Kontraktimi i ekonomisë së zonës euro do të jetë me shumë mundësi nën kontroll. Ishte kjo deklarata e presidentes së Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, në Forumin Botëror Ekonomik të Davosit. Sipas saj të dhënat tashmë janë shumë pozitive, por pavarësisht kësaj nuk pritet që viti 2023 të jetë i shkëlqyeshëm.
Lagarde theksoi se gjithsesi ky vit do të jetë shumë më mirë se ajo që pritej, pasi tregu i punës nuk ka qenë asnjëherë kaq i gjallë sa aktualisht. Por ajo shtoi se inflacioni është ebde në një nivel shumë të lartë dhe BQE vlerëson të gjitha elementet që e përbëjnë. Por nga cdo këndvështrim që të shihet inflacioni mbetet shumë i lartë. Lagarde tha se objektivi mbetet i njëjtë: ulja deri në 2% e inflacionit në mënyrë të koordinuar, duke rritur normat e interesit deri sa niveli të ulet.
Sipas të dhënave të publikuara pak orë më parë, inflacioni në zonën euro u ul në muajin dhjetor në 9.2% nga 10.1% në muajin nëntor. Por është rritur komponenti kryesor, ai më i ndjeshmi për Bankën Qendrore Europiane: indeksi i pastruar nga energjia dhe prodhimet ushqimore nga 6.6% ka shkuar në 6.9%.
Lagarde u shpreh se situata duhet të lëvizë drejt një tranzicioni dixhital dhe të gjelbër, pasi kjo tashmë është një domosdoshmëri. Presidentja e BQE-së theksoi se financimet për të hedhur hapat e duhur do të jenë fenomenale dhe se kjo lëvizje duhet kryer sa më shpejt./Scan tv/