Për pesë muaj deputetët morën rreth 45 mijë euro mëditje

Kuvendi i Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë pagën ndër më të madhen në Kosovë. Përveç pagës bazë që marrin prej 1488 euro, ligjvënësit kosovarë marrin shuma të majme të parave edhe nga mëditjet e udhëtimeve jashtë Kosovës, por edhe kur marrin pjesë në seanca plenare e mbledhje të komisioneve parlamentare. Kështu ata mesatarisht marrin rreth 2 mijë euro në muaj.

Deputetët e Legjislaturës VI, në pesë muajt e fundit të kësaj legjislature, nga data 01-04-2019 deri me më datën 31-08-2019 kanë harxhuar mijëra euro në udhëtime zyrtare, e mëditje.

Në bazë të raportit pesë mujor të Kuvendit të Kosovës, deputetët e legjislaturës së gjashtë kanë marrë rreth 45 mijë euro mëditje nga udhëtimet zyrtare që kanë realizuar jashtë Kosovës brenda kësaj periudhe, shkruan FaktePlus.

Reklama e sponzorizuar

Sipas raportit, i cili është hartuar për periudhën 01-04-2019 deri me më datën 31-08-2019, ligjvënësit kosovarë kanë marrë plotë 44 mijë e 861 euro e 95 cent.

“Mëditja e udhëtimit zyrtar jashtë vendit: 44 mijë e 861euro e 95 cent”, thuhet në raportin e Kuvendit.

Vetëm për një udhëtim në Zvicër, ish- deputeti i PDK-së, Andin Hoti, kishte marrë mëditje 1 mijë e 56 euro.

Këto mëditje deputetët i kanë marrë nga udhëtimet zyrtare jashtë Kosovës që kanë realizuar brenda këtij pesë mujori.

Për periudhën nga 01-04-2019 deri me më datën 31-08-2019 deputetët kanë realizuar 105 vizita jashtë vendit, ku disa deputetë kanë realizuar dy e me shumë vizita.

Për akomodimin e deputetëve në vizitat e tyre jashtë Kosovës, Kuvendi ka harxhuar plotë 40 mijë e 94 euro e 39 cent.

“Akomodim gjatë udhëtimit zyrtar jashtë vendit: 40 mijë e 94 euro e 39 cent”, thuhet në raportin e Kuvendit për shpenzimet gjatë periudhës pesë mujore, shkruan FaktePlus.

Ndërsa, janë edhe 6 mijë e 639 euro shpenzime tjera të shpenzimit të udhëtimit zyrtar jashtë Kosovës.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, gjatë kësaj periudhe pesë mujore ka realizuar shtatë udhëtime zyrtare jashtë vendit.

Ndërsa, kampion për realizimin e udhëtimeve jashtë vendit është nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti, i cili ka realizuar 15 vizita jashtë Kosovës për këtë periudhë pesë mujore.

Me vizita jashtë vendit nuk e kishte lënë keq as deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, i cili për pesë muaj ka realizuar nëntë (9) vizita zyrtare jashtë shtetit.

Organizatat e Shoqërisë Civile që monitorojnë punën e Kuvendit vlerësojnë se legjislativi ka bërë regres në aspektin e transparencës financiare.

Agnesa Haxhiu, nga Instituti Demokratik i Kosovës, që monitorojnë punën e Kuvendit ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se Kuvendi përveç mos publikimit me kohë të raporteve financiare, edhe kur i ka publikuar, i ka bërë me mangësi.

“Kuvendi gjatë legjislaturës së VI-të ka shënuar regres në transparencë financiare. Kuvendi nuk e ka respektuar çdo herë praktikën e publikimit me kohë të raporteve financiare në baza tre mujore, dhe të njëjta kanë pasur mungesa të informacioneve sa i përket shpenzimeve të deputetëve jashtë vendit dhe arsyet e atyre vizitave. Në të gjitha raportet financiare të publikuar gjatë kësaj legjislature mungojnë të dhënat lidhur me arsyet e vizitave të deputetëve jashtë vendit, shpenzimet për biletat për secilin deputetë që ka realizuar udhëtim dhe datat e qëndrimit të deputetëve nëpër vendet e vizituara. Mungesa e këtyre të dhënave e kufizon vlerësimin e menaxhimit të buxhetit nga ana e Kuvendit”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka shtuar se KDI në vazhdimësi i ka bërë thirrje Kryesisë së Kuvendit që të mos krijojë praktikë aprovimin e kërkesave për udhëtimet individuale të deputetëve të cilat nuk ndërlidhen direkt me funksionet dhe detyrat e tyre që i gëzojnë përgjatë mandatit të tyre.

Po ashtu, Haxhiu thotë se në funksion të rritjes së transparencës, KDI ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të publikojë vendimet e Kryesisë së Kuvendit për secilin udhëtim të aprovuar të deputetëve./FaktePlus