Investimet e ndërmarrjeve nga Kosova në Shqipëri kanë shënuar rritje të fortë gjatë vitit të fundit (153 milionë euro në 9-mujorin e vitit 2025, ose me rritje prej 139 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë), duke e pozicionuar Kosovën si një nga investitorët kryesorë të huaj në shtetin shqiptar. Fluksi i investimeve të Shqipërisë në Kosovë është dukshëm më i papërfillshëm (103.6 milion euro gjatë tërë vitit 2025).
Buletini Ekonomik
Përkundër krizës politike si rrjedhojë e mungesës së institucioneve më të rëndësishme të vendit, dhe përkundër ngecjeve dhe dështimeve të shumta në sektorë të shumtë të ekonomisë, në Kosovë më 2025 janë rritur ndjeshëm investimet e huaja direkte. Sipas të dhënave nga Instituti GAP, në vitin 2025, investimet e huaja direkte (IHD) në Kosovë arritën në 1.03 miliard euro, duke shënuar një rritje prej 238.2 milion eurosh ose rreth 30% krahasuar me vitin 2024.
Sipas këtyre të dhënave, Gjermania dhe Zvicra janë shtetet që kanë kontribuar më së shumti në këto investime, me 268.7 milion euro dhe 223.9 milion euro përkatësisht.
Shtetet e tjera kryesore investuese janë Shqipëria me 103.6 milion euro, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 92.5 milion euro dhe Austria me 59.8 milion euro.
Në total, Gjermania dhe Zvicra përbëjnë 48% të investimeve të huaja direkte në Kosovë gjatë vitit 2025. Këto të dhëna që flasin për goxha rritje të investimeve të huaja në Kosovë, bëhen më imponuese sidomos kur kihet parasysh se investimet e huaja kanë ndodhur në vitin e kaluar, një vit i vështirë për sektorin e ekonomisë dhe zhvillimeve ekonomike për shkak të krizës së njohur politike të shkaktuar nga mungesa e institucioneve kryesore të shtretit. Më 2025, në Kosovë, praktikisht në shumicën e muajve ka munguar funksionimi i Kuvendit, në shumë muaj Qeveria ka funksionuar në detyrë dhe kanë munguar edhe një numër i madh institucionesh, të domosdoshme për funksionim normal të shtetit. Prandaj, shifrat e rritura të investimerve të huaja direkte më 2025 krijojnë njëfarë përshtypjeje se megjithatë, në 2025-tën nuk ishte gjithçka e zezë. Ky trend, fundja, siç vlerëson edhe GAP, tregon një rritje të ndjeshme të interesit të investitorëve të huaj për ekonominë e Kosovës dhe potencialin e sektorëve kyç për zhvillim.
Edhe në Shqipëri, sipas të dhënave konkrete të institucioneve kompetente, investimet e huaja direkte kanë shënuar rritje mbresëlënëse. Në pesë vitet e fundit, vendi ka tërhequr më shumë investime në raport me ekonominë sesa mesatarja e rajonit, duke arritur në rreth 7 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Vetëm në vitin 2024 janë certifikuar 1.6 miliardë euro investime, ndërsa në 9 muajt e parë të 2025-ës kemi arritur në 1.21 miliardë, çka konfirmon ritmin e qëndrueshëm të rritjes. Ndërkohë, stoku total i investimeve të huaja ka arritur në 16.6 miliardë euro, një shifër e paimagjinueshme deri jo shumë vite më parë.
Sipas të dhënave të transmetuara nga mediet shqiptare, vetëm në vitin 2024 janë certifikuar 1.6 miliardë euro investime, ndërsa në 9 muajt e parë të 2025-ës është arritur në 1.21 miliardë, çka konfirmon ritmin e qëndrueshëm të rritjes. Ndërkohë, stoku total i investimeve të huaja ka arritur në 16.6 miliardë euro. Këtë shifër investimesh të huaja, kryeministri Edi Rama, e ka cilësuar si një nivel të paimagjinueshëm më parë.
Duhet theksuar se në vitin 2025 në Shqipëri janë rritur vrullshëm investimet nga Kosova.
Sipas të dhënave të fundit të Bankës së Shqipërisë, flukset e investimeve nga Kosova kanë njohur rritje të ndjeshme, ndërsa për 9-mujorin e vitit 2025 ato arritën në 153 milionë euro, ose me rritje prej 139 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
“Investimet e ndërmarrjeve nga Kosova në Shqipëri kanë shënuar rritje të fortë gjatë vitit të fundit, duke e pozicionuar Kosovën si një nga investitorët kryesorë të huaj në vend”, shkruante ditë më parë Agjencia Telegrafike Shqiptare.
Rritja e kapitalit kosovar në tregun shqiptar lidhet kryesisht me blerje strategjike të ndërmarrjeve vendase, që kanë forcuar praninë e bizneseve nga Kosova në sektorë kyç të ekonomisë, duke përfshirë sektorin e modës dhe atë të shërbimeve ushqimore, etj., çka tregon një prirje të qartë drejt diversifikimit të investimeve.
Në anën tjetër, fluksi i investimeve të Shqipërisë në Kosovë është dukshëm më i papërfillshëm (103.6 milion euro gjatë tërë vitit 2025). Duhet theksuar se në shifrat e rritura të gjithëmbarshme të investimeve të huaja në Kosovë, në vitin e kaluar, në njëfarë mënyre është përsëritur pak a shumë rrjedha e shpërndarjes së këtyre investimeve me vitet paraprake. Edhe më 2025, pjesa dërrmuese e investimeve të huaja direkte është bërë në sektorin e paluajtshmërive si 770 milionë, ose 75 për qind (që i bie se investitorë të shumtë të huaj kanë investuar në banesa dhe hapsira afariiste (lokale të ndryshme) dhe në toka (troje për ndërtime etj.). Pak a shumë struktura e investimeve të huaja edhe në Shqipëri është goxha e ngjashme me atë në Kosovë. /Buletini Ekonomik/









