Ka fare pak investime në Kosovë në gjithë këto vite, prandaj Kosova ka edhe zhvillim të papërfillshëm ekonomik në raport me shtetet e zhvilluara të Europës, por edhe me shtetet e varfëra të rajonit.
Buletini Ekonomik
Investimet në Kosovë, edhe ato të huajat edhe investimet kapitale, si sivjet, si vjet, e edhe në shumë vite më herët, nuk po realizohen as sipas premtimeve të autoriteteve, as sipas parashikimeve, dhe aq më pak sipas nevojave që ka Kosova e varfër. Me fjalë të tjera, ka fare pak investime në Kosovë në gjithë këto vite, prandaj ka edhe zhvillim të paktë ekonomik, ka shtim të papërfillshëm të të punësuarve, ka varfëri dhe ka ikje goxha të madhe të popullsisë nga atdheu i tyre, madje po shihet se ka edhe ikje jashtë Kosovës të kapitalit dhe të parasë nëpërmjet investimeve direkte jashtë Kosovës.
Përfaqësues të opozitës kosovare, që vrojtojnë dhe përcjellin më detajisht zhvillimet ekonomike, madje zëshëm e përsërisin se “po bëhen katër vjet që pothuajse nuk kemi asnjë investitor të madh serioz të jashtëm që bënë investime në Kosovë. Dhe, Kosova tani është shndërruar në një vend që ka pasur sfida të zhvillimit”. Pavarësisht tendencave të tejdukshme opozitare për të politizuar edhe sektorin e investimeve në vend dhe për të ngarendur për ta sulmuar me fakte dhe pa to Qeverinë e Kurtit, është e vërtetë e madhe se investimet në përgjithësi, edhe ato të huajat edhe investimet kapitale kanë ngecje edhe sivjet, edhe vjet edhe në shumë vite më herët. Thjesht, ka fare pak investime në Kosovë në gjithë këto vite, prandaj Kosova ka edhe zhvillim të papërfillshëm ekonomik në raport me shtetet e zhvilluara të Europës, por edhe me shtetet e varfëra të rajonit.
Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), vlera e investimeve direkte në Republikën e Kosovës deri në fund të muajit maj 2024, ka arritur saktësisht në 341.22 milionë euro, që paraqet një rritje prej 10 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, por përqindje kjo që flet se vjet në të njëjtit muaj ka qenë edhe më keq sa i përket investimeve direkte. Ndërsa, po sipas BQK-së, vlera e investimeve direkte jashtë Republikës së Kosovës (lexo; bartje e kapitalit të Kosovës jashtë vendit, qoftë të kompanive, apo individëve të ndryshëm) për këtë periudhë ishte 84.14 milionë euro.
Në anën tjetër, bilanci tregtar në mallra në korrik të 2024-tës shënoi deficit në vlerë 495,9 milionë euro, i cili është për 11, 5 % më i lartë, sipas të dhënave të ASK-së, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Eksporti për këtë muaj (korrik) edhe pse shënoi vlerë ndjeshëm të rritur (diku 85,9 milionë milionë euro), sërish mbeti shumë larg vlerës së importit (në korrik importi ishte 581,8 milionë euro), duke mbetur njëkohësisht deficit kolosal i bilancit tregtar të mallrave në vend. Ndërkohë, çështja qëndron ndjeshëm më keq te investimet kapitale, te projektet e planifikuara kapitale, ku siç raportohet, në gjysmën e parë të vitit, vetëm disa ministri kanë lëvizuar paksa te investimet e parashikuara kapitale për vitin 2024, ndërkohë që shumë ministri të Qeverisë aktuale kanë ngecur totalisht te përmbushja e objektivave të investimeve kapitale. Ose, më konkretisht, sipas raportit gjashtëmujor të buxhetit të përgatitur nga Ministria e Financave, të cilin e kanë raportuar mediet e vendit, vetëm ministria e Mbrojtjes dhe Zyra e Kryeministrit kanë arritur ta shpenzojnë buxhetin e planifikuar për investime kapitale për këtë periudhë, përkatësisht 52 dhe 82%. Të gjitha ministritë e tjera kanë huqur pashembullt te këto investime.
Këto janë të dhëna që mezi ka pritur t’i zhfrytzojë opozita për t’i cilësuar në çdo rast ku iu ka dhënë mundësia, si dështime të Qeverisë. Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, një nga kritikët më të ekspozuar opozitar ka kritikuar qeverinë aktuale së fundi, duke thënë se “ka dështuar në implementimin e projekteve të mëdha ekonomike”. Sipas tij, “veprimet e Qeverisë Kurti kanë qenë të pakta dhe larg çdo standardi për përmirësimin e kushteve në sektorët kyç. As projektet që janë lënë në gjysmë nga qeveritë kaluara nuk kanë shkuar përpara”.
