Ligji për çmimet tavan, i fokusuar te mbrojtja e konsumatorëve nga ngritjet brutale të çmimeve për disa produkte elementare ushqimore, nuk pati as për së afërmi efektet e parashikuara dhe nuk përmbushi thuajse asnjë parashikim për të parandaluar ngritjen e çmimeve. “Loja” me çmime e shumë tregtarëve brenda për brenda hapësirave tregtare të marketeve dhe supermarketeve…
Buletini Ekonomik
Sado që kanë kaluar mbi 3 muaj që nga miratimi i Ligjit për çmimet tavan nga Qeveria e Kosovës (ligji është miratuar në muajin prill të këtij viti), efektet e tij janë praktikisht zero.
Ligji për çmimet tavan, siç dihet, ishte i fokusuar te mbrojtja e konsumatorëve nga ngritjet brutale të çmimeve për disa produkte elementare ushqimore, të cilat vazhdojnë të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në ç’ekuilibrimin dhe degradimin e mirëqenies së kosovarëve, sidomos të atyre me fuqi të kufizuar financiare.
Tani, kur është evidente se ky ligj nuk pati as për së afërmi efektet e parashikuara, por nuk përmbushi thuajse asnjë parashikim për të parandaluar ngritjen e çmimeve, po dalin të jenë goxha të sakta dilemat e shprehura nga ekspertë dhe ekonomistë jo të paktë rreth pritshmërive për rezultatet e ligjit.
Në prill, me rastin e shqyrtimit të tij në Kuvendin e Kosovës, u shfaqën jo pak skepticizëm rreth përmbajtjes së këtij ligji, duke kërkuar që të ketë kritere më të matshme dhe targetim më të saktë.
Ekspertët u shprehën skeptikë dhe shfaqën pesimizmin e tyre rreth efekteve të ligjit, duke apostrofuar përvojat e dështuara të vazhdueshme në Kosovë për ta monitoruar tregun, mungesën evidente të kapaciteteve të kontrollit dhe mungesën e madhe të inspektorëve të tregut.
U tha se “Ligji merret me çmimet, por jo me shkaqet strukturore si përqendrimi i tregut, konkurrenca e kufizuar dhe varësia nga importi, prandaj efekti rrezikon të jetë vetëm afatshkurtër”.
Por tani duket se efekti i ligjit nuk ishte kurrfarë dhe se ekspertët paskan pasur të drejtën e tyre kur u shprehën pesimistë për të ardhmen dhe efektshmërinë e këtij ligji.
Sepse, sot jo vetëm që nuk kemi çmime të mbrojtura dhe të ndaluara së ngrituri, por kemi çmime astronomike, mbi të gjitha parashikimet. Çmimet e disa produkteve ushqimore në Kosovë tani janë mbi çmimet e produkteve të njëjta në Gjermani, Francë dhe Itali.
Vala e shtrenjtimit në Kosovë nuk ndalet. Inflacioni në muajin maj arriti në 6.8 për qind.
LEXO EDHE:
Çmimet e ngritura më 2025 në Kosovë do të mbeten një hiçgjë krahasuar me çmimet e sivjetshme










