Hapet thirrja për grante: Deri në 25 mijë euro mbështetje për investime në energji të pastër

Panele solare dhe turbinat me erë

Ministria e Ekonomisë ka hapur Fazën e II-të të thirrjes publike për përkrahjen financiare të Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme (NMVM) në kuadër të Skemës së Granteve për Energji të Pastër – Faza II, me një buxhet total prej 880 mijë eurosh.

Skema synon të mbështesë sektorin privat në investime që kontribuojnë në tranzicionin energjetik, rritjen e efiçiencës së energjisë, përdorimin e burimeve të ripërtëritshme dhe uljen e kostove operative të bizneseve.

Të drejtë aplikimi kanë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme që kanë aktivitet parësor ose dytësor në sektorin e prodhimit dhe përpunimit, si dhe kompanitë që operojnë në tregun e liberalizuar të energjisë elektrike dhe zhvillojnë aktivitete në këta sektorë.

Skema zbatohet përmes tri thirrjeve të veçanta, të cilat mbështesin investime në fusha të ndryshme të energjisë së pastër:

  • Masa 1 – Mbështetje për instalimin e sistemeve të energjisë solare dhe sistemeve të baterive për ruajtjen e energjisë elektrike;

  • Masa 2 – Mbështetje për zbatimin e masave të efiçiencës së energjisë në ndërtesat e bizneseve;

  • Masa 3 – Mbështetje për pajisje që reduktojnë konsumin e energjisë në linjat e prodhimit.

Bizneset mund të aplikojnë për secilën nga tri masat individualisht, me një mbështetje maksimale deri në 20 mijë euro për secilën masë. Ndërkaq, Masat 1 dhe 2 mund të kombinohen secila me Masën 3, por në këto raste vlera totale e grantit nuk mund të tejkalojë 25 mijë euro.

Afati për aplikim është i hapur deri më 27 korrik 2026. Aplikimet dorëzohen përmes platformës eKosova, ndërsa udhëzuesit për aplikim, dokumentacioni i nevojshëm dhe informacionet shtesë janë të publikuara në faqen zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë.

Projekti zbatohet nga Ministria e Ekonomisë (ME), në bashkëpunim me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) dhe Agjencinë e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor (LuxDev).

LEXO EDHE:

Ministrja Kusari-Lila u bën thirrje bizneseve të raportojnë çdo tentativë mashtrimi gjatë procesit të granteve