Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se rritja e çmimit të biletave fizike të Trafikut Urban është pjesë e strategjisë së Komunës për të inkurajuar përdorimin e pagesave digjitale, duke theksuar se qytetarët që paguajnë përmes aplikacioneve ose SMS-së do të vazhdojnë të përfitojnë tarifa më të favorshme.
Sipas Ramës, ndryshimi i çmimeve prek vetëm biletat që blihen me para në dorë, ndërsa përdoruesit e kuletës digjitale dhe të pagesave përmes SMS-së do të paguajnë pothuajse të njëjtën tarifë si më parë.

Ai ka bërë të ditur se Komuna e Prishtinës po vazhdon procesin e modernizimit të transportit publik, duke investuar në sisteme bashkëkohore të pagesës dhe në zgjerimin e flotës së autobusëve.
Rama ka njoftuar se autobusët e rinj do të jenë të pajisur me teknologji për pagesa pa kontakt, duke u mundësuar udhëtarëve të paguajnë me telefon mobil ose kartelë bankare.
Sipas tij, aktualisht janë në funksion 24 autobusë të rinj, ndërsa në periudhën e ardhshme flotës do t’i shtohen edhe 20 autobusë të tjerë. Objektivi i Komunës është që Trafiku Urban të ketë mbi 100 autobusë të rinj.
Nga sot kanë hyrë në fuqi edhe tarifat e reja të udhëtimit. Bileta fizike për një udhëtim kushton 80 centë, ndërsa ajo digjitale 60 centë. Ndërkohë, bileta ditore fizike është rritur në 1.20 euro, ndërsa përmes SMS-së ose kuletës digjitale kushton 1 euro.
Më shumë:









