Nis fushata e korrje-shirjeve në Kosovë, fermerët të pakënaqur me çmimin e grurit

Nis fushata e korrje-shirjeve në Kosovë

Fushata e korrje-shirjeve të drithërave të bardha në Kosovë ka nisur më herët sivjet se në vitet paraprake, ndërsa në pjesën më të madhe të Rrafshit të Dukagjinit tashmë ka hyrë në fazën më intensive.

Autokombajnat janë angazhuar në sipërfaqe të mëdha të mbjella me grurë, ndërsa fermerët presin ta përmbyllin korrjen brenda ditëve të ardhshme.

Sipas ekspertit të bujqësisë dhe profesorit në Fakultetin e Bujqësisë, Imer Rusinovci, këtë vit korrja ka nisur disa ditë më herët krahasuar me vitet e kaluara, si pasojë e kushteve të favorshme klimatike dhe pjekjes më të hershme të kulturave.

“Për dallim prej viteve të kaluara, këtë vit fushata e korrje-shirjeve të drithërave të bardha, e në veçanti e grurit, filloi disa ditë më herët. Fillimisht nisi në Prizren, Mamushë, Suharekë, Klinë e Gjakovë, ndërsa tashmë është në vlugun më të madh në pjesën dërrmuese të Rrafshit të Dukagjinit. Këto ditë ka filluar pjesërisht edhe në Rrafshin e Kosovës”, thotë Rusinovci.

Sipas tij, nëse kushtet atmosferike mbeten të favorshme, fushata pritet të përfundojë rreth mesit të muajit korrik.

“Besoj se deri më 15 korrik korrje-shirjet do të përfundojnë pothuajse në të gjitha zonat prodhuese”, shton ai.

Rendimentet të kënaqshme, por Kosova pritet të vazhdojë importin e grurit

Nga vlerësimet e deritanishme në terren, cilësia e grurit konsiderohet e mirë, ndërsa edhe rendimentet janë të kënaqshme. Megjithatë, Rusinovci thotë se prodhimi vendor edhe sivjet nuk pritet t’i mbulojë plotësisht nevojat e konsumit.

“Lidhur me prodhimin e përgjithshëm, rendimenti këtë vit është bukur i kënaqshëm, por mendoj se edhe këtë vit do të importojmë një kontingjent të caktuar të grurit”, thekson ai.

Sipas sondazheve që ka realizuar në terren, prodhimi ndryshon nga parcela në parcelë.

“Kam hasur në prodhimtari me 4.5 deri në 5.5 tonë për hektar, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që në raste individuale të ketë edhe 6 deri në 7 tonë për hektar. Megjithatë, mendoj se mesatarja nuk do të ketë ndonjë dallim të madh krahasuar me vitin e kaluar”, thotë profesori.

Ai shton se një vlerësim më i saktë për prodhimin e përgjithshëm dhe shkallën e vetëfurnizimit të Kosovës me grurë do të mund të bëhet vetëm pas përfundimit të korrjeve në të gjitha zonat prodhuese.

“Këtë përgjigje mund ta japim në fund të korrikut, kur të përmblidhen raportet nga të gjitha zonat prodhuese dhe të kemi një pasqyrë më të saktë për sipërfaqet dhe rendimentin mesatar.”

Kosto më e lartë, çmim më i ulët

Edhe pse prodhimi vlerësohet i mirë, fermerët nuk janë të kënaqur me çmimin e grurit. Sipas Rusinovcit, rritja e kostos së prodhimit gjatë këtij viti nuk është reflektuar në çmimin e grumbullimit.

“Fermerët e grurit këtë vit janë mjaft të brengosur, sepse çmimi i grumbullimit është relativisht i ulët, ndërkohë që kostoja e prodhimit është rritur ndjeshëm”, thotë ai.

Sipas tij, nëse në vitet e kaluara kultivimi i një hektari grurë kushtonte nga 700 deri në 800 euro, sivjet shpenzimet kanë kaluar mbi 1 mijë euro.

“Si rezultat i shtrenjtimit të naftës dhe inputeve të tjera bujqësore, kostoja e prodhimit të një hektari grurë ka kaluar mbi 1 mijë euro. Në anën tjetër, çmimi i grumbullimit aktualisht është vetëm 18 centë për kilogram, ndërsa vitin e kaluar ishte 19 centë.”

Ai thekson se Kosova, si vend i vogël,  ka mundësi të kufizuara për të ndikuar në çmimin e grurit, pasi ai përcaktohet nga bursat ndërkombëtare.

Megjithatë, sipas tij, megjithëse Kosova nuk mund të ndikojë në çmimin e grurit, shteti mund t’i mbështesë fermerët përmes politikave subvencionuese dhe masave të tjera lehtësuese.

“Ajo që mund të bëhet është të ndihmohen më shumë fermerët për produktivitetin e punës që realizojnë. Do të duhej të ndihej më shumë dora e shtetit, sidomos në momentin e dorëzimit të grurit në pikat grumbulluese”, përfundon Rusinovci. /M.Shabani/ /Buletini Ekonomik/