Pensionistët punëtorë: Mes zorit dhe dëshirës për të vazhduar jetën sociale

Shumë pensionistë në Kosovë janë të detyruar të punojnë edhe pas pensionimit për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike dhe pamundësisë së përmbushjes së nevojave elementare për jetesë.

Ngadhnjim Avdyli

Sa ishte fëmijë, S.H. me kurreshtje endej nëpër punishten e babait të tij. Gjatë shkollës së mesme, ai veçse nisi të zotëronte zanatin e zdrukthtarit. Anipse i shkolluar për ekonomist, zanatin që ushtroi përgjatë gjithë jetës është ai i zdrukthtarit.

Reklama e sponzorizuar

Katër vite më parë, S. mbushi moshën e pensionimit. Detaje të asaj dite me vështirësi kujton, pasi për të ishte veç një ditë e zakonshme e punës. 69-vjeçari nga Ferizaj vazhdon të punojë dhe për pesë ditë të javës në ora gjashtë të mëngjesit hap dyert e punishtes së tij.

‘’Sa ta kam shëndetin s’ka mu ndal [duke punuar]’’, thotë S.H, por që ka një mori arsyesh tjera.

Sikurse ai në Kosovë janë me dhjetra-mijëra pensionistë që edhe pas moshës së pensionimit vazhdojnë të punojnë.

Në Kosovë janë mbi 192 mijë pensionistë dhe, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), afër 12,500 pensionistë (6.5 për qind) e vazhdojnë të jenë në marrëdhënie të punës.

Në Kosovë ligjërisht një kategorie të profesioneve u lejohet të vazhdojnë punën. Mirëpo, në këto shifra të ASK-së nuk përfshihen kategoria e pensionistëve sikurse S.H., çka të lë të kuptohet se numri i pensionistëve që vazhdojnë të punojnë të jetë edhe më i lartë.

Në Kosovë ekzistojnë disa skema pensionale. Me të mbushur 65 vjeç çdo qytetarë ka të drejtën e pensionit bazë, sipas Skemës së Pensionit Bazik të Moshës. Ndërkaq, punëtorët që mbushin 65 vjeç përfitojnë pension mujor – shuma varion nëpër disa kritere – sipas Skemës së Pensionit Kontributpagues të Moshës.

Për të përfituar nga kjo skemë, punëtorët duhet të kenë paguar kontributet në ish-Fondin Pensional të Kosovës para datës 1 janar 1999. Ndërkaq kategorizimi i shfrytëzuesve të kësaj skeme, vazhdon sipas kohëzgjatjes së pagesës së kontributit dhe sipas strukturës kualifikuese e kritereve tjera që përcaktohen me akte nënligjore dhe çka përkthehet në pagesa të ndryshme.

Mbi 143 mijë pensionistë i takojnë kategorisë së pensionit bazë që marrin nga 100 euro në muaj pension. Ndërkaq janë mbi 48 mijë të pensionit kontributpagues dhe që pensioni mujor varion.

‘’Unë i kom nejt gati [pagesave të kontribueteve] se kam qenë në biznes temin, se sot i kisha marr [vetëm] qato 100 euro në muaj’’, thotë S.H. për Buletinin Ekonomik.

Mirëpo, ai thekson se pensioni mujor që merr është i pamjaftueshëm, anipse thekson se ai gjendet në situatë ekonomike shumë më të mirë se shumica e pensionistëve që njeh. Për të ngritja e kostos së jetës ka bërë që ‘’pensioni nuk të del as sa për me dal në qytet për me pi një kafe’’.

Mbi të gjitha, thekson vështirësitë që pensionistët kanë për vizita tek mjeku dhe për barna është një pjesë tjetër që pensionin e bënë më shumë lëmosh sesa skemë pensionale. Shqetësime të ngjajshme kanë ngritur edhe Shoqata e Pensionistëve të Kosovës, që në prononcime për media kanë theksuar se gati gjysma e shumës së pensionit përdoret për barna nga pensionistët.

Artan Mustafa, hulumtues dhe ligjërues në fushën e politikave sociale, thotë se janë disa arsye që shtyjnë pensionistët të punojnë dhe që lidhen direkt me dizajnimin dhe paqëndrueshmërinë e sistemit pensional në Kosovë.

‘’Vet politika pensionale e Kosovës e detyron një pjesë të madhe të pensionistëve të punojnë në moshë pas pensionimit dhe të punojnë joformalisht. Kjo ndodh pasi sistemi pensional i yni nuk garanton të ardhura adekuate në moshë pensionale. Sistemi pensional tek ne është shumë i privatizuar, pra i përqëndruar në kursime individuale’’, thotë Mustafa për Buletinin Ekonomik.

Për profesorin Mustafa kjo gjendje diskriminon skajshmërisht personat që nuk kategorizohen për pensionin kontributdhënës dhe pensioni që marrin është shumë i ulët – kategori kjo që përbën shumicën e numrit të pensionistëve në vend.

‘‘Tërheqja e trustit që është bërë na ka treguar pabarazinë ekstreme që ekziston. Njerëzit që kanë punuar punë të zakonshme, nuk kanë pasur shumë kursime’’, thotë Mustafa, duke shtuar se numri i lartë i papunësisë u pamundëson njerëzve të kenë kursime të larta.

Mirëpo, sipas tij, sistemi pensional nuk është i përshtatshëm as për gjithë pensionistët e kategorisë së pensioneve kontributdhënës, pasi kursimet pensionale për shumicën e tyre janë të pakta dhe studimet kanë treguar se ato kursime u zgjasin pensionistëve afërsisht 5 vjet.

Për të ky sistem është i përshtatshëm vetëm për një numër të vogël të pensionistëve dhe që lidhet me shtresa shoqërore që kanë qenë të privilegjuar në tregun e punës – privilegj që e vazhdojnë edhe gjatë periudhës së pensionimit.

Mustafa potencon se “në Kosovë kemi sistemin pensional më të privatizuar në Evropën Juglindore’’ dhe “i pafavorshëm për shtresat e punëtorëve që nuk janë në pozitë të lartë shoqërore’’, ku kemi dallime të mëdha, për shembull, në bazë të gjinisë apo edhe vendbanimit ku kanë jetuar a punuar.

Sipas Mustafës pensionistët duke u gjendur në këto rrethana janë të detyruar të punojnë edhe pas pensionimit anipse diçka e tillë është e ndaluar në Kosovë.

“Varet se si e shohim drejtësinë sociale. Do mendoja që nëse sistemi do prodhonte të ardhura adekuate për njerëzit që dalin në pension, por në kontekstin ku sistemi jonë pensional nuk e ka qëllimin të ofrojë të ardhura adekuate, atëhere ki më pak arsye racionale si sistem dhe legjitimitet më të vogël me kërku prej njervzve që të mos punojnë’’.

Në anën tjetër, S.H. thekson se përveç shumës së vogël financiare që ofron pensioni, ai ka edhe shtysa tjera për të punuar.

‘’Djemtë po më thonë pusho, s’ki nevojë me punu ma, boll ke punu, por s’e kam ndërmend të nalem’’, thotë S.

Ai shton se vazhdimi i punës i ka ndihmuar të vazhdojë jetën sociale dhe të jetë në gjendje më të mirë emocionale. Përgjatë përditshmërisë së punës ai takohet me shumë njerëz dhe i bjen që, kohëpaskohe, të udhëtojë nëpër vende të ndryshme dhe kjo e bënë të ndihet shumë më mirë.

‘’Me kish’ ra me nejt veç me pensionista e me u kufizu qaty’’, thotë ai, duke shtuar se ‘’unë me punën që bëjë mund të shkoj ka dy javë në deti, e muj me dal e me shku ka të du’’.

(Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Diskriminim e mospërfshirje: Shkeljet ndaj punëtorëve në sektorë të ndryshëm në Kosovë”. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Buletinit Ekonomik dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian, ATRC-së ose BIRN KOSOVË.)