MINTI synon 100 inspektorë të tregut deri në fund të vitit, aktualisht janë vetëm 25

Inspektorati i Tregut në Kosovë aktualisht funksionon me vetëm 25 inspektorë, ndërsa Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) synon që deri në fund të vitit ta rrisë këtë numër në 100.

Ministrja e MINTI-t, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se gjatë muajit gusht numri i inspektorëve të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut do të rritet nga 25 në 43, ndërsa objektivi përfundimtar është katërfishimi i kapaciteteve deri në fund të vitit.

Sipas ministres, rritja e numrit të inspektorëve synon forcimin e mbikëqyrjes së tregut dhe mbrojtjen e konsumatorëve nga shkeljet, manipulimet dhe praktikat e kundërligjshme nga operatorët ekonomikë.

Gjatë periudhës së fundit, në bazë të njoftimit, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka zhvilluar një sërë aksionesh në terren, duke përfshirë kontrollet për zbatimin e vendimit për shitjen e derivateve të naftës, inspektimin e njehsorëve elektrikë, kontrollin e etiketimit të produkteve ushqimore, si dhe mbikëqyrjen e bizneseve që operojnë pa licencë.

Kusari-Lila tha se inspektimet do të vazhdojnë në baza ditore me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe zbatimit të legjislacionit në fuqi. /Buletini Ekonomik/