Problemi është krijuar nga falsifikimi enorm i kësaj monedhe dhe plasimin e këtyre parave në tregun financiar të vendit, por edhe nga dyshimet e krijuara nga shumëkush- individë dhe subjekte juridike (shitore tregtare dhe kompani shërbimesh), për falsifikimin e shumtë numerik të kësaj monedhe. Pse BQK-ja po tregohet e papërgjegjshme në parandalimin e parave false në vend?
Mehmet Gjata
Monedha me vlerë dy euro ka shumë kohë, gjatë tërë muajve të 2023-tës po se po, që në Kosovë është bërë problem kronik dhe deri tash, i pazgjidhshëm financiar. Ndërkohë që dihet se sa është e përdorshme në shumë transakcione tregtare, sidomos në shitblerjen me pakicë në Kosovë, por edhe në kryerjen e shumë shërbimeve, në tregjet e vendit.
Problemi është krijuar nga falsifikimi enorm i kësaj monedhe dhe plasimin e këtyre parave në tregun financiar të vendit, por edhe nga dyshimet e krijuara nga shumëkush- individë dhe subjekte juridike (shitore tregtare dhe kompani shërbimesh), për falsifikimin e shumtë numerik të kësaj monedhe. Dhe shi për këtë dyshim, disa herë, në periudha të caktuara në këta muaj është refuzuar në shumë raste së pranuari nga shumë subjekte tregtare dhe shërbyese, por edhe nga qytetarë kosovarë, të ndikuar më shumë nga disa deklarata publike të përfaqësuesve të ndërmarrjeve publike shërbyese që ndodhën kohët e fundit.
Janë të njohura tashmë refuzimet që Kompania Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, që në muajin shkurt të këtij viti i kishte bërë edhe nëpërmjet medieve se “kompania kishte vendosur muaj më parë që të mos e pranojë në asnjë mënyrë monedhën 2 euroshe për pagesë nga klientela për shërbimet që kryen kjo kompani”.
Njësoj, pothuajse kishte vepruar edhe Kompania “Prishtina Parking”, sikundër pak a shumë njëjtë nisën të veprojnë edhe shumë konsumatorë duke refuzuar të marrin kusurin në monedhën dy euro nëpër furra, minimarkete, vetëshërbime e kështu me radhë, duke kërkuar që vlerën prej dy eurosh t’ua japin të ndarë nga një 1 euro.
Dhe, këto zhvillime, në disa raste edhe të pakëndshme fare, rreth problemit të krijuar 2 eurosh, praktikisht që nga fillimi i këtij viti kanë zënë të ndodhin, ose më saktësisht qëkur zyrtarët e kompanive të ndryshme tonat, janë deklaruar për mospranimin e monedhës 2 euroshe si mjet pagese.
Me fjalë të tjera, në mungesë të një njoftimi më kompetent, qoftë edhe me shpjegime më të detajuara, të subjekteve që kanë obligim të monitorojnë qarkullimin e monedhave të falsifikuara, siç janë Banka Qendrore e Kosovës dhe Policia, është e mundshme të ndodhin këto skena. Po të kishte shpjegime të mjaftueshme për falsitetin eventual të kësaj monedhe dhe të tjerave, sikundër edhe të bankënotave eventuale, do të kishte shumë më pak raste të vlerësimit të falsitetit të monedhës nga konduktori, por edhe nga konsumatori dhe qytetari i rëndomtë.
Ndërsa, rasti i veprimit të Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” dhe të ndërmarrjes “Prishtina- Parking”, nga njohës të rrethanave monetare, ishte vlerësuar fare eklatant dhe i pashembulltë në praktikat e deritashme të transaksioneve të pagesave jo vetëm në vendin tonë.
Ta shpallë të papranueshme monedhën zyrtare një kompani ujësjellësi, ose parkingu, në konditat e ekzistimit të institucioneve (BQK-së në radhë të parë) kompetente për mbikëqyrjen e mbarëvajtjes së lëvizjeve monetare dhe parandalimin e parave false, ishte vlerësuar nga profesionistë dhe ekspertë të kësaj fushe, si ‘non-sens’ dhe fare e pakuptueshme dhe e pakapshme në logjikën e funksionimit të një shteti. Sepse, Kosova, siç dihet ka pra institucione kompetente për ta shpallur të papranueshme një monedhe, ka BQK-në, që do të duhej të reagojë dhe ta marrë situatën në dorë, duke evituar urgjentisht anarkinë në këtë fushë. S’ka më anarki se kujt t’i teket të shpallë të papranushme valutën zyrtare të vendit të tij.
Por, Banka Qendrore e Kosovës (BQK-ja) u tregua shumë e papërgjegjshme, madje diletante edhe me rastin e përfundimit të një takimi të mbajtur të hënen (më 7 nëntor 2023), në bashkërendim me Policinë e Kosovës, Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, Doganat e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës, Njësinë e Inteligjencës Financiare, Inspektoratin e Tregut dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, ku në bazë të një komunikate të lëshuar po këtë ditë, iu kushtua sigurisë dhe besueshmërisë së parave dhe sistemit të pagesave në vend, dhe ku pati zotime për të intensifikuar veprimet përkatëse institucionale në luftimin e falsifikimit të parasë.
Siç njoftohet nëpërmjet komunikatës nga ky takim, palët u dakorduan për një plan të veprimit, i cili parasheh ndërmarrjen e veprimeve parandaluese dhe rregullative nga institucionet sipas fushave të përgjegjësisë lidhur me përdorimin e monedhave dhe rritjen e mbrojtjes financiare. Dhe si një nga veprimet e këtij plani veprimi, BQK-ja dhe bashkëpjesëmarrësit e tjerë, me theks të veçantë kanë apostrofuar si veprim parandalues se “udhëzohen qytetarët të shmangin përdorimin e parave të gatshme (veçanërisht monedhën 2 euro) dhe të shfrytëzojnë sa më shumë kartelat bankare gjatë pagesave”.
Dhe, ky udhëzim del të jetë goxha i pakuptueshëm dhe diskutabil, ose kryekëput kozmetik, kur kihet parasysh se ndër qytetarë të Kosovës ka edhe shumë të moshuar, ndër ta edhe 200 mijë pensionistë, që shumë prej tyre nuk ia “kanë haberin” manipulimit me kartela bankare. Ndërsa, BQK-ja do të duhej ta dijë se shmangja e përdorimit të parasë së gatshme, veçanrisht monedhës 2 euro, është e kushtëzuar nga faktet që u thanë më lartë. Prandaj ky udhëzim nuk është hiç zgjidhje dhe më shumë ngjanë në një udhëzim sa për të thënë diçka rreth këtij problemi të shndërruar në kronik tashmë.
Ndërsa, dy-tre masa të tjera në zbatim të planit për parandalimin e parave të falsifikuara, që u parapanë në këtë takim, si ajo e rishikimit të tarifës së depozitimit të monedhave në banka nga BQK, avancimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe sektorin financiar, dhe rekomandimi që bizneset të furnizohen vetëm nga bankat me para të gatshme të cilat furnizohen nga ana e BQK-së, kurse mjetet e pranuara t`i nënshtrohen verifikimit para se të njëjtat të rivihen në qarkullim, praktikisht nuk janë masa të reja.
Edhe pajtimi për të intensifikuar aktivitetet në zbatim të ligjit, për të shtuar kontrollet dhe aktivitetet inspektuese brenda dhe në kufi, si dhe të ndiqen ligjërisht dhe me efikasitet aktivitetet e tilla joligjore, të dënueshme sipas legjislacionit në fuqi, nuk është ndonjë risi. Ato kanë ekzistuar edhe deri më tash, por paratë e falsifikuara, edhe monedha 2 euro, mu para syve të personeleve bankare ka qarkulluar.
Ka ndodhur jo njëherë të deponohen para false në sportelet e bankave të vendit, siç ndodhi të martën më 7 nënor, 2023, ku zyrtari i një banke në Kosovë ka raportuar se në bankë janë deponuar nga një klient 251 monedha nga 2 euro, në vlerë të 502 eurove, që dyshohet se janë të falsifikuara. Prandaj, BQK-ja, duhet pa humbur kohë, ta sfidojë këtë problem, që domosdo ka zgjidhje. Nëse, eventualisht, nuk ka personel të dijshënm dhe të kualifikuar për këtë, nuk është kurrfarë turpi të kërkojë ndihmën dhe suportimin profesionistë nga ata që dijnë ta bëjnë këtë. Ndryshe, do të vazhdojë anarkia në qarkullimin e dy eurove, siç ndodhi që nga shkurti i sivjetshëm. BQK-ja, fundja e ka obligim ligjor të bëjë këtë. Me masa sa për të dhënë, apo me veprime të njëmendta dhe të përgjegjshme. /Buletini Ekonomik/









