Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se sot ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ (MF) Nr. 01/2026 për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike fiskale, sistemeve fiskale dhe softuerëve elektronikë fiskalë.
Sipas dokumentit zyrtar që ka publikuar në facebook, vendimi është marrë në mbështetje të Ligjit për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe hyn në fuqi ditën e nënshkrimit. Udhëzimi synon të rregullojë përdorimin e pajisjeve dhe sistemeve fiskale, duke hapur rrugën për digjitalizimin e arkave fiskale.
Në njoftimin e tij publik, Murati ka theksuar se ky hap mundëson që arkat fiskale të bëhen digjitale, me kosto më të ulët dhe më miqësore për bizneset.
Kjo reformë është vlerësuar vazhdimisht edhe nga ekspertët si një hap kyç drejt modernizimit të administratës tatimore dhe rritjes së transparencës në ekonomi.
Vendimi parasheh gjithashtu që Departamenti Ligjor i Ministrisë së Financave ta procedojë udhëzimin për publikim në Gazetën Zyrtare, ndërsa zbatimi i tij pritet të sjellë lehtësime për operatorët ekonomikë në vend. /Buletini Ekonomik/










