur parasysh se mund të gjobiten.
“Dakordimi i komunave për pezullimin e rritjes së tatimit në pronë”
Fadil Konjusha nga Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik në Fushë Kosovë ka bërë të ditur se këtë vit ka pasur rritje në numër sa i përket pagesës së tatimit në pronë por edhe rritje të të hyrave.
“Krahasuar me muajin janar të vitit paraprak në këtë vit kemi rritje si në numër po ashtu edhe në shumë, janar 2022 kemi 392 fatura te paguara dhe shumë 37,729.41 kurse ne janar 2023 kemi 659 fatura te paguara dhe shume 58,226.31”, ka thënë Konjusha.
Konjusha ka thënë se ka pasur konsultime edhe me komunat e tjera në lidhje me vendimin për rritje të faturave të tatimit në pronë dhe se vërejtjet janë më së shumti sa i përket zonimit, specifikisht caktimit të zonave tatimore.
Po ashtu në Komunën e Obiliqit, zyrtarja nga Drejtoria për Ekonomi dhe Financa, Zarife Behluli ka thënë se përkundër rritjes, qytetarët kanë filluar pagesën e faturave të tatimit në pronë.
Behluli ka kërkuar nga Qeveria që në këtë situatë të rëndë ekonomike t’i ndihmojë qytetarët në bazë të propozimit që është bërë.
“Kemi mbajtur takim me Asociacionin e Komunave të Kosovës, është kërkuar që ky regjistrim të anulohet por nuk ka ndodhë një gjë e tillë.Situata e rëndë ekonomike ka ndikuar në ekonomitë familjare, mendoj se Qeveria duhet me të ndihmojë qytetarët sipas premtimit të bërë”, ka thënë Behluli.
Po ashtu edhe komuna e Vushtrrisë është përballur me probleme të njëjta.
Qemajl Hasani, zyrtar nga Komuna e Vushtrrisë ka thënë se pas vlerësimit të përgjithshëm të tokave dhe objekteve rezidenciale, dhe rritjes së 20%-it të fundit tek parcelat ka shkaktuar pakënaqësi tek qytetarët për shkak se kjo rritje ka ndodhur në momentin e një situate të rëndë ekonomike në vend.
Hasani ka thënë se në komunën e Vushtrrisë qytetarët kanë zgjedhur që të paguajnë vetëm këstin e parë të tatimit në pronë me shpresë se do të ketë zbritje të shumës.
Sipas tij është vërejtur një numër më i vogël i tatimpaguesve në këtë fazë.
“Përndryshe për fatin e mirë komuna jonë, kemi arritur qysh me kohë të reagojmë dhe disa sugjerime dhe vërejtjet që i kemi shtruar paraprakisht në Departamentin e TP, kemi arritur ti sqarojmë. Megjithatë nga pakënaqësia e qytetarëve nuk jemi kursyer as komuna jonë. Rreth temës së pagesave dua të jem i sinqertë se qytetarët kanë zgjedhur strategjinë që të paguajnë vetëm këstin e parë, e për të pritur me shpresë se do të këtë zbritje të shumës së tatimit. Vitin e plotë tatimor e paguajnë një numër më i vogël i tatim paguesve”, ka thënë Hasani.
Ndër të tjera Hasani ka thënë se komuna e Vushtrrisë ka pasur konsultim edhe me komunat e tjera se a do të ketë anulim të vendimit për tarifat e tatimit në pronë nga MF-ja por se nuk ka rezultuar ende me ndonjë takim.
Sipas tij, propozimi i Muratit për faljen e 100 eurove është “qesharak” dhe tentim për të bartur kompetencën nga ministritë në komuna.
“Kërkesat nga komunat për takim rreth anulimit të vendimit për vlerësimin e zonave të vlerësuara, e ku jemi bashkangjitur edhe komuna jonë ka ekzistuar por nuk ka pasur realizim të takimit. Propozimi i ministrit Murati për faljen e 100 eurove nga komunat, sepse sipas tij, është në dorën e komunave ngritja e çmimeve, ishte një propozim qesharak dhe tentim për ta s‘postuar presionin qytetar nga ministria në komuna dhe Ne i propozojmë ministrit që ta lexojë ligjin nr. 06/L-005 për tatimin në pronë në të cilin shkruan se: Në ushtrim të detyrave të saj, Ministria e Financave, ka përgjegjësitë e mëposhtme, kryen vlerësimin e pronës dhe lëshon certifikatat e vlerës së vlerësuar, kryen vlerësimin tatimor: ndërsa për obligimin e komunës thotë: Neni 9. Kuvendi komunal i çdo komune cakton normat tatimore për të gjitha kategoritë e pronave, me përjashtim të kategorisë pronë publike, deri më 30 nëntor të vitit para vitit të vendosjes së tatimit në përputhje me këtë ligj”.
