Oda Ekonomike Britanike ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme dhe masa për rikthimin e funksionalitetit të sektorit minerar, dhe në këtë kontekst ka parashtruar kërkesa konkrete. Dihet se në Kosovë, në vitet e pasluftës ka munguar totalisht përkujdesja ndaj sektorit të minerave. Minierat kosovare që nga qeveria e përkohshme, e deri te kjo e fundit, praktikisht janë lënë nën mëshirën e fatit, të brejtjes së kohës, të vërshimeve dhe të dëmtimeve të tjera ordinere, që nuk kanë ndodhur në asnjë vend tjetër të botës.
Buletini Ekonomik
Oda Ekonomike Britanike në Kosovë (OEBK), ditë më parë, nëpërmjet një komunikate të bërë publike në medie të vendit, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me funksionimin e sektorit minerar dhe ka kërkuar masa urgjente për rikthimin e operacioneve normale të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).
Sipas këtij asociacioni, që nga viti 2020 KPMM ka përjetuar probleme të vazhdueshme operacionale, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në ngadalësimin e trajtimit të licencave minerare dhe kanë dëmtuar industrinë minerare si dhe besueshmërinë e investitorëve të huaj. Nga 316 aplikime të dorëzuara në periudhën e fundit, vetëm 60 licenca janë lëshuar nga Bordi i fundit i KPMM-së, ndërkohë që koha e pritjes për vendime ka arritur deri në 50 muaj, ndonëse afati ligjor është maksimumi pesë muaj. Kjo vonesë ka krijuar pengesa serioze për kompanitë minerare, duke ulur konkurrencën dhe interesin e investitorëve ndërkombëtarë për Kosovën.
Për krahasim, në vitin 2020, KPMM menaxhonte 854 licenca dhe vetëm në periudhën janar–gusht 2020 u lëshuan 167 licenca. Të dhënat tregojnë se gjatë dy viteve të fundit janë lëshuar vetëm 60 licenca, dhe shumica e tyre kanë qenë për resurse jo-metalore, duke përjashtuar Trepçën.
Oda thekson se KPMM nuk ka raportuar në Komisionin Parlamentar për Ekonomi që nga viti 2020, duke treguar mungesë transparence dhe llogaridhënie. Gjithashtu, trajtimi jo i barabartë i kompanive private kundrejt atyre shtetërore, si Trepça dhe KEK, ka rritur shqetësimet për kredibilitetin e institucionit. Një tjetër problem është mungesa e licencimit për gurthyesit, e kombinuar me komplikimet që rrjedhin nga hyrja në fuqi e Ligjit për Pronë Publike. Kjo ka detyruar Kosovën të importojë sasi të mëdha rëre dhe zhavorri nga shtetet fqinje, duke çuar edhe në rritjen e çmimeve për materiale ndërtimi si rërë, zhavorr dhe beton. Kosova dikur njihej për legjislacionin minerar më të avancuar në Evropë, i bazuar në praktikat më të mira të Australisë, duke përfshirë parimin “i pari që aplikon, i pari që shërbehet”. Megjithatë, moszbatimi i ligjit dhe vonesat e KPMM-së kanë dëmtuar kredibilitetin e institucionit dhe kanë ulur interesin e investitorëve të huaj.
Prandaj, Oda Ekonomike Britanike ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme dhe masa për rikthimin e funksionalitetit të sektorit minerar: Trajtim i përshpejtuar i të gjitha aplikacioneve të mbetura; Zbatim i plotë i ligjit, duke siguruar që KPMM të përgjigjet brenda afateve ligjore prej tre muajsh, jo më shumë se pesë muaj; Hartim dhe miratim i një Strategjie të re Minerare, pasi strategjia e mëparshme ka skaduar në vitin 2025; Plotësim urgjent i Bordit të KPMM-së, për të rikthyer funksionalitetin dhe kapacitetin operacional të institucionit.
Oda nënvizon se vetëm një KPMM funksional dhe i besueshëm mund të rikthejë investitorët ndërkombëtarë dhe të sigurojë zhvillim të qëndrueshëm të sektorit minerar në Kosovë. Sipas odës, kjo situatë rrezikon që vendi të mbetet pa investitorë ndërkombëtarë dhe pa zhvillim serioz në sektorin e hulumtimeve minerale, pavarësisht se Kosova mbetet një territor shumë atraktiv për eksplorime minerare.
