Konflikti i interesit mban të bllokuar prej katër vitesh vendimmarrjen e AKRK-së në rastin Artmotion-Kujtesa

Procedura hetimore ndaj operatorëve kabllorë ArtMotion dhe Kujtesa vazhdon të mbetet pa epilog katër vjet pas nisjes së hetimeve. Ndonëse dyshimet lidhen me shitblerje të padeklaruar të aksioneve dhe marrëveshje kartel, AKRK thotë se vendimmarrja në këtë rast është bllokuar për shkak se njëra nga anëtaret e Komisionit ndodhet në konflikt interesi me këto dy kompani.

Agon Sinanaj

Katër vjet pas nisjes së hetimeve ndaj operatorëve kabllorë ArtMotion dhe Kujtesa, Autoriteti i Konkurrencës ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar. Ani pse dyshimet lidhen me shitblerje të padeklaruar të aksioneve dhe marrëveshje kartel, vendimmarrja në këtë rast është bllokuar për shkak se njëra nga anëtaret e Komisionit ndodhet në konflikt interesi me këto dy kompani.

Në një përgjigje për Buletinin Ekonomik, Autoriteti i Konkurrencës konfirmon se procedura hetimore, e hapur në dhjetor të vitit 2022 nën dyshimet për shitblerje të padeklaruar të aksioneve dhe marrëveshje kartel ndërmjet ArtMotion dhe Kujtesës, vazhdon të mbetet pa epilog.

Sipas AKRK-së, pengesa lidhet me faktin se Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka konstatuar konflikt interesi të nënkryetares së Komisionit, Kaltrina Sela, në raport me këto dy subjekte ekonomike. Për pasojë, Komisioni nuk mund të marrë vendime në rastet që lidhen me tregun e telekomunikimeve, përderisa gjendja e konfliktit të interesit vazhdon.

“Pas hapjes së kësaj procedure hetimore, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka konstatuar ekzistencën e konfliktit të interesit të nënkryetares së Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës, znj. Kaltrina Sela, në raport me subjektet ekonomike të përfshira në këtë procedurë”, thuhet në përgjigjet e tyre zyrtare.

Zyrtarja në konflikt interesi me Artmotion e Kujtesa, u përfshi në hetimet e AKRK-së ndaj Devolli Corporation

Autoriteti thotë se kjo situatë e ka pamundësuar marrjen e çdo vendimi përfundimtar në rastet që lidhen me tregun e telekomunikimeve.

 “Komisioni i Autoritetit të Konkurrencës nuk mund të marrë vendime përfundimtare lidhur me rastet që kanë të bëjnë me tregun e telekomunikimeve, përderisa znj. Kaltrina Sela vazhdon të mbajë pozitën e nënkryetares së Komisionit me gjendje të konfliktit të vazhdueshëm të interesit.”

Autoriteti shton se, përderisa nuk ka një vendim të Komisionit, nuk mund të deklarojë nëse janë konstatuar ose jo shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, ani pse pranon se bllokimi nuk ka ndodhur “për shkak të mungesës së provave”.

“Në këtë fazë nuk mund të japim vlerësime apo konkluzione mbi meritat e rastit, pasi nuk është marrë ende vendim përfundimtar nga organi kompetent.”

ARKEP thotë se është në dijeni të rastit dhe po pret vendimin e AKRK-së

Për këtë rast është në dijeni edhe Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), i cili ka për obligim mbikëqyrjen e tregut të telekomunikimeve në Kosovë, mirëpo nga ky institucion thonë se janë në pritje të vendimit të AKRK-së.

Sipas ARKEP-it, si rregullator sektorial i komunikimeve elektronike, institucioni ushtron kompetenca “ex ante”, me qëllim krijimin dhe ruajtjen e konkurrencës efektive në treg.

Ndërkaq, Autoriteti i Konkurrencës ushtron kompetenca “ex post”, duke hetuar dhe vendosur për marrëveshjet e ndaluara, abuzimin me pozitën dominuese dhe përqendrimet ekonomike.

Për rastin në fjalë, ARKEP thotë se ka bashkëpunuar dhe e ka njoftuar me kohë Autoritetin e Konkurrencës për këtë rast.

“Në kuadër të këtij bashkëpunimi, ARKEP jo vetëm në rastin në fjalë, por edhe në raste të tjera kur gjatë ushtrimit të kompetencave të veta ka identifikuar rrethana që mund të kenë implikime në fushën e mbrojtjes së konkurrencës, ka njoftuar dhe informuar AKK-në në kohë, me qëllim që institucioni kompetent të mund të ndërmarrë veprimet e nevojshme sa më shpejt dhe në përputhje me mandatin e tij ligjor”, thuhet në përgjigjet nga ARKEP.

ARKEP thekson tutje se procedura hetimore dhe çdo vendimmarrje lidhur me pretendimet për sjellje antikonkurruese zhvillohen ekskluzivisht nga Autoriteti i Konkurrencës.

Hetimet e AKRK ndaj Artmotion dhe Kujtesës përfshijnë “shitblerjen e fshehtë të aksioneve” dhe “marrëveshjen kartel”

Reklama e sponzorizuar

Dyshimet e AKRK-së për kamuflim të konkurrencës

Buletini Ekonomik kishte raportuar më 2024 se Komisioni i Autoritetit të Konkurrencës kishte hapur procedurë hetimore ndaj operatorëve kabllorë Artmotion dhe Kujtesa nën dyshimin për shitblerje të padeklaruar të aksioneve dhe marrëveshje kartel.

