Mbi 2 milionë euro grante për bizneset në Kosovë, lansohen skemat për inovacion dhe energji të pastër

Pamje nga konferenca e shpalljes së granteve për Energji të Pastër dhe Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (ICT).

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, ka lansuar dy skema të reja grantesh për bizneset në Kosovë, me një vlerë totale prej mbi 2 milionë eurosh.

Skemat synojnë të mbështesin inovacionin dhe investimet në energji të pastër, me fokus te ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, si dhe bizneset start-up.

Skema për inovacion, me buxhet prej 1.16 milionë eurosh, sipas njoftimit, është e dedikuar për zhvillimin e produkteve, shërbimeve dhe proceseve inovative në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK).

Sipas MINTI-t, mbështetja synon të nxisë zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës, rritjen e eksporteve dhe forcimin e kapaciteteve inovative të bizneseve.

Ndërkaq, skema për energji të pastër, me buxhet prej 380 mijë eurosh, do të mbështesë investimet e ndërmarrjeve në sisteme solare fotovoltaike, bateri, masa për efiçiencë energjetike dhe pajisje që rrisin efikasitetin e prodhimit.

Sipas njoftimit, grantet do të mbulojnë deri në 40 për qind të investimeve për sistemet solare dhe deri në 70 për qind për pajisjet që rrisin efikasitetin e linjave prodhuese.

Mbështetja maksimale për një biznes mund të arrijë deri në 25 mijë euro.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, tha se skema për inovacion është e orientuar drejt bizneseve që zhvillojnë zgjidhje teknologjike, përfshirë inteligjencën artificiale, sigurinë kibernetike, blockchain dhe platformat digjitale, me synim rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit privat.

Lexo më shumë:

Më shumë strategji sesa energji e prodhuar

Ndërkohë, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, theksoi se skema për energji të pastër është e fokusuar kryesisht te ndërmarrjet prodhuese me konsum të lartë të energjisë, duke synuar uljen e kostove përmes investimeve në teknologji më efikase.

Ajo bëri të ditur se përparësi në këtë skemë do të kenë bizneset që tashmë operojnë në tregun e hapur të energjisë dhe nuk përfitojnë nga tarifat e rregulluara, megjithëse aplikimi mbetet i hapur edhe për ndërmarrje të tjera prodhuese.

Procesi i aplikimit do të zhvillohet ekskluzivisht përmes platformës e-Kosova.

Bizneset aplikuese duhet të dorëzojnë dokumentacionin e kërkuar, përfshirë certifikatën e biznesit, certifikatën tatimore, dëshminë e llogarisë bankare, raportet financiare, propozimin e projektit sipas formularit zyrtar, si dhe një video-prezantim të shkurtër të idesë.

Pagesa e grantit do të realizohet në dy këste: 80 për qind pas nënshkrimit të marrëveshjes dhe dorëzimit të garancisë bankare, ndërsa 20 për qind pas përfundimit të projektit dhe miratimit të raportit përfundimtar.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë, thirrja për aplikim do të publikohet në platformën e-Kosova dhe do të mbetet e hapur për 15 ditë pune. /Buletini Ekonomik/