MINTI ndan mbi 2.6 milionë euro për Parkun Industrial në Lipjan

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) do të ndajë mbi 2.6 milionë euro për zhvillimin e Parkut Industrial në Lipjan. Marrëveshja është nënshkruar nga ministrja Mimoza Kusari-Lila dhe kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti.

Sipas njoftimit, kjo marrëveshje parasheh mbështetje financiare në vlerë prej 2,672,554.61 euro për ndërtimin e infrastrukturës fizike të parkut, në kuadër të fazës së pestë të projektit.

Ministrja Mimoza Kusari-Lila e ka cilësuar këtë investim si një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit ekonomik, duke theksuar se projekti do të krijojë mundësi të reja për bizneset dhe qytetarët, si dhe do të ndikojë në zhvillimin industrial të vendit.

Reklama e sponzorizuar

Ajo bëri të ditur se Parku Industrial në Lipjan shtrihet në një sipërfaqe prej 56 hektarësh dhe tashmë ka biznese operative, përfshirë edhe një kompani që eksporton produktet e saj në tregun amerikan.

Sipas ministres, punimet në park do të vazhdojnë me intensitet, ndërsa angazhimi i ministrisë mbetet që kjo hapësirë të shndërrohet në një qendër të rëndësishme industriale në vend. /Buletini Ekonomik/