Nga kush bëhet vlerësimi i pronave?
Ministria e Financave më 24 janar në një komunikatë për media ka thënë se ky dikaster obligohet të bëjë vlerësimin e pronave, ndërsa shkallën e tatimit e përcaktojnë vetë komunat.
“Departamenti i Tatimit në Pronë, në kuadër të kësaj ministrie gjatë vitit 2022 ka kryer vlerësimin e përgjithshëm të tokave dhe objekteve rezidenciale, si dhe ka përpiluar raporte të vlerësimit për prona rezidenciale më datë 31.10.2022, për të cilat janë njoftuar të gjitha komunat”.
Përgjatë vlerësimit të pronave rezidenciale, thuhet se ky departament ka bashkëpunuar ngushtë me komunat për të përcaktuar çmimin për metër katror për objekte dhe toka.
Prona rezidenciale llogariten pronat e paluajtshme, të cilat u shërbejnë njerëzve për nevoja themelore të banimit, duke përfshirë: shtëpitë, banesat dhe ndërtesat e ngjashme.
Propozimi i Muratit
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka propozuar që secilit tatimpagues t’i falen deri në 100 euro të faturës së tatimit në pronë.
Sipas tij, 85 për qind e tatimpaguesve nuk do të paguanin asgjë për vitin 2023, 10 për qind të tjerë do të paguanin më pak se 100 euro dhe vetëm 5 për qind e tatimpaguesve do të paguanin më shumë se 100 euro.
Në ligjin e ri, Murati ka thënë se do ta përfshijnë edhe dispozitën e faljes së faturës së tatimit deri në 100 euro për vitin 2023.
Murati më 16 shkurt ka deklaruar se shumë shpejt do ta sjellin në Kuvend plotësim-ndryshimin e ligjit për tatimin në pronë që mundëson faljen deri në 100 euro për secilin tatimpagues.
Me ligjin në Kosovë, vlerësimi i pronës nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve bëhet në çdo tre ose pesë vjet.
Vlerësimin e fundit, kjo ministri e ka bërë vitin e kaluar, kurse zbatimi i tij në tatimin në pronë ka filluar nga janari i këtij viti.
Vlerësimi paraprak është bërë në vitin 2019.
Qëndrimi i opozitës
Rritjen e faturave të tatimit në pronë me kritika e ka pritur edhe opozita.
Ata kanë kërkuar pezullimin e këtyre tarifave.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kishte propozuar një rezolutë për adresimin e çështjes së rritjes së faturave të tatimit në pronë por kjo rezolutë nuk e gjeti mbështetjen e deputetëve.
Ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka thënë se ky veprim i qeverisë për t’i shtrenjtuar faturat e tatimit në pronë “shpërfaq mungesën e konsideratës për vështirësitë, me të cilat, po ballafaqohen qytetarët e Kosovës si pasojë e krizës ekonomike”.
Po ashtu Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kishte thënë se lajmi për rivlerësimin e tatimit në pronë ka qenë i vonuar por edhe i pakonsultuar me komunat.
Rritja e tatimit në pronë
Për disa, tatimi vjetor në pronë është rritur deri në 100 për qind, e për disa të tjerë, ajo ka mbetur e pandryshuar, sepse vlera e pronës ka mbetur e njëjtë si në të kaluarën.
Vlera e pronës ndikohet nga disa faktorë, ndër të tjera edhe lokacioni apo zona e pronës, kati, etj.
Në të gjitha komunat e Kosovës ekzistojnë disa zona, ku nga zona në zonë ndryshon çmimi i metrit katror të pronës.
Zakonisht, çmimet janë më të larta për pronat që gjenden më afër qendrës së qytetit.
Edhe pse vlerësimi është bërë në gjithë territorin e Kosovës, në disa zona nuk ka ndryshuar vlera tatimore.