Sindikata e Punëtorëve të Trainkos paralajmëron grevë nëse pagat nuk ekzekutohen deri më 9 korrik

Sindikata e Punëtorëve të Trainkos Sh.A. ka paralajmëruar se punëtorët do të hyjnë në grevë nëse pagat për muajin qershor 2026 nuk ekzekutohen deri më 9 korrik, në orën 12:00.

Sipas një komunikate për media, ndërmarrja Trainkos Sh.A. po përballet me një situatë të rëndë financiare, e cila ka pamundësuar ekzekutimin e pagave të punëtorëve.

Reklama e sponzorizuar

Sindikata thekson se punëtorët kanë vazhduar t’i kryejnë detyrat e tyre dhe të respektojnë Marrëveshjen për Ofrimin e Shërbimeve të Transportit Hekurudhor të Udhëtarëve për periudhën 2023–2027, të lidhur me Ministrinë e Infrastrukturës.

Sipas sindikatës, Ministria e Infrastrukturës ka obligim financiar për financimin e këtyre shërbimeve, ndërsa mosrealizimi i pagesave ka ndikuar drejtpërdrejt në gjendjen financiare të ndërmarrjes.

Në komunikatë përmenden katër faktorë kryesorë që, sipas sindikatës, kanë çuar në këtë situatë. I pari lidhet me mosekzekutimin e mjeteve financiare nga Ministria e Infrastrukturës, në kundërshtim me obligimet që burojnë nga marrëveshja për financimin e transportit hekurudhor të udhëtarëve.

Për më shumë lexoni njoftimin e plotë të Trainkos-it:

Trainkos Sh.A. po përballet me një situatë jashtëzakonisht të rëndë financiare si pasojë e mosekzekutimit të pagave të punëtorëve për muajin qershor 2026.

Punëtorët e Trainkos kanë vazhduar me përkushtim t’i kryejnë të gjitha obligimet e tyre dhe po i përmbahen Marrëveshjes për Ofrimin e Shërbimeve të Transportit Hekurudhor të Udhëtarëve, të lidhur me Ministrinë e Infrastrukturës për periudhën 2023–2027. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, Ministria e Infrastrukturës ka obligim financiar për financimin e këtyre shërbimeve.

Gjendja e rënduar financiare është rezultat i disa faktorëve kryesorë:

1. Mosekzekutimi i mjeteve financiare nga Ministria e Infrastrukturës, në kundërshtim me obligimet që dalin nga Marrëveshja për financimin e transportit hekurudhor të udhëtarëve.

2. Bllokimi i mjeteve financiare nga përmbaruesit privatë, të cilët konfiskojnë mjetet menjëherë pasi ato transferohen në llogaritë e ndërmarrjes, për raste të vjetra, të cilat konsiderojmë se në shumë raste janë të padrejta. Ekzistojnë dyshime serioze se një pjesë e këtyre proceseve janë orkestruar nga persona brenda ndërmarrjes në kohën kur janë ngritur paditë.

3. Borxhet e trashëguara ndër vite, të cilat vazhdojnë ta rëndojnë gjendjen financiare të ndërmarrjes.

4. Zvarritja e pajustifikueshme e rehabilitimit të Linjës Hekurudhore 10, Fushë Kosovë – Hani i Elezit. Edhe pse punimet ishte paraparë të përfundonin në vitin 2021, ato nuk kanë përfunduar ende. Që nga viti 2022, qarkullimi i trenave në këtë linjë është ndërprerë plotësisht, duke i pamundësuar Trainkos-it realizimin e transportit dhe të hyrave nga aktiviteti i tij kryesor. Kjo situatë nuk është shkaktuar nga Trainkos dhe as nga punëtorët e saj.

Përballë kësaj gjendjeje, Sindikata e Punëtorëve të Trainkos është e detyruar të mbrojë të drejtat elementare të punëtorëve.

Prandaj, njoftojmë opinionin publik se, nëse pagat nuk ekzekutohen deri më 09.07.2026, në orën 12:00, punëtorët do të fillojnë ndërprerjen e punës (grevën), në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Me qëllim që të mos dëmtohen qytetarët që tashmë janë në udhëtim, treni nr. 4200, i cili qarkullon në relacionin Stacioni Pejë – Stacioni Prishtinë, do ta përfundojë udhëtimin e planifikuar. Çdo veprim i mëtejmë lidhur me zhvillimin e grevës do të varet nga ecuria e situatës dhe nga ekzekutimi i pagave.

I bëjmë thirrje Ministrisë së Infrastrukturës dhe të gjitha institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin urgjentisht veprimet e nevojshme për përmbushjen e obligimeve financiare ndaj Trainkos Sh.A., në mënyrë që të shmanget ndërprerja e transportit hekurudhor dhe të mbrohen të drejtat ligjore të punëtorëve.