Gazifikimi i Kosovës: Cila është rruga që duhet ndjekur?

Rrethanat gjeopolitike gjithmonë kanë ndikuar dhe vazhdojnë të ndikojnë në zhvillimin e sektorit të energjisë. Diskutimet e fundit rreth gazifikimit të Kosovës janë bërë të rëndësishme, sidomos duke pasur parasysh reagimet si dhe zhvillimet në rajon. E natyrisht, ndaj këtyre zhvillimeve nuk duhet të jemi sy mbyllur.

Prandaj, pyetja kryesore është: cili duhet të jetë pozicioni strategjik i Kosovës?

Së pari, politikbërësit duhet ta kenë të qartë dhe definojnë se çfarë nënkuptojnë me gazifikim. A po flasim për një gazifikim të gjerë, që do të përfshinte industrinë dhe amvisëritë, për shembull përdorimin e gazit për ngrohje? Apo po flasim kryesisht për gazin si burim për prodhimin e energjisë elektrike? Kjo pyetje është e rëndësishme, sepse përgjigjja ndaj saj përcakton jo vetëm të ardhmen e sektorit të energjisë, por edhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Reklama e sponzorizuar

Së dyti, ne duhet të jemi të kujdesshëm në mënyrën se si pozicionohemi ndaj këtyre zhvillimeve. Pozicionimi ynë mund të jetë shumëdimensional, pra nuk ka nevojë që gazifikimin ta shohim vetëm nga një prizëm. Një mundësi është që ta shfrytëzojmë këtë momentum për të krijuar një infrastrukturë të gazit (apo autostradë për transport të gazit). Në këtë rast, shtetet fqinje mund ta përdorin infrastrukturën tonë për transport, ndërsa Kosova do të përfitonte ekonomikisht nga kjo.

Megjithatë, përtej infrastrukturës, duhet të kuptohet edhe roli që gazi mund ta ketë në sistemin energjetik të Kosovës. Mungesa e një planifikimi afatgjatë mund të ketë implikime, jo vetëm për sektorin e energjisë, por edhe për ekonominë në tërësi.

Aktualisht, përdorimi i gazit në Kosovë është pothuajse inekzistent. Prandaj, futja e tij në sistem energjetik (psh., në amvisëri), nënkupton investime të reja në infrastrukturë, pa përmendur faktorë tjerë si ata rregullativ e social.

Në njërën anë, përdorimi i gazit mund të sjellë përfitime për sistemin elektroenergjetik, sidomos si burim fleksibiliteti ose gjatë periudhave kur kemi mungesë të prodhimit nga burimet tjera. Në anën tjetër, nëse nuk planifikohet me kujdes, gazifikimi mund të ngadalësoj inovacionin në sektor nga elektrifikimi si dhe zhvillimin e burimeve të tjera si dielli, era, apo bateritë.

Prandaj, kjo situatë në të cilën ndodhemi duhet të shërbej si sinjal për politikëbërësit dhe vendimmarrësit se Kosova duhet ta prioritizoj sektorin e energjisë dhe të ketë një vizion të qartë.

Për këtë, të gjithë politikëbërësit duhet të fokusohen në tri çështje kryesore: 1) sektori i energjisë të trajtohet me prioritet, 2) të arrihet një konsensus i gjerë ndërmjet partive politike rreth objektivave afatgjata dhe asaj se ku duam ta shohim Kosovën në 30 vitet e ardhshme, dhe 3) të dizajnojnë politika të mençura dhe inovative që mundësojnë zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit.

Në fund, nuk ka dyshim se e ardhmja e sektorit të energjisë duhet të planifikohet rreth inovacionit dhe elektrifikimit, ku objektivi është një furnizim i sigurt, i pastër dhe ekonomikisht i përballueshëm.

Opinion nga Arven Syla, autori është ekspert i energjisë