Numri i blegtorëve në bjeshkët e Deçanit po bie nga viti në vit

Në bjeshkët e Deçanit, blegtorët ende kujdesen për bagëtinë dhe me fanatizëm i ruajnë traditat e kamotshme, veçse numri i atyre që sot numërojnë tufë delesh është shumë i vogël krahasuar me vitet e më parme.

Në bjeshkët e Belegut në të cilën dikur blegërimat e bagëtive i jepnin jetë e gjallëri këtij vendi, tani gjendja është krejt ndryshe. Në këto hapësira të pafund me kullosa të pasura e ujë të bollshëm, nuk ka më shumë se dy tufë delesh.

Kështu shprehet blegtori Shkëlzen Ferizi nga Kodralia e Deçanit, tufa e të cilit ka mbi 100 dele.

Reklama e sponzorizuar

“Ja kam nis prej një deleje brenda vitit i kam bë nja 40-50 krerë, ndërsa sot i numëroj 100 krerë në kopenë time. Këtu kalojmë shumë mirë, bile kur je me to e merresh me dele kënaqsia më e madhe e jetës sime është kjo. Këtu është vetëm një problem se banorë kemi shumë pak”, thotë ai.

Sipas Ferizit kjo veprimtari është shumë fitimprurëse, përderisa bën thirrje që sa më shumë njerëz të merren me blegtori.

“Ju lutna ju bëj apel që sa më shumë me u marr me blegtori. Nuk është e thënë që vetëm me dele por edhe me lopë. Edhe ju bëj apel të rinjve mos ta lëshojnë vendin, unë një rrogë të Gjermanisë e nxjerri me to në muaj. Edhe bëj sefa n’vendin tim pa u përzie askush me ngrënë e me pi çka t’më donë shpirti edhe një rrogë t’gjermanit që shkon e punon një djalë i ri një muaj ditë i merr 1.200 euro, unë i nxjerr këtu, edhe jam shef n’punë time, jam zotni n’pune time”, thotë Ferizi

“Jemi te blegtori nga Kodralia që fatkeqësisht është i vetmi blegtor në këtë territor të bjeshkës së Blegut ku kullosat janë me kapacitete shumë të mëdha dhe fati i tij që këto dy tre mijë hektarë i vetëm i shfrytëzon me bagëtinë e vet. Përpara këtë territor le të themi e kanë mbisunduar mbi 3000 krerë ndërsa sot janë vetëm 100 sosh”, thotë Bajram Çeku, zyrtar në DBZHR në Deçan.

Edhe në bjeshkën e Baballoqit gjendja është e njëjtë. Nuk ka as njerëz e as bagëti si dikur, thotë Adem Mataj një tjetër fermer në këto anë.

“Përpara janë mbushë stanet me banorë, ka pas fëmijë , dhenë, lopë, blegtoria ka qenë në kulm. Unë këtu jam që nga 15 qershori mendoj të rri  deri kah 25 gushti se kushtet janë të tilla që s’po mundem më gjatë të rri”thotë Metaj.

Në bjeshkët e Deçanit janë mijëra hektarë me pyje dhe kullosa shumë të pasura dhe me kushte klimatike jashtëzakonisht të volitshme për kultivimin e blegtorisë.