“Dy termocentrale të reja me nga 500 megavatë dhe hidrocentrali i Zhurit – zgjidhja e vetme për sigurinë energjetike të Kosovës”

Për gjendjen aktuale elektroenergjetike në Kosovë, Lazër Krasniqi, një nga drejtorët e vlerësuar shumëvjeçar në ish-Elektroekonominë e Kosovës (KEK-u i sotëm), në një intervistë të gjatë për Buletinin Ekonomik, fajëson keqmenaxhimin dydekadësh nga ndërkombëtarët dhe vendorët, “me kuadro jorelevante në lëmin e energjetikës, të cilët e avancuan korrupsionin në funksionimin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës-KEK”. Krasniqi mendon se dy termocentrale të reja me nga 500 MW dhe hidrocentrali i Zhurit, do të ishte zgjidhja e vetme për sigurinë energjetike të Kosovës në të ardhmen.

Agon Sinanaj

Lazër Krasniqi, një nga drejtorët e vlerësuar shumëvjeçar në ish-Elektroekonominë e Kosovës (KEK-u i sotshëm), që udhëhoqi suksesshëm dhe me autoritet për vite të tëra ish-Distribucionin (1980-1990), në një intervistë të gjatë me shkrim, ka folur “pa dorëza” për gjendjen aktuale në sektorin elektroenergjetik të Kosovës, shkaqet që sollën krizën energjetike dhe ka paraqitur pikëpamjet e vizionet e tij për sigurinë energjetike të Kosovës.
Krasniqi, i cili tani jeton në Opati të Kroacisë, për gjendjen aktuale që në ditë të caktuara shprehet me kolaps energjetik, fajëson keqmenaxhimin në periudhën 1999-2025 nga ndërkombëtarët dhe vendorët, duke i vlerësuar kuadrot që kanë menaxhuar si “persona jo relevantë në lëmin e energjetikës, të cilët e avancuan korrupsionin në funksionimin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës-KEK”.
Sipas tij, të gjithë ata që e drejtuan sektorin e energjisë nga paslufta, “kontribuan në kolapsin energjetik në Kosovë me pasoja afatgjata në zhvillimin e ekonomisë dhe duke shkaktuar trauma në jetën e popullatës së Kosovës”.
Krasniqi thotë se faktori ndërkombëtar ka korruptuar energjetikën e Kosovës, sidomos në periudhën 1999-2010 kur ka avancuar kolapsi energjetik në Kosovë. Ai përmend rastin e Xho Trashlerit, njeriu i parë në KEK nga ndërkombëtarët në këto vite i dënuar 3 vjet e gjysmë burg për korrupsion në KEK.
Lazër Krasniqi mendon se rekomandimet e faktorit ndërkombëtar, sidomos për të stopuar investimet në prodhimin e energjisë elektrike me qymyr nuk kanë bazë ligjore në Kosovë. “Ata (ndërkombëtarët) kanë tjera burime primare për prodhim të energjisë elektrike (nafta, gazi etj) dhe kanë interesa tjera globale në këtë drejtim”, thotë Krasniqi.
Sipas tij, në një periudhë afatgjate, e vetmja alternativë, është avancimi në ndërtimin e objekteve prodhuese të energjisë elektrike nga burimet primare të Kosovës.
“Dy termocentrale secila nga 500 MW të bazuara në qymyr dhe hidrocentrali i Zhurit me kapacitet 315 MW, dhe sipas mundësive financiare nga sektori privat të bëhet ndërtimi i kapaciteteve për prodhimin e energjisë së rinovueshme”, thotë në këtë intervistë Lazër Krasniqi.
Intervistën e plotë me Lazër Krasniqin mund ta lexoni në vazhdim:
Buletini Ekonomik: Z. Krasniqi, situata e sotme elektroenergjetike nga ekspertë të energjisë dhe tash edhe nga akterë institucional përshkruhet si para një kolapsi energjetik. Disa për gjendjen e krijuar e fajësojnë KEK-un për mungesë prodhimi dhe, të tjerë, KESCO-n e KEDS-in për mungesë të investimeve në Rrjetin e Shpërndarjes e importe të shtrenjta. Në anën tjetër, çdo vit vijnë kërkesa të reja nga operatorët për shtrenjtim të energjisë elektrike. Sipas jush, pse erdhëm në këtë gjendje, ose siç thuhet, para “kolapsit energjetik”?
Lazer Krasniqi: Kosova ka 10887 km2 territor, rreth 2 milionë banorë, disponon me resurse të energjisë primare për furnizim me energji elektrike për mbi 500 vite me mbi 10 miliard ton thëngjill, sipas vlerësimeve të institucioneve relevante shkencore. Sot, Kosova gjindet në kolaps energjetik apo të funksionimit të sistemit elektroenergjetik. Me sistemin elektroenergjetik të Kosovës nga 1999-2025, kanë keqmenaxhuar ndërkombëtar e vendor, kryesisht persona jorelevantë në lëmin e energjetikës, duke e avancuar korrupsionin në funksionimin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës – KEK. Funksionimi optimal i sistemit elektroenergjetik të Kosovës – furnizimi i rregullt i ekonomisë dhe popullatës së Kosovës me energji elektrike sot varet nga importi i energjisë elektrike.
Duhet përkujtuar kryeministrat e Republikës së Kosovës nga 1999-2025, z. Bajram Rexhepi, z. Ramush Haradinaj, z. Agim Ceku, z. Bajram Kosumi, z. Hashim Thaci, z. Isa Mustafa, z. Abdullah Hoti dhe ministrat menaxhues të energjetikës z. Ethem Qeku, zonjën Justina Pula, z. Besim Beqaj, z. Fadil Ismajli, z. Blerim Kuqi, z. Valdrin Lluka, jo vetëm që nuk kanë njohuri elementare për energjetikë apo funksionimin optimal dhe eksploatimin optimal të sistemit elektronergjetik të Kosovës, por me emërime të menaxhmenteve që keqmenaxhuan KEK-un (Fatos Aliu, Pranvera Dobruna, Fadil Ismajli, Arben Gjuka etj), përveç jo profesional, disa edhe të korruptuar (disa – Fadil Ismajli, janë në hetime dhe procedura gjyqësore për korrupsion, për fat të keq jo të gjithë), kanë kontribuar në kolapsin energjetik në Kosovë me pasoja afatgjata në zhvillimin e ekonomisë dhe trauma në jetën e popullatës së Kosovës.
Duhet konstatuar se faktori ndërkombëtar i korruptuar në energjetikën e Kosovës, sidomos në periudhën 1999-2010 ka avancuar kolapsin energjetik në Kosovë (Xho Trashler i dënuar 3.5 vite për korrupsion në KEK).
Këtë situatë e ka trashëguar kryeministri Albin Kurti dhe ministrja Artane Rizvanolli, dhe nuk po reflektojnë me suksese në menaxhimin e energjetikës, funksionimin optimal të sistemit elektroenergjetik të Kosovës.
Duhet konstatuar që faktori vendor me përkrahje të faktorit ndërkombëtar, në periudhën 1999-2010, pesë herë më kanë përjashtuar nga puna 1999-2010, edhe se kam qenë menaxher i suksesshëm i funksionimit të sistemit elektroenergjetik në periudhën 1980-1990, me asnjë orë reduktime, dhe KEK-u eksportues më i avancuar i energjisë elektrike në regjion me mbi 1 miliard kwh/vit. Duhet konstatuar se “faktori njeri është kyç në kolapsin elektroenergjetik në Kosovë dhe korrupsionin në KEK”.
