36 persona morën rroga në MMPH pa dalë në vendin e punës

Gjatë vitit 2019, 36 punonjës në Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) kanë marrë paga pa dalë fare në punë. Sipas Auditorit, e njëjta situatë kishte ndodhur edhe në vitin 2018, por ministria nuk kishte ndërmarrë hapa në këtë drejtim.

“Në MMPH ishin caktuar të punojnë 38 ish pjesëtar të “Mbrojtjes Civile” të cilët ishin pajisur me akt emërime të cilat ua kanë siguruar vendin e punës. Ne kemi vërejtur se për 36 zyrtarët e lartcekur, ministria nuk ka dëshmi për ta konfirmuar prezencën e tyre në vendin e punës, apo raporte për punën e kryer gjatë vitit 2019, përderisa ministria kishte bërë pagesën e rregullt të pagave të tyre”, thuhet në raportin e Auditorit për këtë ministri.

Vlera financiare për shpenzimet e pagave për vitin 2019 për këta 36 zyrtar ishte 163,198 euro. Kjo gjendje ishte e njëjtë edhe në vitin e kaluar dhe e njëjta ishte raportuar në raportin e auditimit për vitin 2018.

Reklama e sponzorizuar

Sipas Auditorit, kjo ka ndodhur për shkak se nuk janë zbatuar kontrollet menaxheriale për të siguruar se të gjithë të punësuarit janë të pranishëm në vendin e punës gjatë orarit të punës.

Ligji 03/L-149 Për Shërbyesit civil të Republikës së Kosovës, neni 36 parasheh që: ‘Orari i punës së nëpunësve civilë nuk do të tejkalojë dyzet (40) orë në javë, përveç nëse është përcaktuar ndryshe me këtë ligj’ .

Po ashtu rregullorja 05/2010 për orarin e punës neni 7 parasheh që: “ Gjatë orarit të punës të gjithë nëpunësit civil janë të obliguar të jenë në vendin e punës. Çdo nëpunës civil shënohet në librin e vijueshmërisë apo në regjistrin elektronik”. /Buletini Ekonomik/