Me premtimin se do të luftojë korrupsionin dhe do të qeverisë me duar të pastra, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, mori udhëheqjen në vitin 2021.

Sot, në vitin e fundit të mandatit, zyrtarë të saj kritikohen për “përfshirje në praktika korruptive pa u ndëshkuar”.

Së paku dy ministre janë ose nën hetime, ose në procedura gjyqësore.

Reklama e sponzorizuar

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit thotë, po ashtu, se numri i zyrtarëve publikë, që s’e kanë respektuar obligimin e deklarimit të pasurisë, është rritur në vitin 2024 krahasuar me vitin 2021, ndonëse, ndër vite, është rritur edhe numri i zyrtarëve me këtë obligim ligjor.

Vetë Qeveria e Kosovës, në anën tjetër, thotë se ka bërë “përparim” në luftimin e, siç e cilëson, “problemit të trashëguar”.

Rastet Gërvalla dhe Hajdari

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, është duke u përballur aktualisht me akuzën për mosdeklarim të pasurisë. Muajin e kaluar, ajo u deklarua e pafajshme para Gjykatës Themelore në Prishtinë, por procesi është në zhvillim e sipër.

Në fund të vitit 2022, ndërkaq, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, u dënua me gjobë prej 700 eurosh nga Gjykata Themelore në Prishtinë për shkak të mosdeklarimit të pasurisë.

Hajdari, aktualisht, është nën hetime për keqpërdorim të detyrës në lidhje me rezervat shtetërore.

E ftuar, ditë më parë, nga Prokuroria Speciale e Kosovës për intervistim, Hajdari e mbrojti veten në heshtje.

Si Hajdari, ashtu edhe Gërvalla vazhdojnë t’i kryejnë detyrat ministrore.

E pyetur nga Radio Evropa e Lirë t’i komentojë këto raste, Qeveria e Kosovës tha në një përgjigje me shkrim se shpreh besimin se “hetimet do të vërtetojnë se nuk ka pasur asnjë shkelje apo akt korruptimi”.

Mosdeklarimi i pasurisë

Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në Kosovë, Yll Buleshkaj, thotë se këtë vit janë mbi 130 zyrtarë publikë që nuk e kanë deklaruar pasurinë, ose e kanë bërë këtë jashtë afatit ligjor.

Sipas tij, numri i tyre është rritur për disa fish krahasuar me vitin e kaluar.

Por, thekson Buleshkaj, ngjashëm është rritur edhe numri i zyrtarëve me këtë obligim ligjor – nga rreth 4.900 në vitin 2021, në rreth 11 mijë këtë vit.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai tregon se si ka lëvizur numri i atyre që s’e kanë përmbushur këtë obligim ligjor ndër vite:

“Në vitin 2021 kanë qenë 109 [zyrtarë]. Pastaj, ky numër ka rënë në 61 në vitin 2022 dhe në 38 në vitin 2023. Por, ky numër tani është rritur. I kemi mbi 150 [zyrtarë], të cilët nuk e kanë kryer këtë obligim këtë vit”.

Buleshkaj thotë se ata zyrtarë që e kanë deklaruar pasurinë deri në 15 ditë pas afatit ligjor, do të gjobiten nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, ndërsa të tjerët do të jenë subjekt i kallëzimeve penale.Kjo agjenci e ka tani kompetencën që t’i shqiptojë vetë gjobat, të cilat, sipas Buleshkajt, sillen nga 30 për qind e pagës deri në 500 euro.

Ai thotë se këtë vit nuk ka ende ndonjë kallëzim penal për mosdeklarim të pasurisë, meqë nuk ka nisur ende procesi i verifikimit të të dhënave të mbledhura për 2024-shin.

Duke i komentuar vendimet e gjykatave për 38 rastet e vitit 2023, të cilat i ka pranuar Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, Buleshkaj thotë se vlera e gjobave ka qenë prej 150 euro deri në 1.000 euro, si dhe burgim me kusht nga tre muaj deri në një vit, me kohë për verifikim deri në dy vjet.

“Dështim në tri aspekte”

Mospërmbushja e obligimit ligjor për deklarimin e pasurisë përçon në publik mesazhin për mungesë vullneti për të respektuar ligjin, thotë Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD).

Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka dështuar ta përmbushë premtimin për “qeverisje me duar të pastra” dhe mosdeklarimi i pasurisë paraqet “vetëm një aspekt të këtij dështimi”.

Një aspekt tjetër, thotë ai, është “kultura e pandëshkueshmërisë në rastet kur ministrat përballen me hetime penale ose parapenale”.

“Dhe i treti, e ndoshta edhe më i rrezikshmi, është kur kryeministri Kurti, deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje [partisë në pushtet], ministra… u dalin në mbrojtje personave që kanë qenë të arrestuar për korrupsion, apo subjekt i hetimeve për korrupsion”, thotë Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.

Ai i referohet rastit të ministres Hajdari, atij të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili aktualisht është subjekt i hetimit të Prokurorisë së Kosovës për shmangie tatimi dhe shpëlarje të parave, si dhe rastit të ish-shefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, i cili u arrestua vitin e kaluar nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar.

Hajdari dhe Berishaj vazhdojnë t’i kryejnë detyrat pavarësisht hetimeve, ndërsa Krasniqi, vetëm disa ditë më parë, është liruar nga detyra e drejtuesit të KEK-ut.

