Gruri i sivjetshëm, cilësor dhe pa përmbajtje lagështie

Është shumë e rëndësishme që megjithë periudhat e gjata me reshje të shirave, gruri sivjet është cilësor dhe nuk përmban lagështi përtej standardeve të lejuara.

Buletini Ekonomik

Sivjet, pos rendimenteve të sasisë së grurit nga arat e fermerëve kosovarë, që tashmë kanë tejkaluar të gjitha parashikimet, dhe për çka po flitet me entuziazëm edhe nga zyrtarët, nga mullisët dhe nga bujqit e vendit, është për t’u veçuar edhe cilësia e këtij produkti bujqësor. Sipas shumicës së fermerëve, të cilët tashmë kanë korrur grunajat e tyre, edhe në Rrafshin e Dukagjinit, edhe të Kosovës, cilësia e grurit sivjet, është e mirë dhe ajo duket edhe në pamje të parë.

Është shumë e rëndësishme që megjithë periudhat e gjata me reshje të bollshme të shirave, gruri sivjet nuk përmban lagështi përtej standardeve të lejuara.

Një nga mullistët e komunës së Podujevës, i ka thënë dje Buletinit Ekonomik se e gjithë sasia e grurit të grumbulluar tashmë, por edhe ajo që nga ora në orë përditë po vie në sillosët e mullirit të tij, “është mjaftueshëm e pjekur dhe e tharë” dhe lagështia që përmbanë gruri nuk ka kaluar ende normat e parashikuara. Kjo është një ndihmesë e madhe për mullisët, por edhe për fermerët, pasiqë nuk ka ndodhur që të kthehet ndonjë sasi gruri të sivjetshëm si pasojë e përmbajtjes së lagështisë, ndërsa fermerët nuk kanë pasur nevojë të merren me tharjen e grurit.

Reklama e sponzorizuar

Në këtë mënyrë, mullinjtë, anë e kënd Kosovës, praktikisht këtyre ditëve, qëkur ka filluar fushata e korrje-shirjeve, janë vërshuar nga automjetet transportuese të fermerëve, dhe po bëjnë çmos për të kënaqur kërkesat e bujqve në procesin e pranimit të të korrave të sivjetshme.

Në shumë mullinjë të anës së Llapit, po dërgohet sasi e madhe gruri, megjithë faktin se edhe në këto anë, një sasi e konsiderueshme e prodhimit të drithërave të bardha, tradicionalisht ruhet në shtëpi, për nevojat familjare.

“Nuk ka orar pune tani në mulli. Gjithë ditën jemi të mobilizuar dhe në gatishmëri që t’i kënaqim kërkesat e fermerëve, të mos presin asnjë çast në dorëzimin e grurit. Në rast të kërkesave, punohet edhe në orët e natës”, ka thënë pronari i një mulliri në komunën e Podujevës. /Buletini Ekonomik/