Në asnjë vit pas luftës, praktikisht, agrarit kosovar nuk i ka ecën, nuk iu kanë përmbushur pritshmëritë dhe planifikimet qoftë në kultivimin e sipërfaqeve të planifikuara, qoftë në rendimente. Bujqësia kosovare, pra akoma, thuaja njësoj ndër vite, përballet me probleme të thella strukturore, që janë pasojë e të kaluarës dhe të karakteristikave të familjeve kosovare (copëzimi i tokës në pafundësi), por edhe nga mungesa e sistemeve të mjaftueshme të ujitjes, mungesës të sistemeve të mbrojtjes kundër breshërit, mosaplikimit të automatizimit (pasjes së pajisjeve moderne bujqësore) dhe sfida të tjera. Pse mbeti kaq margjinalizuar agrari i Kosovës në të gjitha mandatet e deritashme qeveritare?
Mehmet GJATA
Bujqësia në Kosovë, pavarësisht trumbetimeve dhe propagandës goxha agresive të autoriteteve në këtë sektor për të promovuar suksese, gjithsesi, vazhdon të mbetet e pazhvilluar dhe të ketë probleme të shumta. Në asnjë vit pas luftës, praktikisht, agrarit kosovar nuk i ka ecën, nuk iu kanë përmbushur pritshmëritë dhe planifikimet qoftë në kultivimin e sipërfaqeve të planifikuara, qoftë në rendimente.
Bujqësia kosovare, pra akoma, thuaja njësoj ndër vite, përballet me probleme të thella strukturore, që janë pasojë e të kaluarës dhe të veçorive të familjeve kosovare (copëzimi i tokës në pafundësi), por edhe nga mungesa e sistemeve të mjaftueshme të ujitjes, mungesës së sistemeve të mbrojtjes kundër breshërit, mosaplikimit të automatizimit (pasjes së pajisjeve moderne bujqësore) dhe sfida të tjera.
Ndër faktorët që ka ndikim të drejtëpërdrejtë në gjendjen aktuale të agrarit Kosovar, është edhe asgjësimi i tokave bujqësore, respektivisht shndërrimi i tokave bujqësore në toka për qëllime ndërtimore apo industriale, që është bërë dukuri shqetësuese, pasi zvogëlon mundësitë për prodhimin e kulturave bujqësore, thonë ekspertë të bujqësisë në Kosovë. Ndërsa, këtë e ka ndikuar drejtëpërdrejt procesi i privatizimit.
Të dhënat zyrtare flasin për shumë hektarë toke të bukës që u është ndërruar destinimi në tokë për qëllime jobujqësore për çdo vit në periudhën e pasluftës. Në ministrinë e Bujqësisë, nga viti 2019 deri më 2022, janë bërë mbi 350 kërkesa për ndryshimin e tokës bujqësore në tokë për qëllime të tjera – prej të cilave shumica dërrmuese janë miratuar. Ndërsa, sipas ekspertëve, është lehtë e vërejtshme që tokat deri vonë bujqësore – kryesisht rreth rrugëve magjistrale – janë shndërruar në zona industriale, objekte afariste e komerciale, apo banesa kolektive.
Ndër problemet e përsëritura për vite me radhë në bujqësinë kosovare është edhe mbiprodhimi, apo nënprodhimi i produkteve të ndryshme, rëndom si rrjedhojë e mossigurimit të tregjeve, por edhe planifikimit dhe parashikimeve të gabuara. Shembulli më i freskët për këtë është çmimi i sivjetshëm stratosferik i qepës për shkak të mungesës së saj. Sivjet, një kilogram qepë gjatë muajve të pranverës u tregtua edhe me 2 euro, ndërkohë që një vit më herët kilorami i qepës në të gjitha stinët gjendej me 50 centë. Por, shembuj të këtillë ka edhe tek shumë produkte të tjera bujqësore, sidomos në prodhimtarinë e perimtarisë.