Për shkak të rëndësisë së pakontestueshme të sektorit minerar të vendit për zhvillim më intenziv, shqetësimet e Odës Britanike të Ekonomisë janë për t’u vlerësuar dhe duhet përkrahur urgjentisht nga institucionet e vendit. Në Kosovë duhet rikthyer një orë e më parë vëmendja dhe përkujdesja ndaj sektorit minerar. Ndërsa dihet se në Kosovë, në vitet e pasluftës ka munguar totalisht përkujdesja ndaj këtij sektori. Minierat kosovare që nga qeveria e përkohshme, e deri te kjo e fundit, praktikisht janë lënë nën mëshirën e fatit, të brejtjes së kohës, të vërshimeve dhe të dëmtimeve të tjera ordinere, që nuk kanë ndodhur në asnjë vend tjetër të botës. Nuk ka ndodhur kjo indolencë dhe papërgjegjësi e skajshme institucionale ndaj pasurive nëntokësore, në asnjërin nga shtetet që, pak a shumë, kanë kaluar tranzicionin nga sistemi socialist në atë kapitalist tërësisht ngjashëm me ne.
Kur i sheh me sy dhe i prek me dorë pasojat e dëmeve të shkaktuara më shumë nga neglizhenca totale e institucioneve shtetërore, mosinteresimi fare për to nga ata që e kanë detyrë dhe përgjegjësi përkujdesjen për minierat në përgjithësi, dhe domosdo për minierat më premtuese të plumbit dhe zinkut të Kosovës, tmerrohesh, të shkojnë ‘flokët përpjetë’ nga përmasat e frikshme të dëmeve, por edhe nga meditimet. Pse ka ndodhë dhe vazhdon të ndodhë ky anashkalim, kjo mospërfillje absurde ndaj pasurive nëntokësore të gatshme deri para 20 vjetësh për t’i shfrytëzuar ato kollaj dhe pa investime kush e di sa çfare?
Gjendja sot (shkurt 2026), në kompleksin e minierave të plumb-zinkut, që gjithmonë kanë punuar në kuadër dhe nën gjirin e “Trepçës” së famshme dikur, është kjo: Nuk punon fare qe 20 e sa vjet Miniera e Hajvalisë, xeherore e veçuar për nga përqindja më e lartë e metaleve në trupin minerar. Nuk punon fare që nga 2000-shi as Miniera e Kishnicës, as ajo e Badovcit, as miniera sipërfaqësore e plumbit dhe zinkut në afërsi të drejtpërdrejtë të minierës së Kishnicës, ndërsa punon vetëm pjesërisht Miniera e Artanës (Novobërdos së dikurshme), dhe atë vetëm në horizontet 4 dhe 5, pasi që horizontet e tjera- gjashtëshi, shtatëshi dhe tetëshi janë të përmbytura nga uji, ndërsa këto horizontet e fillimit kaherë janë jashtë funksionit për shkak se xehja që kanë përmbajtur këto horizonte, kaherë është eksploatuar. Dhe a e dini pse nuk punojnë këto minera qe 20 vjet? Për shkak të mungesës së një pompe apo disa pompave për pompimin e ujit.
Dikur në vitet e para pas luftës, një pompë e këtillë fare lehtë ka mundur të sigurohet për 30 mijë marka gjermane, e shumë shumë me 50 mijë sosh. Prandaj, sot nga numri i madh i xeheroreve (12 sosh gjithsej, prej tyre 8 të metaleve, më saktësisht të plumbit dhe zinkut, dhe 4 miniera të jometaleve) që kanë funksionuar deri në vitet e luftës, në procesin e punës gjenden vetëm 4 miniera të plumbit dhe zinkut: Stantërgu, Artana (Novobërda) pjesërisht, dhe xeheroret Bello Bërdo dhe Cërnac, në pjesën veriore të Kosovës (mu në kufirin me Serbinë). Statusi aktual i këtyre minierave pra është aktiv.
Ndërsa, që nga paslufta, praktikisht janë mbyllur, ose nuk punojnë fare Miniera e Hajvalisë, ajo e Kishnicës, e Badovcit, sikundër edhe miniera sipërfaqësore në afërsi të Kishnicës, sikundër që nuk punojnë kaherë Deva, Karaqeva, minierat e magnezitit në Golesh dhe në Strezovc dhe miniera e boksiteve në Klinë. Kjo është gjendja reale në sektorin minerar të Kosovës.
Ndërkohë, autoritetet në raste të rralla vazhdojnë të premtojnë rikthim të vëmendjes kah minierat e famshme të plumb-zinkut në vend. Një premtim të këtillë e bëri këtyre ditëve edhe ministrja e Ekonomisë në Qeverinë Kurti 3, Artane Rizvanolli, gjatë një vizite në SHBA, në takime me përfaqësues dhe autoritete të sektorëve përkatës amerikan. Në takimin me zëvendësndihmëssekretarin në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit, Daniel Lawtonnw, siç njoftohet nëpërmjet një komunikate, ministrja Rizvanolli ka thënë se “Qeveria e Republikës së Kosovës gjatë këtij mandati do t’i kushtojë vëmendje të veçantë edhe sektorit minerar”. Mbetet të shihet nëse do të përmbushet ky premtim. Deri tash, praktikisht kanë dështuar shumë premtime të zyrtarëve të vendit për ta ringjallur sektorin e minerave. /Buletini Ekonomik/









