Me 5 vota për Komisioni për Ekonomi ka miratuar në parim Projektligjin për Energjinë, i cili sipas Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, synon të rrisë mbrojtjen e konsumatorëve dhe të përafrojë sektorin me standardet e Bashkimit Evropian, raporton Ekonomia Online.
Rizvanolli tha se projektligji i ri është më i qartë dhe më i detajuar se ai aktual, duke vendosur theks të veçantë te të drejtat e qytetarëve dhe bizneseve.
“Projektligji i ri për energjinë është një ligj që është më i qartë e më i detajuar sesa ligji që e kemi aktualisht dhe që tregon saktësisht se si funksionon sektori i energjisë në Kosovë, por edhe shumë me rëndësi, çfarë të drejtash kanë qytetarët. Ndryshe nga ligji aktual, që është hartuar në përputhje me pakon e tretë të energjisë dhe vendos vetëm rregullat bazë për organizimin dhe funksionimin e sektorit, ky projektligj i ri, përveç që mbulon çështjet ekzistuese, ka në fokus kryesor të drejtat dhe mbrojtjen e konsumatorit, duke sqaruar më mirë çështje konkrete që janë me shumë interes për qytetarët dhe bizneset. Ky projektligj ka karakter kornizë dhe përcakton parimet dhe strukturën e përgjithshme të sektorit të energjisë, ndërsa rregullimi i detajuar i aktiviteteve specifike zhvillohet përmes ligjeve sektoriale dhe akteve nënligjore të miratuara nga institucionet kompetente. Pra, një nga këto ligje specifike që e përmenda është edhe ai për energjinë elektrike, të cilin do ta pranoni sot si Kuvendi i Republikës së Kosovës. Ky ligj është i hartuar në përputhje me acquis të Bashkimit Evropian dhe transpozon pjesërisht Direktivën për rregullat e përbashkëta për tregun e brendshëm të energjisë elektrike, Rregulloren për tregun e brendshëm të energjisë elektrike dhe Rregulloren BE mbi qeverisjen e Unionit të Energjisë dhe veprimit për klimën”, tha ajo.
Diskutimi për këtë çështje është shoqëruar me kritika nga deputetët e opozitës për centralizim të kompetencave dhe cenim të rolit të rregullatorit.
Debati u zhvillua gjatë pyetjeve që Shala kishte ndaj ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ndërsa në përgjigje ndërhyri deputetja e VV-së, Rozeta Hajdari.
“Po t’i sqarojmë. Unë, prej përvojës si ish-Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, njoftoj që, sikurse rregullatori që është organ i pavarur, edhe ministria në rastin ekzekutiv, ka pasë departamente për analiza, departamente politikëbërëse për analiza, departamente legjislative për shqyrtimet e atyre analizave, për hartim të politikave, sepse unë e kam gjetë atë ministri pa asnjë politikë sektoriale dhe në fund ka ardhë në kabinet për miratim”, tha ajo.
Ndaj kësaj deklarate reagoi deputeti Shala, i cili kritikoi punën e saj gjatë kohës sa ishte ministre.
“Po po më vjen keq që po të them. Shembull i ministrisë suaj nuk janë këtu, jemi duke folur për ministren. Shembulli juaj me të thënë të drejtën, është shembull i keq”, tha ai.









