Pas hulumtimit të Buletinit Ekonomik, deputetja Bajrami kërkon hetime nga Prokuroria në sektorin e energjisë

Hykmete Bajrami

Pas hulumtimit në seri të Buletinit Ekonomik, ka reaguar deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, duke i cilësuar si skandal gjetjet dhe duke kërkuar përgjegjësi të menjëhershme nga KOSTT dhe ZRrE.

“KOSTT dhe ZRrE duhet të mbahen përgjegjës për skandalin e shpërfaqur dje në Buletini Ekonomik. Dmth. e faktuar: transportin e energjisë që tregtari e ka ble vetëm 1.11 Euro për MWh na është faturu neve me 798.32 Euro. A po e kuptoni se bëhet fjalë vetëm për transportin e energjisë, jo për energjinë?”, ka shkruar Bajrami në facebook.

Sipas saj, këto janë arsyet pse në katër vitet e fundit, çmimi i energjisë në vend është rritë 128%.

Reklama e sponzorizuar

“Veç mendojeni, janë këta ”profesionistë të pavarur” që caktojnë çmime për energjinë që ne detyrohemi t’i paguajmë. Këto janë arsyet pse në katër vitet e fundit, çmimi i energjisë në vend është rritë 128% dhe pse 200 prodhues vendor e 1100 kompani shërbyese e tregtare, janë duke u shty drejt mbylljes ose rritjes së çmimeve. Shihni Ligjin për Energjinë Elektrike, drejtëpërdrejtë përgjegjës janë KOSTT dhe ZRrE. Prokuroria ose tash ose kurrë”, shtoi ajo.

Ne hulumtimin në dy pjesë, ku trajtohet Zyra e Ankandeve në Podgoricë (SEECAO), janë shpërfaqur shpërputhje enorme mes çmimit me të cilin u blenë kapacitetet ndërkufitare nga tregtarët dhe çmimit me të cilin ia shitën këtë shërbim KESCO-s.

Në raste, çmimi vetëm për bartje të energjisë elektrike shkoi deri në 800 euro për MWh, derisa linjat nga tregtarët ishin blerë me çmim 1.11 euro për MWh.

Buletini Ekonomik në këto hulumtime, ndër të tjera, ka konstatuar me fakte se në muajin dhjetor 2024, çmimi për bartjen e një megavati nga Mali i Zi drejt Kosovës përmes kompanisë Noa Energy Trade, shkoi deri në 798.32 euro.

Lexoni hulumtimin e plotë të Buletinit Ekonomik:

Përmes NOA-s, KESCO-s i kushtoi deri në 800 euro vetëm për ta sjellë 1 megavat rrymë në Kosovë

Sipas të dhënave që dalin nga SEECAO, kompanitë “EFT” dhe “Noa Energy Trade”, janë dy kompanitë që i kanë zotëruar linjat e transmisionit mes Malit të Zi dhe Kosovës gjatë vitit 2024.

Këto dy kompani, në të dhënat e publikuara në uebfaqen e SEECAO-s, shihet se i kanë blerë kapacitetet e transmisionit nga Mali i Zi drejt Kosovës përmes ankandit vjetor, por ato dominojnë edhe te ankandet mujore dhe ato ditore.

Në SEECAO, çmimi për kapacitete te ankandet vjetore për vitin 2024, është 1.11 euro për megavat/orë. Të ankandet mujore, nga të gjithë muajt e vitit 2024, çmimi nuk shkon në asnjë rast mbi 5 euro. Të njëjtat çmime për kapacitete janë edhe nëse analizohen ofertat e tregtarëve në SEECAO gjatë këtij viti. Por, ajo që ndodhi në raport me KESCO-n gjatë vitit 2024, përbën anomali në vete.

Në muajin dhjetor 2024, çmimi për bartjen e një megavati nga Mali i Zi drejt Kosovës përmes kompanisë Noa Energy Trade, shkoi deri në 798.32 euro. Kjo kishte ndodhur saktësisht më 24 dhjetor – mes orëve 10:00 të mëngjesit dhe orës 16:00 të pasdites. Për gjashtë orë rresht atë ditë, KESCO pagoi nga 798.32 euro për ta sjellë një megavat në Kosovë nga Mali i Zi përmes NOA-s.

Sasia e energjisë në të cilën u zbatua ky çmim është 200 megavatë për secilën orë, që në total KESCO-s, këto 6 orë i kushtuan pak mbi 1 milion euro vetëm për transport të energjisë. /Buletini Ekonomik/

Lexo edhe:

‘Gjurmët’ në SEECAO ‘vulosin’ bashkëpunimin e NOA-s me EFT-n e Vuk Hamoviçit