Sipas dokumenteve zyrtare të siguruara atëkohë nga Buletini Ekonomik, procedura ishte hapur më 20 dhjetor 2022, pas një periudhe gjashtëmujore të mbledhjes së provave dhe fakteve nga hetuesit e Autoritetit.

Nga faktet e mbledhura gjatë periudhës gjashtëmujore të shqyrtimit papraprak, hetuesit e AKRK-së kishin gjetur prova përmes të cilave kanë ngritur dyshimin e bazuar se këta dy operatorë janë duke u paraqitur rrejshëm si konkurrentë në ofrimin e shërbimeve audiovizuele në Kosovë.

“Sekretariati i Autoritetit të Konkurrencës duke vepruar sipas detyrës zyrtare ka kryer shqyrtimin paraprak të hetimit lidhur me dyshimin e arsyeshëm se ndërmarrjet Artmotion Sh.p.k dhe Kujtesa Sh.p.k kanë realizuar shitblerje të aksioneve në tregun përkatës, si dhe Marrëveshje të ndaluar (kartel) apo praktikë të bashkërenduar”, thuhej në dokumentin e AKRK-së që mban titullin “Konkluzion për fillimin e procedurës hetimore”, një kopje të të cilit e ka siguruar Buletini Ekonomik.

Në bazë të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, kur një operator ekonomik i blen aksionet e një operatori tjetër, të cilët funksionojnë brenda të njëjtës veprimtari dhe kur të dyja së bashku arrijnë qarkullim vjetor mbi 3 milionë euro, atëherë duhet ta njoftojnë Autoritetin e Konkurrencës për të marrë aprovim paraprak.

Në rastin e operatorëve Artmotion dhe Kujtesa, sipas dokumentit të AKRK-së për nisjen e hetimeve, kjo kërkesë ligjore nuk ishte përmbushur.

“Autoriteti gjatë shqyrtimit paraprak të hetimit në tregun e telekomunikimeve dhe kabllore në territorin e Republikës së Kosovës, në bazë të informatave preliminare që posedon, ekziston dyshimi i arsyeshëm se: Ndërmarrjet Artmotion Sh.p.k dhe Kujtesa Net Sh.p.k, kanë realizuar blerjen e aksioneve të ndërmarrjeve, të cilat veprojnë në tregun përkatës me aktivitetin primarë telekomunikimet kabllore. Autoriteti konsideron se: Transaksionet/blerjet janë realizuar, pa e dorëzuar njoftimin e detyrueshëm për qëllimin e përqendrimit parashikuar sipas nenit 13 dhe 15 të Ligjit 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës”, thuhej në dokument.

Sipas nenit 13 të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, pjesëmarrësit në përqendrim (blerje të aksioneve) duhet t’i kërkojnë paraprakisht Autoritetit të Konkurrencës t’ua lejojë realizimin e përqendrimit të synuar në dy raste.

“Kur pjesëmarrësit në përqendrim kanë mbi 20 milionë euro qarkullim të përbashkët në tregun ndërkombëtar dhe njëri pjesëmarrës në përqendrim ka mbi 1 milion euro qarkullim në tregun e brendshëm ose kur së paku dy pjesëmarrës në përqendrim kanë mbi 3 milionë euro qarkullim në tregun e brendshëm”, saktësohet tutje në ligj.

Në konkluzionin për nisje të hetimeve, AKRK kishte përmendur edhe nenin 12 të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, i cili ka të bëjë me rrezikun e “keqpërdorimit të pozitës dominuese” në këto raste.

“Autoriteti konsideron se me marrëveshjen për realizimin e bashkimit apo blerjes së aksioneve të ndërmarrjeve, në treg ka një konkurrent më pak, rrjedhimisht zvogëlohet konkurrenca në tregun përkatës, kështu që ndërmarrjet janë të detyruara të paraqesin njoftimin për Përqendrim pranë Autoritetit, për arsye të vlerësimit të ndikimit ekonomik dhe juridik, respektivisht krijimit apo forcimit të Pozitës Dominuese, në tregun përkatës”.

Përveç dyshimit të bazuar për shitblerje të fshehtë të aksioneve dhe paraqitje të rreme si konkurrentë, Artmotion dhe Kujtesa hetohen edhe për arritjen e “marrëveshjes kartel”, e cila njihet si praktikë që dëmton konkurrencën.

Një veçori e marrëveshjeve kartel, sipas Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, është kur dy kompani ndajnë tregun dhe burimet e furnizimit, ose kur merren vesh për caktimin e çmimeve të shitblerjes.

“Autoriteti gjatë shqyrtimit paraprak të situatës në tregun përkatës ka vërejtur se palët në procedurë Artmotion Sh.p.k dhe Kujtesa Net Sh.p.k kanë arritur Marrëveshje të ndaluar (kartelet) bazuar në nenin 5 paragrafi 1, nën paragrafët 1.1, 1.2, 1.3, 1.4 dhe 1.5, të Ligjit 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës”, thuhej në Konkluzionin e AKRK për nisje të hetimeve.

Buletini Ekonomik u ka dërguar pyetje edhe operatorëve Artmotion dhe Kujtesa, duke u kërkuar qëndrimin e tyre lidhur me dyshimet që kanë qenë objekt i procedurës hetimore të nisur nga Autoriteti i Konkurrencës, por deri në publikimin e këtij artikulli, asnjëra prej kompanive nuk ka kthyer përgjigje.