Jetesa e padinjitetshme e varfanjakëve të Kosovës

Në varfërinë reale në Republikën tonë, ndikim të madh ka disproporcioni i madh ndërmjet të ardhurave (parave në dispozicion të kosovarëve shumicë) dhe çmimeve të larta, sidomos të produkteve të ushqimeve elementare, që një numër sish tejkalojnë çmimet në shumë shtete të pasura të Europës. Çka tregojnë të dhënat nga hulumtimet e shumta të asociacioneve ndërkombëtare dhe të vendit për nivelin e varfërisë në Kosovë?

Mehmet GJATA

Në Kosovë ka shumë varfëri, dhe ç’është më keq, Kosova po varfërohet përditë e më shumë. Sado që nuk ka të dhëna më të reja për nivelin e varfërisë reale dominuese në vend (për numrin e familjeve që nuk kanë para për shpenzime për konsum të domosdoshëm ditor dhe në periudha më të gjata), ka shumë të dhëna – edhe nga institucionet zyrtare të vendit, edhe nga ato ndërkombëtare financiare – që flasin për varfërinë reale në Kosovë.

Reklama e sponzorizuar

Në varfërinë reale në Republikën tonë ndikim të madh ka disproporcioni i madh ndërmjet të ardhurave (parave në dispozicion të kosovarëve shumicë) dhe çmimeve të larta, sidomos të produkteve të ushqimeve elementare, që një numër sish tejkalojnë çmimet në shumë shtete të pasura të Europës.

Një studim i mëhershëm i Institutit “Musine Kokalari” në Prishtinë ka treguar se vetëm 20 për qind e pagave në Kosovë i plotësojnë standardet për një jetë të dinjitetshme (me 1.152 euro neto në muaj), që i nevojiten një familjeje me katër anëtarë. Po të bëhej tani një studim i ngjashëm, kush e di sa do të dilte përqindja e pagave për një jetë të dinjitetshme.

Një hulumtim tjetër, i bërë gjatë gushtit të sivjetshëm nga “Valicon”, ka treguar se “40% e konsumatorëve në Kosovë mendojnë se cilësia e jetës sot është më e keqe se sa para vitit 2020”, thuhet ndër të tjera në një hulumtim të “Valicon”.

Hulumtimi i “Valicon”, përveç Kosovës, ka përfshirë edhe Slloveninë, Kroacinë, Bosnjën, Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Në hulumtim, ç’është e vërteta, shtohet se në pothuajse të gjitha tregjet, më shumë konsumatorë ndjejnë se cilësia e jetës së tyre është “më e keqe” sesa “më e mirë”. Ndërsa inflacioni mbetet shqetësimi kryesor në të gjithë rajonin.

Por, nivelet më të larta të shqetësimit janë regjistruar në Kosovë (70%), Maqedoni të Veriut (70%), Bosnjë e Hercegovinë (69%) dhe Kroaci (68%).

Edhe në edicionin e 26-të të Përmbledhjes së Pulsit Publik, një program i UNDP-së, i bërë publik muaj më parë, varfëria (me 16.6%), papunësia (16.3%) dhe çmimet për furnizimet thelbësore (12.7%) u regjistruan si tre çështjet – shqetësimet kryesore të kosovarëve, duke nxjerrë kështu në pah në këtë anketë të opinionit të Pulsit Publik perceptimin për këtë problem që tashmë, që nga paslufta, nuk i shqitet Kosovës.

Rritja e çmimeve në Kosovë ngulmoi sidomos nga viti 2022, dhe praktikisht nga ky vit çmimet në Kosovë vetëm janë ngritur – madje egërsisht dhe jashtë çdo logjike të tregut – për të arritur sot nivelin e çmimeve të shumë produkteve, sidomos të atyre elementare ushqimore dhe të higjienës, në nivelet e shumë shteteve të Perëndimit (Gjermani, Francë, Itali etj.).

Ndërkohë, paga mesatare në Kosovë ka ngelur në 552 euro neto (bruto 639 euro), ndërsa ajo minimale vazhdon të jetë 350 euro. Në këtë mënyrë, një shumicë e madhe e kosovarëve vlerësohen të jenë të varfër dhe të detyruar të mbijetojnë duke bërë jetë të padinjitetshme.

Edhe shumë të dhëna të tjera tregojnë se Kosova sot është realisht e varfër – është më e varfëra në rajon. Eurostat ka kohë që mat edhe varfërinë subjektive, që është një fushë e re studimi e krijuar për të plotësuar treguesit tradicionalë të varfërisë, si p.sh. rreziku për të qenë i varfër, mungesa e rëndë materiale dhe sociale, apo jetesa në familje ku pothuajse askush nuk është i punësuar. Ky është një tregues që mat perceptimin personal të njerëzve mbi aftësinë për të përballuar shpenzimet e përditshme, ndryshe nga varfëria relative që matet në bazë të të ardhurave.

Po të matej edhe në Kosovë varfëria subjektive, do të dilnin rezultate trishtuese dhe tronditëse të varfërisë.