Hoti në një intervistë për medie tha se të ardhurat për kokë banori kanë rënë rreth 67 për qind krahasuar me vitet e kaluara.
“Në vitet e kaluara së paku kemi qenë jo vendi fundit për nga varfëria në Evropë, sigurisht kemi qenë në pjesën e poshtme të renditjes për shkak trashëgimisë që kemi si ekonomi. Por, në tre vitet e fundit në veçanti, në bazë të dhënave të Bankës Botërore, ka shkuar ende më poshtë mesatarja e të ardhurave për kokë banori në Kosovë krahasuar edhe me regjionin”.
Hoti ka potencuar për të satën herë se “po bëhen katër vjet që pothuajse nuk kemi asnjë investitor të madh serioz të jashtëm që bënë investime në Kosovë”. Sido që të jetë, nga të dhënat që vijnë nga shtete të rajonit, shihet se atje ka zhvillime imponuese ekonomike, ka goxha investime të huaja, ka flukse financiare.
Të dhënat nga Banka e Shqipërisë, bie fjala, tregojnë se vlera e investimeve të huaja direkte në Shqipëri arriti në 395.3 milionë euro në tremujorin e dytë të vitit, nga 381.6 milionë euro që ishin në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja vjetore vlerësohet në 3.4%. ose në gjysmën e parë të këtij viti shihet se vlera e përgjithshme e investimeve të huaja direkte vlerësohet në 749.8 milionë euro, që është një rritje me rreth 8 për qind, krahasuar me periudhën janar-qershor të vitit 2023, kur ky tregues vlerësohej në 693.5 milionë euro. Madje, sipas të dhënave të medieve shqiptare, vlera e investimeve të huaja direkte përgjatë gjashtë muajve të parë të vitit, ka shënuar rekord nëse e krahasojmë me të njëjtën periudhë të viteve të kaluara. Ndërsa, po sipas të dhënave zyrtare, ndikimin më të madh në rritjen e investimeve e kanë patur rritja e fitimeve të riinvestuara nga ndërmarrjet e huaja.
Duhet thënë se edhe shifra e investimeve direkte prej 341.22 milionë euro në periudhën janar – qershor të këtij viti zvetnohet dukshëm dhe bie nga vlera, kur dihet se në këtë shumë parash investuese janë dominuese investimet në patundshmëri, respektivisht në blerjen e banesave nga mërgata kosovare dhe aty-këtu ndonjë toke. Pra, edhe sivjet, sikundër edhe në shumë vite të tjera të pasluftës, sektori i patundshmërisë ka vazhduar të mbetet më atraktivi dhe më i rëndësishmi për investime të huaja dhe gjithnjë ka qenë ndërmjet 60 deri në 80 për qind të gjithsej IHD-ve. Sektorët e tjerë me kontribut në rritjen vjetore të investimeve direkte, por që janë ndjeshëm nën hijen e patundshmërive, janë sektori i aktiviteteve financiare dhe të sigurimit, si dhe sektori i ndërtimtarisë. Ndërkohë, dihet se investimet në patundshmëri (në blerjen e banesave dhe të lokaleve), qoftë edhe me paranë e ardhur nga jashtë, nuk e kanë efektin as të përafërt të zhvillimit ekonomik, të gjenerimit të kapitalit, të krijimit të vendeve të punës dhe të rritjes reale të zhvillimit ekonomik.
Prandaj, po të analizohen më detajisht investimet e huaja direkte në Kosovë, nuk dalin të jenë edhe aq rezultative dhe të efektshme, megjithë shifrat goxha të larta të apostrofuara. Shi për këtë, dalin të jenë diskutabile edhe këto shifra për investime të huaja. Sepse, në Kosovë, në këta muaj të 2024 – tës, ende nuk ka ndonjë njoftim për ndonjë investim të vlershëm kapital, për ndërtimin e ndonjë kapaciteti prodhues që do të gjeneronte vende të reja pune, apo për ndonjë partneritet serioz publiko-privat të rëndësishëm për ekonominë e vendit. Sido që të jetë, investimet në përgjithësi, pra edhe ato kapitale, edhe investimet e huaja direkte, edhe ato në projekte industriale dhe energjetike, në këto vitet e pasluftës kanë qenë goxha minimaliste, për të mos thënë thuaja se të reduktuara, ose, në një farë mënyre të dështuara, të papërmbushura në asnjë objektiv. /Buletini Ekonomik