Qeveria në detyrë themelon “Fondin e Konfiskimit” për të hyrat nga pasuria e konfiskuar

Mbledhje e Qeverisë

Qeveria në detyrë ka miratuar vendimin për themelimin e “Fondit të Konfiskimit”, një llogari e dedikuar që do të shërbejë për pranimin dhe evidentimin e të hyrave të krijuara nga konfiskimi i pasurisë me vendime gjyqësore të formës së prerë.

Vendimi është marrë në mbledhjen elektronike të Qeverisë, ndërsa sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Ministria e Financave është autorizuar të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për hapjen e kësaj llogarie në kuadër të Llogarisë së Vetme të Thesarit.

Sipas ekzekutivit, “Fondi i Konfiskimit” do të përdoret ekskluzivisht për pranimin dhe regjistrimin e të hyrave që burojnë nga konfiskimi i pasurisë, në rastet kur ekziston vendim i formës së prerë i gjykatës.

Në të njëjtën mbledhje, Qeveria në detyrë ka miratuar edhe Raportin e Konsoliduar Vjetor për Funksionimin e Sistemit të Kontrollit të Brendshëm të Financave Publike në subjektet e sektorit publik për vitin 2025. /Buletini Ekonomik/