Buletini Ekonomik: Z. Krasniqi, si i vlerësoni rekomandimet e fundit të G20-shit, tashmë fare të ditura rreth “Jo”-së së fortë për të investuar në energjinë e prodhuar nga qymyri? Si do t’i përballojë Kosova këto restriksione dhe përkufizime shumë sfiduese për vendin tonë, aq më parë kur dihet se edhe për shumë vjet te ne qymyri do të jetë burimi qenësor për prodhimin e energjisë elektrike?
Lazër Krasniqi: Faktori ndërkombëtar, sidomos G20 (më të pasurit), dhe rekomandimet për jo investime në prodhimin e energjisë elektrike me qymyr, nuk kanë bazë ligjore me reflektu në Kosovë. Ata kanë tjera burime primare për prodhim të energjisë elektrike (nafta, gazi etj) dhe kanë interesa tjera globale në këtë drejtim. Siç dihet, Gjermania është duke u rikthy në prodhimin e energjisë elektrike nga qymyri. Kosova, tani për tani, edhe për dekada do të varet nga energjia primare, pra nga qymyri.
Buletini Ekonomik: Kemi nevoja gjithnjë në rritje për energji elektrike, konsum të shtuar sidomos gjatë dimrave dhe pikut. Në anën tjetër gjithë këto restriksione nga bota, nga shtetet e fuqishme financiare dhe nga institucionet monetare ndërkombëtare për ta stopuar qymyrin dhe karbonin. Si do të gjindet Kosova karshi këtyre ndalesave dhe kërkesave për energji të pastër? Ku duhet të fokusohet urgjentisht Kosova e varfër?
Lazër Krasniqi: Së pari, çdo instritucion financiar bankar vendor apo ndërkombëtar, për prodhim të energjisë elektrike nga burimet primare të një vendi kanë interes të lartë për financim, pavarësisht nga cili burim primar – thëngjilli etj. Normal duhet avancuar garancione shtetërore. Prandaj nuk qëndron vlerësimi se qendrat e forta financiare apo institucionet monetare do reflektojnë me restriksione në prodhimin e energjisë elektrike nga qymyri në Kosovë. Kuptohet duhet së pari garancione nga shteti.
Buletini Ekonomik: Çka duhet të bëjë Kosova në një periudhë afatshkurtër dhe çka në periudhë më të gjatë kohore për të pasur rrymë për konsumatorët e vet?
Lazër Krasniqi: Me konstatimin se nga 1985 deri më sot, në Kosovë nuk kemi ndërtuar objekte serioze për prodhimin e energjisë elektrike, ndërsa prej 1999 e deri më sot, nga 300 mijë konsumatorë kemi arritur në mbi 500 mijë konsumatorë. Thjesht nga keqmenaxhimi dhe korrupsioni në sistemin eletroenergjetik, e kemi këtë kolaps energjetik. Në një periudhë afatshkurtër, duhet avancuar përgjegjësinë e KEDS-it dhe KOSTT-it për mosrealizim të kontratave me konsumatorët për kyçje në rrjetet e tyre, dhe mosfurnizim të rregullt me energji elektrike sipas kontratave për shitblerje dhe pëlqimeve elektroenergjetike për konsumatorë komercial dhe amvisëri. Çdo konsumator, kontribuon me pagesë për fuqinë e angazhuar, sipas pëlqimit elektroenergjetik dhe furnizuesi ka obligim të sigurojë fuqinë e angazhuar sipas kontratës. Pra në një periudhë afatshkurtër, duhet definuar përgjegjësinë e KEDS-it dhe KESCO-s për furnizim të rregullt të konsumatorëve me energji elektrike, sipas kontratave, pavarësisht nga prodhimi vendor apo importi.
Reduktimet e tanishme të energjisë elektrike nga KEDS dhe KOSTT si mbingarkesë në rrjetin e tyre, nuk justifikohen, pasi konsumatorët kanë kontribuar financiarisht për fuqi të angazhuar me kontratë, dhe të njëjtit kanë obligim që këtë ta reflektojnë në ndërtimin e rrjetit.