Nuk u mendua shumë deri tash që bujqësia kosovare tashmë e ka më se të nevojshme ta orientojë drejt prodhimin, dhe të ndërprejë një herë e mirë përvojën e keqe që “një vit të ketë superprodhim të një produkti bujqësor, dhe një vit më pas vendi të varet nga importi i të njëjtit produkt, për shkak të mungesës së tij.
Në këto vite, në mandate të ndryshme qeveritare, agrari herë merrte paksa vëmendje, qoftë me rritje të buxhetit, qoftë të subvencioneve të ndryshme për kultivimin e kulturave të ndryshme bujqësore, por pati edhe periudha kur bujqësia praktikisht ishte jashtë orbitave të vëmendjes së pushtetit. Dhe më pastaj, fare pak pati përpjekje për të tejkaluar dhe kompenzuar dështimet paraprake, qoftë nëpërmjet intensifkimit të prodhimit, apo rritjes së vlerës së shtuar të prodhimit për njësinë e tokës dhe të produktit.
Pra, vetëm me fjalë, bujqësia është vlerësuar si sektor strategjik i vendit. Për këtë flet edhe fakti se në disa raste në krye të dikasterit të agrarit u përzgjodhën ministra, me bagazh të diskutueshëm të profesionalizmit dhe të shkathtësive menaxheriale, të cilëve nuk mund t’u gjendej pozicioni i kreut në ndonjë dikaster tjetër, dhe vendosej në krye të Ministrisë së Bujqësisë. Ose, dihen rastet kur ky dikaster iu besua edhe përfaqësuesve të Listës serbe, orientimi politik i të cilëve dihet, dhe ministri i Bujqësisë nga ky subjekt politik ende ka procese të hapura gjyqësore për keqpërdorime tashme të bëra publike të tij. Ndërsa, shi për këtë, në mandatin e këtij ministri, buxheti qeveritar për ministrinë e Bujqësisë ka qenë ndër më të lartit ndonjëherë.
Çështje në vete vazhdojnë të mbeten edhe rimbursimet e fermërve për kultivimin e kulturave të ndryshme bujqësore. Po thuajse, në të gjitha mandatet qeveritare u evidencuan më pastaj keqpërdorime të shumta të mjeteve të subvencioneve shtetërore (fituan subvencione fermerët pa toka fare, ose mjetet e subvcencionuara u përdorën për dedikime krejtësisht jasht bujqësisë). Edhe këtyre ditëve janë duke vazhduar proceset gjyqësore ndaj bujqve keqpërdorues të këtyre mjeteve në të kaluarën. Ndërsa, për arsye të paaftësisë për të bërë projekte joshëse dhe bindëse në sektorin e agrarit në Kosovë, asnjëherë nuk u arritë të sigurohen rimbursime nga fondacionet e njohura ndërkombëtare që gjithandej tregohen dorëshlirë për të ndihmuar bujqësinë në shumë vende të botës. Kurse, për shkak të gjetjes së parregullësive në disa projekte të financuara si pjesë e programeve të ndryshme ndërkombëtare dhe krijimit artificial të kushteve për të përfituar grante më të vlefshme, lidhjeve të paligjshme ndërmjet ofertuesve, çmimeve të fryra, mos mbajtjes së dokumentacionit të kërkuar, ofertave false etj., u humbën shumë shanse për të përfituar këto grante.
Në sektorin e agrarit kosovar mungojnë gjithnjë, për çdo vit, statistikat e sakta për zhvillimet bujqësore, rritjen eventuale të bujqësisë në kuadër të rritjes së gjithmbarshme të vendit, ose për ngecjet në këtë sektor në periudha të shkurtëra dhe më të gjata. Mungojnë të dhëna të sakta me çfarë përqindjeje bujqësia në Kosovë kontribuon në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), për të pasur pastaj mundësi për të parashikuar dhe planifikuar të ardhme më të suksesshme të bujqësisë kosovare. Nuk dihet dot për shifra zyrtare që tregojnë se sa është në republikën tonë numri i krerëve të bagëtive që prodhojnë qumësht, gjedhe, dele dhe dhi, apo se sa është reduktuar, por edhe nëse janë shtuar eventualisht në bazë vjetore produkte si qumështi, mishi apo vezët, si ushqime të domosdoshme dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në mirëushqyerjen e kosovarëve.