Sido që të jetë, edhe në periudhën nëntëmujore të këtij viti (2025), shkalla e varfërisë në Kosovë ka mbetur theksueshëm e lartë dhe shqetësuese. Kjo e dhënë vihet re te Bruto Produkti i Brendshëm (BPB), nga të ardhurat për frymë, nga mirëqenia e kosovarëve, nga shtresat numerikisht të shtuara që kërkojnë ndihma sociale, dhe nga numri i kosovarëve që përditë ikin nga vendi i tyre.

Kosova, siç dihet, edhe në vitin e shkuar ishte renditur sërish nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) si shteti më i varfër i Evropës më 2023, bazuar në të ardhurat për frymë, që maten duke llogaritur fuqinë blerëse – një tregues real se sa vlerë ka paraja për banorët e një vendi.

Të ardhurat për kokë banori, sipas FMN-së, në Kosovën e renditur të fundit në Evropë më 2023, ishin saktësisht 15.6 mijë dollarë ndërkombëtarë. Shqipëria, që FMN-ja në Pasqyrën Ekonomike Globale 2023 e ka ranguar të parafundit për nga varfëria, ka 19 mijë dollarë ndërkombëtarë për frymë, ndërsa ndër shtetet e rajonit, të vlerësuara thuajse të gjitha ende të varfra nga FMN-ja, pasojnë: Bosnjë e Hercegovina me 19.6 mijë dollarë ndërkombëtarë, Maqedonia e Veriut 21.1 mijë, Serbia me 25.4 dhe në krye të rajonit vijon të qëndrojë Mali i Zi, me 27.6 mijë dollarë ndërkombëtarë.

Ndërsa, për të pasur një pasqyrë më të përafërt të domethënies së këtyre shifrave në varfërinë e një shteti, duhet bërë e ditur se mesatarja e Europës është gati 50 mijë dollarë ndërkombëtarë për kokë banori.

Edhe treguesi tjetër direkt i përcaktimit të varfërisë së një vendi, ai i Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë, të cilin Kosova në vitin 2023 e kishte 5.600 dollarë, po kështu e rendit të fundit Kosovën (mesatarja e BPB-së në BE është rreth 26 mijë euro për kokë banori).

Në këtë mënyrë, Kosova vazhdon të jetë ndër vendet e fundit në Europë, si për të ardhurat për frymë në raport me madhësinë e ekonomisë, ashtu edhe për të ardhurat në raport me fuqinë blerëse. Dihet se fuqia blerëse është një tregues i mirëqenies materiale të familjeve.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, një njohëse e mirë e zhvillimeve ekonomike dhe sociale të vendit, në një status të vetin në rrjetet sociale ka vijëzuar një raport të “World of Statistics”, sipas të cilit Kosova është vendi më i varfër në Evropë pas Ukrainës.

“Sipas ‘World of Statistics’, Kosova është vendi më i varfër në Evropë pas Ukrainës, e cila tash e dy vjet e gjysmë është në luftë me Rusinë”, ka thënë Bajrami.

Sipas të dhënave statistikore, të bëra publike në disa raste edhe nga “Buletini Ekonomik”, në fund të 2023-s nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 20 mijë e 379 familje me rreth 80 mijë anëtarë.

Në të gjitha komunat e Kosovës, statistikat e varfërisë janë alarmuese. Sipas statistikave nga ASK, nga skema e pensioneve bazike të moshës janë rreth 150 mijë përfitues; nga skema e pensioneve kontributpaguese të moshës janë 48 mijë e sa përfitues; nga skema për veteranët e luftës janë rreth 36 mijë përfitues; nga skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara janë afërsisht 20 mijë përfitues.

Të gjitha këto kategori janë potencialisht varfanjakë, po qe se nuk kanë ndonjë ndihmë nga familjarët (fëmijët apo ndonjë i afërm tjetër). Pensionistët kosovarë, sidomos ata me pension të pleqërisë që në Kosovë është 120 euro në muaj, janë më të goditurit nga varfëria.

Shumica e tyre, nëse nuk kanë ndonjë ndihmë nga familjarët, thjesht nuk mund të dalin të jetojnë me pensionet e tyre minimaliste dhe që janë për keqardhje. Ata nuk kanë mundësi të ushqehen si duhet, nuk kanë mundësi të blejnë barnat e domosdoshme, nuk kanë mundësi të pijnë një kafe me kolegët, ndërsa për ndonjë pushim eventual as që mund të bëhet fjalë.

Por varfëria në Kosovë ka prekur edhe njerëz të tjerë, të kategorive të ndryshme, si dhe ekonomi familjare të shumta numerikisht. Këto fakte dhe shifra pasqyrojnë drejtpërdrejt gjendjen sociale aktuale në Kosovë (që pak a shumë, me pak ndryshime, është e ngjashme tani e 25 vjet).

Ndërsa zyrtarët e Republikës, tani në këtë situatë të ngërçit politik që po zgjat thuajse që nëntë muaj, në mungesë të institucioneve më të rëndësishme të vendit, kanë preokupime krejtësisht të tjera. Ngarendja për pushtet e tyre ka vendosur në margjina qytetarët e shumtë varfanjakë.

Ndoshta, ndonjëherë do të vijë dita që dikush të sheshojë hallet e tyre, të krijojë kushte për jetë më të dinjitetshme dhe për trajtim më korrekt nga shoqëria dhe shteti për të varfërit kosovarë. /Buletini Ekonomik/