Buletini Ekonomik: A ka fuqi financiare Kosova që ta financojë vet, me para vetanake deri në vitin 2050, kur nuk do të ketë më thëngjill, prodhimin e energjisë elektrike nga qymyri? Ose më konkretisht, a ka Kosova potencë financiare për rehabilitimin rrënjësor të termocentraleve Kosova B dhe të rindërtimit eventual të Kosovës A, apo duhet doemos edhe në mungesë të energjisë së rinovueshme kushtimisht për një kohë të gjatë të importojë mungesat e energjisë elektrike?
Lazër Krasniqi: Rehabilitimi i termocentraleve Kosova A dhe B, janë financiarisht të mbuluara nga të ardhurat e shitjes së energjisë elektrike dhe intervenimi nga shteti.
Buletini Ekonomik: Në një intervistë të mëhershme për media keni përmendur ndërtimin edhe të dy njësive të termocentralit Kosova B – Kosova B3 dhe Kosova B4, secila nga 500 MW, si dhe keni përmendur ndërtimin e hidrocentralit të Zhurit me kapacitet 300 MW. A e shihni këtë zgjidhjen e vetme për sigurinë energjetike të Kosovës në dekadat e ardhshme? Sipas jush, kah duhet të fokusohet me përparësi Kosova, kah rehabilitimi/ndërtimi i termokapaciteteve energjetike, apo kah ndërtimi i kapaciteteve të energjisë së rinovueshme?
Lazër Krasniqi: Në një periudhë më afatgjate, e vetmja alternativë, është avancimi në ndërtimin e objekteve prodhuese të energjisë elektrike nga burimet primare të Kosovës. Dy termocentrale, secila nga 500 MW me bazë në qymyr dhe hidrocentralin e Zhurit me kapacitet 315 MW, dhe sipas mundësive financiare nga sektori privat ndërtimi i kapaciteteve për prodhimin e energjisë së rinovueshme.
Edhe njëherë po e theksoj, faktori njeri është kryesori për zhvillimin e sistemit elektroenergjetik për vendin me pasuri të burimit primar si Kosova. Nëse vazhdohet me keqmenaxhim të funksionimit dhe eksploatimit të sistemit elektroenergjetik si deri më tani, varshmëria nga importi në funksion të korrupsionit, do të reflektojë me kolaps energjetik në Kosovë.
Për dy vite, po ta menaxhoja sistemin elektroenergjetik të Kosovës, në një periudhë afatshkurtër, do të avancoja fillimisht në eliminimin e territ dhe atë me import të kufizuar, ndërsa në një periudhë afatgjate, do të shkoja me ndërtimin e objekteve elektroenergjetike nga burimi primar (qymyri). Njëherit do të avancoja kuadra profesionale të mirëfillta në lëmin e energjetikës. Ne kemi ekspertë të shkëlqyeshëm në prodhim të qymyrit dhe energjisë elektrike, në bartje, distribucion, por për menaxhimin e sistemit elektroenergjetik nuk kemi ekspertë të verifikuar.
Mendoj se Qeveria e Kosovës duhet të fokusohet në avancimin e ligjeve për energjetikën e Kosovës, në përcaktimin e përgjegjësve në menaxhimin e funksionimit të sistemit elektroenergjetik të Kosovës, dhe duke e shpallë inekzistente-jo ligjore kontratën për shitblerje të Distribucionit Elektrokosova, dhe të rikthejë energjetikën e Kosovës në një korporatë energjetike, me përgjegjësi dhe interes shtetëror. Nuk shoh zgjidhje tjetër.