Mexhide Demolli, drejtoreshë ekzekutive e Lëvizjes FOL, e cila bën fushatë kundër korrupsionit, thotë se gjatë tre vjetëve të fundit “nuk është parë përmirësimi i premtuar” nga Qeveria e kryeministrit Kurti për luftimin e korrupsionit.

“Vazhdojmë të kemi afera korruptive nga ministra, ambasadorë, zyrtarë të tjerë të kësaj qeverie. Dhe, ajo që vërejmë, është një heshtje totale e kryeministrit Kurti karshi këtyre rasteve”, thotë Demolli për Radion Evropa e Lirë.

Sipas saj, Kurti nuk po e bën atë që ka kërkuar dikur: qeverisje me duar të pastra.

“Kemi rastin e rezervave shtetërore. E keni një ministre, që pavarësisht të gjitha atyre të dhënave që janë publikuar, vazhdon të qeverisë me mandatin e saj. Do të thotë, nuk kemi as suspendim, as largim dhe asgjë”, thotë Demolli.

Para se t’i fitonte zgjedhjet në vitin 2021, Kurti, atëkohë kandidat për kryeministër, tha për gazetën britanike Guardian se duhet një aleancë e re politike për të trajtuar “murin e madh të korrupsionit” në Kosovë.

“Korrupsioni ka qenë i madh, por është shumë i përqendruar në krye. Ne besojmë se mund ta mposhtim. Shumë njerëz predikojnë tregun e lirë, por në praktikë kemi oligarkë, kartela dhe industri të rezervuara për gardën e vjetër”, tha Kurti për Guardian.

Në shënjestër të kritikave edhe nga ndërkombëtarët

Kosova, prej vitesh, është në shënjestër të kritikave të institucioneve dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare për, siç thuhet, nivel të lartë korrupsioni.

Në raportin e fundit të Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në botë, që u publikua javën e kaluar, thuhet se në Kosovë ka pasur “disa raportime për korrupsion në Qeveri” dhe se “zyrtarët, nganjëherë, përfshihen në praktika korruptive pa u ndëshkuar”.

Sipas raportit, në këtë problem kontribuojnë mungesa e mbikëqyrjes efektive gjyqësore dhe dobësia e përgjithshme në sundimin e ligjit.

“Rastet e korrupsionit u nënshtrohen rregullisht apelimeve të përsëritura dhe sistemi gjyqësor shpesh lejon skadimin apo parashkrimin e lëndëve”, vlerësoi DASH-i.

Ai citoi edhe raportimet e disa mediave se Prokuroria Speciale dhe Njësia e Hetimeve Speciale të Policisë së Kosovës kanë hapur hetime penale kundër së paku pesë ministrave dhe dy zëvendësministrave, për vepra të dyshuara të lidhura me korrupsionin, por Prokuroria, e kontaktuar nga REL-i, konfirmoi vetëm rastet e lartpërmendura.

Organizata ndërkombëtare, Freedom House, vlerësoi gjithashtu në raportin e sivjetmë se korrupsioni në Kosovë vazhdon të mbetet çështje shqetësuese.

“Vetë Qeveria Kurti u përball me një skandal korrupsioni në vitin 2023 që përfshinte rezerva shtetërore të pallogaritura, të cilat janë ende nën hetim”, tha, mes tjerash, Freedom House.

Derisa Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk komentoi, Qeveria e Kosovës tha në një përgjigje me shkrim për REL-in se të dyja këto raporte, në fakt, “vënë në pah një problem që është trashëguar me vite”.

Ajo tha se në këto raporte “mund të vërehet progres në drejtim të luftimit të korrupsionit”, por nuk specifikoi më shumë.

Nga Qeveria thanë, gjithashtu, se drafti i strategjisë së re për luftimin e korrupsionit do të dalë së shpejti në konsultim publik.

“Është bërë një punë e gjatë dhe e kujdesshme. Jemi konsultuar me të gjithë aktorët relevantë, në mënyrë që të sigurojmë një proces gjithëpërfshirës, edhe pse strategjia është produkt i Qeverisë dhe duhet të tregojë vizionin e saj në raport me luftimin e korrupsionit”, thuhet në deklaratën dhënë REL-it.

Miftaraj, nga IKD-ja, thotë se një draft për strategjinë e re, e cila përcakton objektivat e institucioneve për ta luftuar korrupsionin, është kundërshtuar nga ky institut dhjetorin e kaluar.

Sipas tij, ai parashihte kontrollin dhe mbikëqyrjen e institucioneve të pavarura, si Gjykata Kushtetuese dhe Organi Shqyrtues i Prokurimit.

“IKD-ja dërgoi rreth dhjetë faqe me komente, me të cilat e kishte dokumentuar qasjen e gabuar të Qeverisë. Fatmirësisht, komentet e IKD-së ishin mbështetur edhe nga partnerët ndërkombëtarë, të cilët e kishin detyruar Qeverinë që ta tërhiqte atë strategji dhe të hartonte një strategji të re”, thotë Miftaraj.

Miftaraj konsideron se Kosova, aktualisht, përballet me mungesë vullneti në dy mekanizma për ta luftuar korrupsionin: në Qeveri dhe në sistemin prokurorial.

Përderisa sistemi prokurorial mbetet i dobët, politikanët e korruptuar motivohen për ta shkelur ligjin, duke llogaritur se mund t’ia hedhin pa pasoja, përfundon Miftaraj. /REL/