Çka është EURIBOR dhe pse është e rëndësishme të dimë për të?

EURIBOR (shkurt për Euro InterBank Offered Rate ose përkthyer si Norma NdërBankare e Afatizimeve të Eurove) janë norma të interesit mbi depozitat/afatizimet me afate të ndryshme maturimi (përfundimi) që përcaktohen nga një panel i disa bankave elitare të mëdha në tregjet e parasë (kryesisht evropiane).

Për më shumë informata, sidomos rreth normave, mund të referoheni në ëeb faqen: www.euribor-rates.eu/ ose në ndonjë faqe tjetër që mund t’u duket më e përshtatshme përmes Google.

Normat e EURIBOR përcaktohen në baza ditore, të rrumbullaksuara në 3 decimale, dhe publikohen rreth orës 11:00 sipas kohës së Evropës Qendrore.

Reklama e sponzorizuar

Varësisht nga data e përfundimit (maturimit), ekzistojnë 15 norma afatizimi EURIBOR, dhe ato janë:

Më të përdorshmet janë Euribor:

1𝑾 (1 𝒘𝒆𝒆𝒌 – 1 𝒋𝒂𝒗𝒐𝒓),

1𝑴 (1 𝒎𝒐𝒏𝒕𝒉 – 1 𝒎𝒖𝒋𝒐𝒓),

3𝑴 (3 𝒎𝒐𝒏𝒕𝒉 – 3 𝒎𝒖𝒋𝒐𝒓),

6𝑴 (6 𝒎𝒐𝒏𝒕𝒉 – 6 𝒎𝒖𝒋𝒐𝒓),

12𝑴 𝒐𝒔𝒆 1𝒀 (12 𝒎𝒐𝒏𝒕𝒉, 1 𝒀𝒆𝒂𝒓 – 12 𝒎𝒖𝒋𝒐𝒓 𝒐𝒔𝒆 1 𝒗𝒋𝒆ç𝒂𝒓)

Më pak të përdorshmet: 2W (2 week – 2 javor), 3W (3 week – 3 javor), 2M (2 mujore), 4M, 5M, 7M, 8M, 9M, 10M dhe 11M.

PSE NA INTERESON EURIBOR?

Bankat tona komerciale, përveç kredive me norma fikse, ofertojnë edhe kredi me norma variabile (të ndryshueshme) të interesit. Dhe, në rastin e kredive me normë variabile, referencë për normë të aplikueshme në të ardhmen, ato kryesisht e përdorin Euriborin.

SHEMBULL: Një kredi mund ta ketë kushtin e normës variabile të definuar në këtë mënyrë: Norma fikse prej 4% + Euribor 6M (i përcaktuar sipas datës së fundit të muajit Qershor dhe Dhjetor të çdo viti). Por jo nën normën prej 3.80%. Keshtu, themi që norma fillestare e kredisë ka qenë 4.2%. Pas 6 muajve, bëhet rishikimi i normës së Euribor 6M në tregje financiare, nga ku identifikohet që norma e Euribor 6M më datë 30.06. ka qenë +0.5%. Në këtë rast, Norma e kredisë kalon në normë të kredisë 4.5% (4% + 0.5%) për 6 muajt e radhës. Dhe me këtë normë, ngarkohet interesi që duhet të paguhet për ata muaj. Pastaj, më 31.12. shohim që norma e Euribor 6M ka kaluar në -0.15%. Logjika e njëjtë, për 6 muajt pasues, kalkulimi i interesit të aplikuar në pjesën e mbetur të kredisë do të përllogaritet me normën prej 3.85% (4% + (-0.15%)).

Rrjedhimisht, ne mund të shohim historikun e lëvizjes së kësaj norme në vitet e fundit, dhe të parashohim të ardhmen e saj. Zakonisht nuk ka lëvizje të mëdha, përveç në rastet kur kemi ndryshime signifikante në tregjet ekonomike.

FAKTE INTERESANTE: Bankat tona komerciale, për kreditë me norma variabile, kujdesen që gjithmonë të caktojnë një normë dysheme (më të ultën e mundshme), mirëpo zakonisht nuk e përcaktojnë edhe një normë tavan (më të lartën e mundshme). Me këtë rast, ato i mbrojnë interesat e veta, por jo edhe ato të klientit. Përveç në rastet kur klienti, me vetëdije të plotë, kërkon nga banka komerciale që në kontratën e kredisë ta përfshijë edhe normën tavan. /Buletini Ekonomik/

Përgatiti:

Kushtrim Morina, Konsulent financiar.