PDK, LDK dhe AAK fajësojnë Qeverinë Kurti pasi Kosova shënoi rënie sa i përket lirisë së mediave

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit është publikuar indeksi botëror nga Reporterët pa Kufij, ku Kosova ka shënuar rënie për 19 vende.

Publikimi i këtij raporti ka nxitur reagimin e opozitës, ku edhe fajësojnë Qeverinë Kurti për këtë rënie, transmeton Telegrafi.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka theksuar se e vërteta ka nevojë për gazetarët.

Reklama e sponzorizuar

Ai ka pohuar se Kosova ka humbur 19 vende në indeksin e Lirisë së Shtypit dhe se ky është vlerësimi më negativ ndonjëherë.

“Këtë vit, Kosova ka humbur 19 vende në Indeksin e Lirisë së Shtypit, në raportin e përpiluar nga organizata ‘Reporterët Pa Kufij’ – vlerësimi më negativ ndonjëherë! Presioni në rritje i Qeverisë ndaj mediave të pavarura dhe shënjestrimi i gazetarëve të vendit tonë është kërcënim në rritje për lirinë e shtypit dhe fjalës së lirë”, shkruan Krasniqi.

Mes tjerash, ai ka pohuar se këto veprime të pushtetit janë tregues i një tendence më të madhe, më shqetësuese drejt shtypjes së medias dhe ndërhyrjes politike.

“Shkelje të tilla kërcënojnë parimet themelore të demokracisë dhe heshtin zërat kritikë që janë të nevojshëm për funksionimin e shëndetshëm të shoqërisë dhe shtetit tonë. Gazetarët në Kosovë janë më shumë se vetëm ofrues të lajmeve; ata janë mbrojtës të së vërtetës dhe drejtësisë, shpesh duke vënë në rrezik mirëqenien e tyre. Sigurimi i një ambienti të sigurt, të dinjitetshëm dhe me kushte më të mira të punës për ta duhet të jetë prioritet.

I bëjë thirrje Qeverisë që të ndërpres cenimin dhe përndjekjen e gazetarëve dhe mediave të lira të vendit tonë. Gazetarët duhet të vazhdojnë të punojnë pa frikën e hakmarrjes, censurës ose persekutimit”, vijon reagimi i tij,

Ndaj këtij raporti ka reaguar edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

Ajo thotë se raporti është alarm për secilin që jeton në Kosovë.

“Rënia e Kosovës për 19 vende më poshtë në raportin e ‘Reporterëve pa Kufij’ është alarm për secilin njeri që jeton në Kosovë. Lufta e pushtetit ndaj medias është programore, e orkestruar për t’i dëmtuar raportimet dhe zbulimin e skandaleve korruptive të Qeverisë”, ka shkruar Bajrami.

Bajrami thotë se nuk ka asnjë dyshim që Vetëvendosje është kundër mediave.

“Evidentimi i gjendje së mediave në Kosovë nga ‘Reporterëve pa Kufij’ është konfirmim i asaj që kemi thënë prej ditës së parë të ardhjes së Vetëvendosjes në pushtet. Tashmë s’ka askush asnjë dyshim se Vetëvendosje është kundër mediave, është kundër secilit që mendon ndryshe, është kundër bizneseve, është kundër qytetarit”, ka theksuar Bajrami.

Kurse, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj thotë se sunduesve i pengon liria e shprehjes, liria e mediave.

“Mbrojtja e gazetarëve dhe medias së lirë është ndër parimet e panegociueshme dhe është obligim institucional e shoqëror ta ruajmë dhe avancojmë këtë segment të lirisë sonë! Sot në Ditën Botërore të Lirisë së Mediave, reflektojmë mbi rëndësinë e lirisë së fjalës dhe lirisë së medias”, shkruan Haradinaj.

Tutje, në reagim ai ka pohuar se “shqetësues mbetet qasja e eksponentëve të pushtetit me sulmet e orkestruara që i bëjnë mediave dhe tendenca për kontroll ndaj tyre, duke shënuar regres alarmant sa i përket lirisë së medias, i vërtetuar edhe nga raportet e institucioneve kredibile ndërkombëtare”.

“Qëndrojmë krah medias, në mbrojtje e respekt ndaj fjalës së lirë”, përfundon reagimi i tij./Telegrafi/