Rritja drastike e çmimeve në Kosovë sinjalizon thellim të krizës sociale

Kriza e krijuar nga ngritja brutale e çmimeve në Kosovë, e nxitur nga çmimet enorme të rritura të naftës pas nisjes së luftërave në Lindjen e Mesme, siç po shihet, po tregohet e ashpër dhe e vrazhdë, dhe si e tillë është pashmangshëm prodhuese e problemeve të shumta të ndërlikuara në ç’ekuilibrimin e madh të paqes sociale dhe në rënien e mirëqenies së kosovarëve të varfër.


Buletini Ekonomik

Sado që ekonomistët dhe njohësit e zhvillimeve në sektorin e çmimeve në Kosovë vlerësojnë të sigurt se pasojat e vërteta të krizës nga shtrenjtimi i çmimit të naftës, ato reale dhe me ndikim në mirëqenien e qytetarëve dhe ç’ekuilibrimin e madh të paqes sociale, do të shpërfaqen muaj më vonë, këto pasoja po duken dhe po preken që tani, edhe këtyre ditëve. Sipas të dhënave zyrtare, çmimet u rritën për 6.7 për qind në mars të këtij viti, krahasuar me marsin e vitit të kaluar. Njëkohësisht, inflacioni në muajin mars ka shënuar një rritje vjetore prej 6.7 për qind krahasuar me marsin e vitit të kaluar. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), rritje të ndjeshme të çmimeve janë shënuar në një vistër të gjerë produktesh dhe shërbimesh, ndërsa çmimet e rritura që patën ndikim më të theksuar në nivelin e çmimeve të ngritura, sipas apostrofimit të ASK-së, janë sektori i transportit (shërbimet që lidhen me pajisje të transportit personal, që kanë shënuar rritje 42.5 për qind), furnizimi me ujë (dihet ngritja mbi 40 për qind e çmimit të ujit në Kosovë muaj më parë), shërbimet që lidhen me banimin, gjithsesi karburantet me çmimet e shkuara në stratosferë pas luftërave në Lindjen e Mesme. Ndikim të padiskutueshëm në përmasat e inflacionit në mars, ndër më të lartit në Europë dhe në rajon, patjetër që patën çmimet e ngritura të produkteve ushqimore dhe të atyre elementare të përditshme.

Reklama e sponzorizuar

Duhet thënë se të dhënat e ASK-së për ngritjen e çmimeve dhe të shkallës së inflacionit në muajin mars i kontestojnë dhe i bëjnë të diskutueshme ekonomistët dhe ekspertët e ecurive të çmimeve, me bindjen e shpërfaqur se ngritja e çmimeve dhe shkallës së inflacionit në muajin mars në Kosovë ka qenë më e lartë se sa ajo e paraqitur nga të dhënat e ASK-së. Me këtë rast, ata numërojnë një varg produktesh me çmime ndjeshëm më të larta se sa ato të paraqitura në raportin e statistikanëve zyrtarë të vendit, siç bie fjala çmimi i mishit, pemëve, perimeve, produkteve të qumështit, që kanë shënuar një rritje të vazhdueshme dhe që janë në shpërputhje me statistikat zyrtare, përkatësisht janë goxha më të larta se sa ato të paraqitura nga ASK-ja.

Këto çmime të ngritura papashikueshëm dhe vrullshëm që nga nisja e luftës SHBA, Izrael kundër Iranit dhe ndodhjes së krizës brutale nga çmimet e ngritura të naftës, që tani po reflektojnë pasoja të shumta. Dhe po dëshmohet se shtetet e varfra, siç është Kosova, do ta kenë më të vështirë përballimin e pasojave të krizës së çmimeve të naftës për shkak të mungesës së parasë, mospasjes së mundësive financiare për të ndërhyrë në stopimin e trendit të rritjes së çmimeve zinxhir, për shkak të mungesës së produkteve ushqimore të prodhuara në vend dhe importeve të kushtëzuara të tyre, e kështu me radhë.

