Sa kushtojnë “pastat” në Kosovë, dita-ditës pjesë e qenësishme e gastronomisë dhe tryezave tona

Past
Pastat

“Pastat”, emërtim i “importuar” nga Shqipëria, ku po ashtu është “importuar” nga italianët, sikundër edhe shumë fjalë e emërtime të tjera, për grupin e produkteve ushqimore të “familjës” së makaronave, në vitet e pasluftës, janë bërë pjesë e rëndësishme dhe goxha e qenësishme në gastronominë kosovare dhe në tryezat tona.

Thjesht, gjithnjë e më shumë konsumohen, duke u gatuar po ashtu gjithnjë e më shumë me receta prej më të ndryshmeve dhe të shumta.

Të sjellura tek ne nga gastarbajterët, gastronomët, por edhe duke i marrë nga librat e ndryshëm të gastronomisë.

Reklama e sponzorizuar

Pos preferencave për shijen e tyre, sipas kuzhinerëve tanë, kohët e fundit në Kosovë ka filluar dhe është rritur dukshëm konsumimi dhe përdorimi i pastave edhe për shkak se ato gatuhen shpejtë dhe janë lehtësisht të gatshme për tryezë brenda një kohe fare të shkurtër.

Për shkak të kërkesave gjithnjë e më të shtuara për makarona, shpageta dhe lloje të tjera të produkteve të kësaj “familjeje” të ushqimeve, tashmë për supërmarkete dhe shitore të tjera ushqimore ka ofertë të lakmueshme për këto produkte, përkatësisht nëpër markete e dyqane më të vogla ka më bollëk makarona  shpageta dhe të tjera këso produktesh, të cilat , në të shumtën janë nga importi dhe kryesisht nga Italia.

Edhe pse ka disa lloje të makaronave dhe të shpageteve, sidomos, madje ndër to aty këtu gjen edhe vendore, ‘Divella’ dhe ‘Barilla’ italiane janë më të kërkuarat nga konsumatorët kosovarë dhe shitën më shumë.

Aktualisht një pako e makaronave ‘Divella’ kushton 89 centë, që është prodhim italian, ndërsa pakoja e makaronave të tjera italiane që preferohen ‘Barilla’ kushton 1 euro e 9 centë.

Edhe një pako e makaronave ‘Reggia’ nëpër marketet në vend tregtohet për 89 centë, ndërsa makaronat ‘Ganoro’ tregtohen për 1 euro e 9 centë.

Para ngritjes së çmimeve, këto produkte kanë kushtuar për 20-30 centë më lirë.

Përveç këtyre llojeve, marketet në vend kanë edhe makarona pa gluten. Një pako e makaronave të llojit ‘Schar Pasta Fusilli’ kushton 1 eruo e 99 centë.

Mirëpo, përveç makaronave, konsumatorët në vend kanë interes mjaftë të madh edhe për shpageta. Një pako e shpagetës së llojit ‘Divella’ kushton poashtu 89 centë, ndërkaq i atyre të ‘Barillës’ kushton poashtu 1 euro e 9 centë.

Përveç këtyre llojeve të cilat janë prodhim italian, nëpër markete gjendet edhe makarona dhe shpageta të prodhuara në Kosovë. Një pako e llojit ‘Pi&Ki’, tregtohet për 75 centë. Ato pa gluten nëpër markete shiten për 1 euro e 49 centë.

Krahas shitjes dhe kërkesës së madhe të makaronave dhe shpagetave, në Kosovë kanë filluar të shiten edhe pastat e llojit ‘Noodels’ të cilat importohen nga Serbia.

Një pako e tyre kushton 35 deri ne 69 centë varësisht edhe nga lloji i tyre, ndërkohë që ka edhe prej tyre që janë të gatshme të cilat tregtohen për 40-50 centë më shtrenjtë.

Shitësit e marketeve teksa pyeten se pse kjo kërkesë kaq e madhe për shitje të pastave kohëve të fundit në Kosovë, thonë se për shkak të shpejtësisë së përgatitjes.

Sipas tyre, meqenëse nuk duhet shumë kohë dhe janë të thjeshta për përgatitje ato kanë marrë një vrull të madh të shitjes.

Ata poashtu pohojnë se makaronat vendor nuk kanë shitje të madhe, dhe se kërkesa pothuajse është shumë e vogël për ta edhe pse çmimi i tyre është më i ulët, mirëpo siç thonë ata ndoshta për shkak të sygjerimeve të përdorimit nga reklamat e ndryshme.(Blendrita Avdiu) /Buletini Ekonomik/