Asnjëherë deri më tash, praktikisht nuk është saktësuar zyrtarisht sa janë sipërfaqe të tokës me bukë në Kosovë, as mbjelljet me kultura vjeshtore, ose sa me ato pranverore. Nuk dihen saktësisht as rendimentet mesatare në nivel të vendit, pos sasive të korrurra nga ndonjë fermer individualisht, i cili i shpallë dhe i publikon rendimentet nga të lashtat e tij.
Përvjet, planifikohet formalisht numri i hektarëve të planifikuar për të mbjellë grurë, por më pastaj në asnjë vit nuk janë bërë të ditura sipërfaqet e sakta të kësaj kulture. Kështu, ka ndodhur edhe në mbjelljet e fundit (ato të vitit 2022/2023), kur te publiku dhe mediet defiluan sa e sa shifra me diferenca të mëdha për numrin e hektarëve të mbjellë, për rendimentet dhe për përmbushjen e nevojave të vendit me grurë. Edhe sivjet pra, u bë gruri i diskutueshëm nga plasimi në publik i të dhënave, me dallime të theksueshme të subjekteve që kanë shpërfaqë numra rreth sipërfaqeve dhe hektarëve të mbjellë me grurë në arat kosovare, rreth rendimenteve nga korrje-shirjet e sivjetshme dhe shifrave e përqindjeve rreth përmbushjes së nevojave të popullsisë së Kosovës.
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, në përmbyllje të fushatës së korrje – shirjeve të sivjetshme, ka thënë se niveli i rendimenteve të grurit për këtë vit është rreth 4 tonë për hektar, nga 66 mijë hektarë sa kanë qenë të mbjella. Ai shtoi se nëse kalkulojnë me numrin e popullsisë, ky nivel i grurit mund të mbulojë rreth 70 për qind të tregut vendor. Sipas tij, “këtë vit Kosova ka rekordin e të mbjellave në të gjitha kulturat, posaçërisht në sektorin e drithërave.
“Mbi 66 mijë hektarë janë të mbjella vetëm me grurë, niveli i rendimentit sillen diku afër 4 tonë për hektarë. Në anën tjetër, përfaqësues të asociacioneve të ndryshme dhe të sindikatave plasojnë të dhëna me shifra shumë të vogla edhe të hektarëve të mbjellë, edhe të rendimenteve dhe të përmbushjes së nevojave të popullatës me këtë produkt, madje pati nga ta që theksuan se rendimentet e sivjetshme nuk mjaftojnë as për të përmbushur 40 për qind të nevojave kosovare.
Në këtë mënyrë, për arsyet e sipërpërmendura, por edhe për shkaqet e lidhura me politikat e gabuara, si dhe mungesa e vizioneve për të nxitur zinxhirin e vlerës në shumë nënsektorë të agrarit, bujqësia në Kosovë, ndër vite, nuk ka arritur të formatohet si një sektor me vlerë të shtuar. Për këto arsye, me vite Kosova me parakushtet e mira dhe të favorshme për të qenë një vend i vyer bujqësor, paguan çmime edhe më të larta se të produkteve që vijnë si të importuara nga shtete të largëta. Edhe më tutje, shi për këto arsye, Kosova ka çmimet ndër më të shtrenjtat të bulmetit dhe si rrjedhojë, tregjet tona janë stërmbushur me qumësht dhe produkte të qumështit nga shumë shtete të botës.
Deri kur do të vazhdojë kjo gjendje në bujqësinë e Kosovës mbetet të shihet. Sidoqoftë, kthimi i vëmendjes institucionale siç e meriton agrari edhe në Kosovë dhe siç e ka në gjithë botën normale, do të ishte mirë të bëhet një orë e më parë, përderisa kanë mbetur ende toka për të kultivuar drithëra, perime dhe pemë. /Buletini Ekonomik/