Kriza e krijuar nga ngritja brutale e çmimeve në Kosovë, e nxitur nga çmimet enorme të rritura të naftës pas nisjes së luftërave në Lindjen e Mesme, siç po shihet, po tregohet e ashpër dhe e vrazhdë, dhe si e tillë është pashmangshëm prodhuese e problemeve të shumta të ndërlikuara, të pasuara zinxhir nga ngritja zinxhir e çmimeve pas ngritjes enorme të çmimeve të naftës këtyre ditëve. Sipas të gjitha zhvillimeve, përmasat e krizës aktuale të çmimeve kanë tejkaluar ndjeshëm pasojat që kishte shkaktuar kriza e ndodhur e naftës në periudhën 2002–2008 dhe po duket të jetë që tani edhe shumë më e ashpër se krizat e shkaktuara nga ngritja e çmimeve e vitit 2022, e shkaktuar nga nisja e agresionit të Rusisë në Ukrainë dhe të krizave të tjera afatshkurtra të deritashme. Gjithsesi, pasojat e krizës janë më shumë të shpërfaqura në shtetet e varfra, ndërsa, siç paralajmërojnë ekonomistët, këto pasoja do të shtohen dhe do të jenë më të rënda në muajt në vazhdim, nëse zgjat lufta në Lindjen e Mesme. Ekspertë madje parashohin se edhe rikuperimi i pasojave do të jetë shumë i gjatë, edhe nëse lufta përmbyllet së shpejti.

Në Kosovë, në këto ditë krize, vështirë se mund të frenojë ndokush ngritjen enorme dhe në shumë raste të egër të çmimeve të shumicës së produkteve, e sidomos të atyre të domosdoshme për mbijetesë. Ndaljen e rritjes zinxhir të çmimeve në këto ditë krize, siç parashikojnë njohësit e zhvillimeve ekonomike, nuk mund ta bëjë as Ligji për çmimet tavan, i miratuar këto ditë nga institucionet vendimmarrëse të vendit. Ndërkohë, ulja e TVSH-së dhe e akcizës, e kërkuar nga shumë eksponentë, sidomos nga ata nga radhët e subjekteve opozitare, është shpallur hë për hë thuajse e papranueshme nga Qeveria, edhe pse në shumë vende të botës janë ulur akciza dhe TVSH-ja.

Me fjalë të tjera, edhe në Kosovë rritja e çmimit të naftës, e shkaktuar nga lufta në Lindjen e Mesme, vazhdon ta ketë efektin e pandalshëm zinxhir në treg, duke ngritur në qiell çmimet e shumë produkteve, edhe të atyre bujqësore, kryesisht të importuara aktualisht. Prandaj, që tani në tregun e vendit kanë zënë të tejkalohen dhe të thyhen rekorde të çmimeve të shumë produkteve, sidomos të atyre ushqimore të importuara.

Çmimet e ngritura në këto nivele në Kosovë po dëshmojnë se kostoja e jetesës në vend është bërë thuajse e barabartë me nivelet e shteteve anëtare të BE-së, ndërkohë që pagat dhe pensionet kanë ngecur në nivelet ndër më të ulëtat në Europë dhe më gjerë. Paga mesatare në Kosovë vijon të jetë më e ulëta në rajon dhe ky fakt e bën edhe më të ndjeshme rritjen e çmimeve.

Ndërkohë, pasojat akoma më të rënda nga ngritja e çmimeve në stratosferë, siç paralajmërojnë njohësit e zhvillimeve në fushën e ecurive të çmimeve, kosovarët, sikundër shumica e vendeve të prekura nga kjo krizë, do t’i ndiejnë dhe do t’i përjetojnë në muajt e mbase edhe vitet në vazhdim. Ekonomistët druajnë se pasojat e çrregullimit dhe lëkundjes aktuale të paqes sociale do të shihen më pas në Kosovën e varfër financiarisht dhe pa politika e strategji të mbrojtjes sociale të qytetarëve të vet. Do ta kenë gjithsesi më të vështirë mbijetesën, si pasojë e kaosit të krijuar nga ngritja në qiell e çmimeve, sidomos shtresat e varfra të vendit, që janë numerikisht të shumta. Do të shtohen përmasat e varfërisë në vend dhe do të minimizohen mundësitë për ndërhyrje institucionale për të zbutur pasojat e ngritjes së çmimeve. /Buletini Ekonomik/