Mikrofinancat dhe institucionet financiare jo-bankare në Kosovë shënojnë rritje dyshifrore për të katërtin vit radhazi

Euro

Kreditë vazhdojnë të dominojnë strukturën e aseteve të këtij sektori me pjesëmarrje prej 73.9 për qind. Kreditë ndaj ekonomive familjare, në sektorin mikrofinanciar dhe financiar jo-bankar të Kosovës, në fund të vitit 2025 u rritën për 22.7 për qind nga 19.9 për qind në vitin 2024, duke arritur vlerën në 324.1 milionë euro. Kreditë ndaj korporatave jofinanciare u rritën për 24.3 për qind nga 30.8 për qind në vitin 2024, duke arritur vlerën në 227.8 milionë euro në fund të periudhës. Në dhjetor të vitit 2025, norma mesatare e interesit në kreditë nga institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jo-bankare ishte 18.3 për qind.

Buletini Ekonomik

Sektori mikrofinanciar dhe ai financiar jo-bankar vazhdoi rritjen dyshifrore për të katërtin vit me radhë, konstatohet në Raportin 2025 të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

Sipas të dhënave të paraqitura në këtë raport, vlera e aseteve në sektorin mikrofinanciar dhe financiar jo-bankar të Kosovës arriti në 747.0 milionë euro në fund të vitit 2025, duke shënuar rritje vjetore prej 20.7 për qind, e cila është për 1.7 për qind më e lartë se në vitin paraprak.

Kreditë vazhdojnë të dominojnë strukturën e aseteve të këtij sektori me pjesëmarrje prej 73.9 për qind, pasuar nga lizingjet me 10.4 për qind. Mjetet e mbajtura në sektorin bankar përbënin 9.1 për qind të aseteve dhe zërat e tjerë bilancorë përbënin pjesën e mbetur prej 6.6 për qind.

Aktiviteti kreditor i sektorit mikrofinanciar dhe atij financiar jo-bankar vazhdoi të rritet, thuhet në Raport, ndonëse me ritëm më të ngadalësuar për vitin e dytë me radhë, duke arritur në 551.9 milionë euro, që paraqet rritje vjetore prej 23.3 për qind.

Të dy segmentet e sektorit privat, korporatat jofinanciare dhe ekonomitë familjare, shënuan rritje dyshifrore.

Kreditë ndaj ekonomive familjare u rritën për 22.7 për qind nga 19.9 për qind në vitin 2024, duke arritur vlerën në 324.1 milionë euro.

Kreditë ndaj korporatave jofinanciare u rritën për 24.3 për qind nga 30.8 për qind në vitin 2024, duke arritur vlerën në 227.8 milionë euro në fund të periudhës.

Kreditimi ndaj korporatave jofinanciare ka vazhduar të rritet me ritëm të lartë për të katërtin vit me radhë, por me trend ngadalësues në dy vitet e fundit në të gjithë sektorët ekonomikë, në veçanti sektori i tregtisë.

Kreditë bujqësore kanë peshë më të madhe (24.2 për qind), duke dhënë kështu kontributin më të lartë në rritjen e kreditimit ndaj korporatave jofinanciare.

Vlera e kredive ndaj sektorit të bujqësisë arriti në 55.0 milionë euro, që përkon me rritje vjetore prej 23.3 për qind.

Rritja e theksuar e kredive për sektorin e bujqësisë prej vitesh vazhdon të mbështetet nga garancionet kreditore nga Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK).

Sipas Raportit 2025 të BQK-së, lizingjet janë kategoria e dytë më e rëndësishme për nga pesha në strukturën e aseteve të sektorit mikrofinanciar dhe jo-bankar.

Për dallim nga ecuria e aktivitetit kreditues që është duke u rritur me ritëm të shpejtë, aktiviteti i lizingjeve, veçanërisht në tri vitet e fundit, është ngadalësuar theksueshëm, me vitin e kaluar që u karakterizua me rënie vjetore.

Lizingjet në vitin 2025 arritën vlerën prej 77.7 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 4.0 për qind (shih grafikun 41).

