Tre ish-drejtuesit e Telekomit sërish para gjykatës, ngarkohen për afro 30 milionë euro

Së bashku me Agron Mustafen, sot do të dalin sërish para gjykatës për t’u përballur me akuzat për korrupsion edhe dy ish-drejtuesit tjerë të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), tash Telekomi i Kosovës, Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj.

Në këtë rast i cili është i njohur si “Posta” dhe është edhe rast i shenjëstruar për liberalizim të vizave, Mustafa, Qerimi dhe Gjonbalaj po pretendohet se i kishin shkaktuar Telekomit të Kosovës humbje afro 30 milionë euro, lidhur me kontratën e nënshkruar me “Z-Mobile”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këtë rast, sot me fillim nga ora 9:30 në Gjykatën Themelore në Prishtinë do të mbahet seanca e radhës.

Reklama e sponzorizuar

Seanca e fundit për këtë rast ishte mbajtur me 16 qershor, ndërsa me 23 qershor ishte caktuar të mbahej edhe seanca e radhës por që ishte anuluar, dhe  nga zyra e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Lutfi Shala, për “Betimi për Drejtësi”, kishin bërë të ditur se seanca e paraparë për këtë 23 qershor ishte anuluar me kërkesë të avokatit Teki Bokshi, mbrojtës i të akuzuarit Gjonbalaj.

Sipas aktakuzë së ndryshuar në seancën e 20 majit 2021, Ejup Qerimi nga shkurti 2012 e deri në tetor 2014, nuk i kishte përmbushur detyrat e tij zyrtare në cilësinë e Kryeshefit Ekzekutiv të PTK-së, me qëllim që ti shkaktoj dëm PTK-së duke mos e zbatuat kontratën e lidhur me Z-Mobile të datës 16 janar 2009.

Për shkak të kësaj, sipas PSRK-së kishte ardhur deri tek vonesa në lifterimin e sim-kartelave, duke mos e furnizuar operatorin “Dardafon.net L.L.C”, (Z-Mobile) me bllokun e numeracionit, edhe pse nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), ishte marrë vendim për rezervimin e serisë se numeracionit 045 për përdorim nga Z-Mobile.

Mirëpo sipas PSRK-së, Qerimi me dashje dhe duke qenë në dijeni kishte refuzuar që ti zbatojë këto vendime të plotfuqishme, ku si rezultat i kësaj procedura ishte zhvilluar pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, e cila gjykatë e kishte vlerësuar përgjegjës PTK-në.

Për këtë, Telekomi i Kosovës ishte detyruar që Z-Mobile t’ia paguajë shumë 32,856,407.28 euro, pa i llogaritur shpenzimet e krijuara lidhur me procedurat gjyqësore.

Edhe i akuzuari Agron Mustafa sipas aktakuzës së ndryshuar, po dyshohet se nga 23 shkurti 2015, në pozitën e kryeshefit ekzekutiv të PTK-së, deri në fillim 2018, nuk e kishte zbatuar vendimin e ARKEP-it për rezervimin e serisë së numeracionit 045 për Z-Mobile dhe nuk e kishte parandaluar inicimin e procedurën pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Ndërsa Rexhë Gjonbalaj sipas kësaj aktakuze, nga 16 janari 2009, nuk i kishte përmbushur detyrat zyrtare të kryesuesit të Bordit të Drejtorëve të PTK-së, nuk kishte marrë asnjë vendim për përmbushjen e obligimeve sipas vendimit të ARKEP-it edhe pse nga përfaqësuesit e Z-Mobile dhe nga drejtorit menaxhues Milot Gjikolli, i ishte tërhequr vërejtja se nëse përmbushen obligimet e dëmtuara çështjen do ta dërgoj në Arbitrazh.

Për këto veprime, tre të akuzuarit po dyshohen se kanë krye veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga nenin 422, paragrafi 1, i Kodit Penale të Republikës së Kosovës.