Suficiti tregtar i Shqipërisë me Kosovën arriti në afro 14 miliardë lekë (sot 1 euro në Shqipëri ka qenë e barabartë me 93.1 lekë), nga rreth 11.6 miliardë lekë një vit më parë. Në total, shkëmbimet tregtare mes dy vendeve kapën vlerën e rreth 27.2 miliardë lekëve, me një rritje prej mbi 16 për qind.
Buletini Ekonomik
Shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës u zgjeruan ndjeshëm gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, me rritje si të eksporteve, ashtu edhe të importeve.
Megjithatë, bilanci vijon të mbetet dukshëm në favor të Shqipërisë, ndërsa lëndët djegëse zënë pjesën më të madhe të mallrave të shitura në tregun fqinj.
Sipas të dhënave të INSTAT-it, gjatë periudhës janar-qershor 2026, eksportet shqiptare drejt Kosovës arritën në rreth 20.6 miliardë lekë (sot 1 euro në Shqipëri ka qenë e barabartë me 93.1 lekë), duke u rritur me 17.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në të njëjtën kohë, importet nga Kosova u ngjitën në 6.6 miliardë lekë, ose 12.1% më shumë në terma vjetorë, ka transmetuar Scantv.
Si rezultat, suficiti tregtar i Shqipërisë me Kosovën arriti në afro 14 miliardë lekë, nga rreth 11.6 miliardë lekë një vit më parë.
Në total, shkëmbimet tregtare mes dy vendeve kapën vlerën e rreth 27.2 miliardë lekëve, me një rritje prej mbi 16%.
Të dhënat tregojnë gjithashtu një ndryshim të fortë mes vlerës dhe sasisë së mallrave të eksportuara.
Megjithëse vlera e eksporteve u rrit me 17.7%, pesha e tyre ra me 15.7%, duke zbritur në rreth 403 milionë kilogramë. Kjo sugjeron se rritja është mbështetur nga çmime më të larta ose nga mallra me vlerë më të madhe, dhe jo nga shtimi i volumit të dërgesave.
Lëndët djegëse minerale, vajrat minerale dhe produktet e distilimit dominuan eksportet shqiptare drejt Kosovës, me një vlerë prej rreth 8.9 miliardë lekësh.
Pas tyre u renditën kripërat, sulfuret, oksidet, gëlqerja dhe çimentoja, me rreth 2.2 miliardë lekë, si edhe zarzavatet me mbi 1 miliard lekë.
Peshë të konsiderueshme kishin gjithashtu mjetet e transportit, artikujt prej gize dhe çeliku, bojërat, pijet, makineritë dhe frutat.
Në kahun tjetër, importet në Shqipëri nga Kosova u përqendruan kryesisht te lëndët djegëse, me rreth 1.16 miliardë lekë, si edhe te artikujt prej guri, allçie dhe çimentoje, me rreth 1.06 miliardë lekë.
Ndër kategoritë kryesore renditeshin edhe plastika dhe artikujt prej saj, kafshët e gjalla, mobiliet dhe pijet. /Buletini Ekonomik/
LEXO EDHE:
Investimet Kosovë–Shqipëri gjatë vitit 2025: Sa kapital u shkëmbye mes dy vendeve?