Në rritje, kontributin kryesor e kishte segmenti i ekonomive familjare, të cilat përbëjnë 40.8 për qind të gjithsej lizingjeve. Ky segment shënoi rritje vjetore prej 14.2 për qind dhe arriti vlerën në 31.7 milionë euro në fund të vitit 2025.

Kurse, lizingu për korporatat jofinanciare, të cilat kanë dhe peshën më të madhe prej 59.2 për qind në gjithsej lizingjet, u karakterizua me rënie vjetore prej 2.0 për qind dhe zbriti në 46.0 milionë euro në fund të vitit 2025.

Në dhjetor 2025, norma mesatare e interesit në kreditë nga institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jo-bankare ishte 18.3 për qind, duke u zvogëluar për 0.5 pikë përqindje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Norma e interesit për kreditë ndaj ekonomive familjare shënoi po ashtu rënie për 0.5 pikë përqindje, duke zbritur në 21.2 për qind. Norma mesatare e interesit në kreditë konsumuese po ashtu është zvogëluar për 1.0 pikë përqindje, dhe ajo e kredive hipotekare për 2.9 pikë përqindje.

Në Raport thuhet se norma e interesit në kreditë ndaj sektorit të shërbimeve u zvogëlua për 0.7 pikë përqindje, në 14.5 për qind, përderisa për sektorin e industrisë dhe bujqësisë u rritën për 1.4 dhe 0.3 pikë përqindje, respektivisht, duke rezultuar në 17.4 dhe 16.6 për qind në dhjetor 2025.

Në kuadër të të hyrave, kategoria e të hyrave nga interesi dominon me 84.3 për qind pjesëmarrje. Këto të hyra shënuan rritje vjetore prej 19.9 për qind në vitin 2025, nga 23.8 për qind në vitin e kaluar, kryesisht si rezultat i rritjes së të hyrave nga interesi në kredi.

Kategoria e të hyrave nga jointeresi, që përbën 15.7 për qind të gjithsej të hyrave, shënoi rritje vjetore prej 17.7 për qind, nga 58.3 për qind që rritej një vit më parë.

Rritja e theksuar në vitin e kaluar e kësaj kategorie, sipas vlerësimeve të Raportit, ishte si rezultat i rritjes së të hyrave të tjera operative në 8.8 milionë euro nga 3.9 milionë euro në vitin 2023, kurse në vitin 2025 kjo nënkategori arriti vlerën prej 10.5 milionë euro. Ky zhvillim me efekt të lartë në vitin e kaluar ishte rezultat i riklasifikimit si IMF/IFJB të një institucioni financiar, i cili në të kaluarën operonte si ndihmës financiar.

MË SHUMË:

Çka tregon dominimi i kredive për ekonomitë familjare te mikrofinancat në Kosovë?

Në kuadër të shpenzimeve, pagesat e interesit, të cilat përbëjnë 34.2 për qind të gjithsej shpenzimeve, shënuan rritje vjetore prej 22.9 për qind dhe arritën në 28.8 milionë euro.

Ndërsa, shpenzimet e jointeresit, që përfaqësojnë peshën më të madhe me 48.5 për qind, u rritën për 17.7 për qind në baza vjetore, duke arritur në 40.9 milionë euro. Kjo rritje u ndikua kryesisht nga shtimi i shpenzimeve për personelin dhe provizionet.

Mbulueshmëria e KJP-ve me provizione zbriti në 77.7 për qind në dhjetor 2025, duke reflektuar rritjen relative më të lartë të hyrave kundrejt rritjes së shpenzimeve. Indikatorët kryesorë të profitabilitetit shënuan përmirësim në dhjetor 2025, me kthimin në mesataren e aseteve me rritje për 0.1 pikë përqindje dhe kthimin në mesataren e kapitalit për 1.0 pikë përqindje.

Raporti i kredive joperformuese ndaj gjithsej kredive të sektorit në fund të vitit 2025 mbeti i ngjashëm me vitin e kaluar, në 1.6 për qind, kurse mbulueshmëria e KJP-ve me provizione vazhdon të jetë e qëndrueshme, ndonëse zbriti lehtësisht në 147.6 për qind nga 148.4 për qind një vit më parë. /Buletini Ekonomik