Rexhepi: Çmimet e naftës po bien globalisht, ulja do të reflektohet edhe në Kosovë

Çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare po tregojnë tendencë stabilizimi dhe rënie pas rritjeve të shkaktuara nga agresioni rus dhe sanksionet ndërkombëtare, tha ekonomisti Sejdi Rexhepi për Ekonomia Online.

Sipas tij, çmimet e naftës varen nga kërkesa e tregut global dhe faktorët gjeopolitikë. “Pas kufizimeve të prodhimit nga Rusia, vendet e tjera kanë rritur prodhimin, duke mbyllur hendekun dhe stabilizuar tregun,” theksoi ai.

Rexhepi shtoi se vitet 2024–2025 karakterizohen nga stabilizim dhe rënie e lehtë e çmimeve, ndikuar nga rritja e ofertës dhe përdorimi i energjive alternative, sidomos në industrinë e automobilave.

Reklama e sponzorizuar

Ai pret që kjo tendencë të reflektohet edhe në Kosovë, megjithëse efekti nuk është i menjëhershëm. “Ndërmjetësit mund të kenë rezerva me çmime më të larta, por institucionet duhet të sigurojnë që rënia globale të pasqyrohet edhe në tregun tonë,” theksoi ekonomisti.