Buletini Ekonomik: Po burimet e tanishme të identifikuara si të mundshme të energjisë së rinovueshme sa janë konkretisht në shifra, dhe si të tilla po qe se shfrytëzohen të gjitha potencialet (turbinat e mundshme me erë, panelet solare dhe minihidrocentralet ekzistuese) sa mund të kishte prodhuar Kosova energji të rinovueshme në këto rrethana? A besoni se ka vërtetë Kosova potencial për energji nga burime të ripërtëritshme?
Lazër Krasniqi: Burime të energjisë elektrike të rinovueshme në Kosovë me kapacitet të instaluar mbi 250 MW, dhe me prodhim të energjisë elektrike nga to vetëm 2000 orë në vit, nuk reflektojnë si zgjidhje.
Prandaj Kosova me një territor prej 10887 km² dhe mungesë të sipërfaqeve për bujqësi, nuk ofron potencial serioz për prodhim të energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme, as në aspektin e arsyeshmërisë financiare, apo në prodhim serioz vjetor të energjisë elektrike.
Buletini Ekonomik: Pse ekziston gjithë kjo shpërputhje ndërmjet fuqisë së instaluar dhe mundësisë së prodhimit real të kapaciteteve të prodhimit të energjisë së ripërtëritshme, qoftë të parqeve me erë, qoftë të centraleve solare?
Lazër Krasniqi: Shpërputhja ndërmjet fuqisë së instaluar dhe mundësisë reale të prodhimit të kapaciteteve të prodhimit të energjisë elektrike të ripërtëritshme është se këto burime shfrytëzimin e kanë mesatarisht 2000 orë në vit, ndërsa viti ka 8760 orë, prandaj prodhimi është 3,5 herë më i vogël se prodhimi nga termocentralet me qymyr, të cilat shfrytëzimin e kanë mesatarisht 7000 orë në vit.
Do të thotë, një njësi e termocentralit Kosova B me kapacitet 330 MW, prodhon 2,2 miliardë kWh, ndërsa nga solaret apo era me 330 MW kapacitet prodhimi është 660 milionë kWh apo 3,5 herë më pak, dhe atë herë po e herë jo, varësisht nga dielli apo era. Kështu nuk shoh perspektivë apo siguri në burimet e ripërtëritshme, solare apo me erë. Por çdo realizim i tyre nga sektori privat, kontribuon, por nuk është zgjidhje serioze afatgjate.
Buletini Ekonomik: A ka ndonjë shpresë për mundësinë eventuale për aktivizimin e ndonjë hidrocentrali më të fuqishëm për nga kapaciteti, apo mundësitë për ndonjë termocentral me gaz?
Lazër Krasniqi: Kosova nuk ka kapacitete serioze për ndërtimin e hidrocentraleve për prodhim të energjisë elektrike, përveç hidrocentralit të Zhurit. Ndërsa, nga burimet për prodhim të energjisë elektrike nga burimet primare jo vendore si nafta, gazi etj, nuk ka garancion për furnizim të qëndrueshëm, nuk ka siguri në çmimin e tyre dhe kërkon infrastrukturë të shpërndarjes së energjisë elektrike deri te konsumatori.
Bashkëpunimi i Shqipërisë me potencialin e energjisë primare të ripërtëritshme të ujërave, solare, erës, dhe Kosovës me energji primare nga thëngjilli duke reflektuar në një kompani energjetike të përbashkët, është alternativa e vetme në zgjidhjen afatgjate të funksionimit optimal të sistemit elektroenergjetik të Shqipërisë dhe Kosovës në furnizim të rregullt të popullatave të dy vendeve me energji elektrike. Përmes këtij bashkëpunimi, do të avancohej zhvillimi ekonomik i të dyja vendeve.
Eventualisht ndërtimi i një elektrane nukleare 1000 MW në bashkëpunim Shqipëri-Kosovë, është zgjidhje e mundshme për funksionimin optimal të sistemit elektroenergjetik mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Buletini Ekonomik: Krejt në fund, po i kthehemi zhvillimeve të fundit në sektorin e energjisë në Kosovë, konkretisht kërkesat e vazhdueshme për shtrenjtim të çmimit të energjisë elektrike. Si i shihni këto kërkesa nga operatorët KESCO/KEDS? Në pesë vitet e fundit, tri herë është shtrenjtuar energjia elektrike në Kosovë. Pritet të ketë kërkesa të reja për shtrenjtim edhe sivjet. Në një intervistë të mëhershme keni thënë, citoj: “Nëse KEK-u nuk ka kërkesë për rritjen e çmimit si prodhues, të tjerët nuk kanë të drejtë për rritjen. Rritja e çmimit të energjisë elektrike me sistem tarifor 15-30%, nëse nuk ka kërkesë nga KEK-u, është proces korruptiv nga pjesëmarrësit e kërkuesit, importuesit dhe lejuesit e rritjes së çmimit të energjisë elektrike”. Pse mendoni se është proces korruptiv, meqë Furnizuesi (KESCO) arsyetohet me importin e shtrenjtë gjatë kohës së dimrit në mungesë të mbulimit të kërkesës nga prodhuesi (KEK-u)?
Lazër Krasniqi: Sistemi tarifor i energjisë elektrike rregullon marrëdhëniet ndërmjet prodhuesit, bartësit, shpërndarësit me konsumatorët. Pas shitjes apo faljes së Distribucionit Elektrokosova nga lidershipi i Kosovës (emrat dihen) dhe faljes së hidroelektranave distributive afaristëve nga Turqia dhe garancionit për KEDS-n për pranim të çmimit të importit, iu hap rruga KEDS-it dhe KESCO-s për kërkesa të reja për rritje të çmimit të energjisë elektrike.
Çmimi prej 26.3 milionë euro për shitjen e Distribucionit afaristëve nga Turqia dhe falja e hidroelektranave distributive, është jo vetëm kriminale e korruptive, por edhe tradhti kombëtare, duke e rrezikuar sigurinë kombëtare, me mbi 500 mijë konsumatorë me shpenzim 2,5 milionë euro në ditë. Vetëm pikat matëse të mbi 500 mijë konsumatorëve janë 500 milionë euro, ndërtesa afariste 50 milionë euro, kurse Rrjeti 0,4.10,20,35 kv – 500 milionë euro. E gjithë kjo pasuri e ndërtuar nga populli nga viti 1929 deri më 2013 të shitet për vetëm 26.3 milionë euro, tregon se çfarë niveli i krimit është realizuar nga lidershipi vendor.
Tani, kërkesat për rritje të çmimit të energjisë elektrike nga KEDS-i e jo paraprakisht nga KEK-u si prodhues i energjisë elektrike dhe lejimi nga ZRRE-ja, është kriminalitet në funksion të korrupsionit në import të energjisë elektrike. Me bilancin elektroenergjetik, ndër të tjera, parashihet eksporti apo importi i energjisë elektrike. Kontratat për eksport dhe import avancohen para aprovimit të bilancit elektroenergjetik dhe aprovohen nga Qeveria apo ZRrE-ja në fillim të vitit. Importi ad-hoc gjatë vitit, me qëllim jo sipas bilancit elektroenergjetik, pra jo me kontrata vjetore, reflekton me korrupsion të kontraktuesve apo ndërmjetësuesve.
Në fund, kolapsi i tanishëm energjetik, nuk është i rastësishëm. Konsumi deri në 1400 MWh në raport me prodhimin vendor deri në 800 MWh, nuk është dicka e panjohur, prandaj është dashur me kohë të kontraktohet energjia elektrike nga importi, e jo import ad-hoc me çmime enorme korruptive.
Vetëm me lidership – menaxhment profesional, guximtar, të verifikuar, do të avancohej funksionimi optimal i sistemit elektroenergjetik të Kosovës, dhe tejkalohet kolapsi i tanishëm energjetik i Kosovës. /Buletini Ekonomik/