Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka shqiptuar sot një gjobë prej 30 mijë eurosh ndaj KEDS, pasi janë konstatuar gjashtë njehsorë elektrikë me afat të skaduar të verifikimit.
Sipas njoftimit, ky veprim vjen në kuadër të kontrolleve të vazhdueshme që po zhvillohen në të gjithë territorin e Kosovës për verifikimin e njehsorëve elektrikë. Komisioni Verifikues po operon në shtatë rajonet e vendit për të identifikuar dhe adresuar çdo parregullsi të mundshme.
Nga analizat laboratorike të kryera në Agjencia e Metrologjisë e Kosovës janë evidentuar pasaktësi në regjistrimin e orës dhe datës në njehsorët e testuar.
Ndërkohë, MINTI i ka dërguar kërkesë zyrtare KESCO për kompensimin e konsumatorëve të dëmtuar dhe ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin e situatës përmes raporteve të rregullta.
Autoritetet njoftojnë se Komisioni Verifikues po bashkëpunon edhe me organet e hetuesisë dhe prokurorinë për trajtimin e mëtejmë të rastit.
MINTI thekson se mbetet e përkushtuar për transparencë dhe mbrojtje të konsumatorëve, duke premtuar informim të vazhdueshëm për çdo zhvillim lidhur me këtë çështje.









