“Energjia me erë është potenciali më i rëndësishëm ekonomik dhe me rolin më të madh prodhues dhe eksportues për situatën aktuale të Kosovës”, vlerëson Besfort Kosova nga Ballkan Green Foundation. Sipas tij, në këtë kohë krize energjetike për Kosovën, nuk duhet të nënvlerësohet as energjia nga dielli. Hulumtuesi nga ‘Ballkan Green Foundation’ thotë se energjia nga era e ka potencialin e prodhimit më të madh sesa çdo burim tjetër energjetik i rinovueshëm, për faktin se nuk është edhe aq i varur nga stinët dhe nga variacionet ditë-natë, siç janë në këtë rast panelet solare. Kurse, thëngjillin e ‘bollshëm’ të Kosovës, Besfort Kosova e sheh si jo-efiçientë, me dëme të konsiderueshme mjedisore e kosto të mëdha shëndetësore.
(Intervistë e Buletinit Ekonomik me Besfort Kosova, nga Balkan Green Foundation – Hulumtues dhe menaxher i projektit “Kapërcimi i Gjelbër – Drejt ekonomive vendore nëpërmjet investimeve inteligjente”)
Mirjeta SHABANI
Besfort Kosova nga ‘Ballkan Green Foundation’, njohës i mirë i fushës energjetike, në një intervistë të gjatë për Buletinin Ekonomik ka shpalosur disa prej mundësive reale që mund t’i shfrytëzojë Kosova në këtë situatë kritike që ndodhet shkaku i krizës energjetike në botë.
Ai thotë se hapi i parë i rëndësishëm për ta zbutur mungesën e energjisë elektrike në Kosovë, ka qenë ndikimi dhe kontrollimi i kërkesës, ku vendosja e bllok tarifave në muajin shkurt nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), ka ndikuar drejtpërdrejt në konsum. Por, përpos kontrollimit të konsumit, ai vlerëson që me rëndësi është edhe përfundimi i kornizës ligjore dhe strategjike të sektorit të energjisë në vend, i cili duhet të jetë i përditësuar dhe në rrjedhë me zhvillimet e kohës.
Kosova vlerëson gjithashtu se është imperative që të përfundojë sa më parë miratimi i Strategjisë së re të Energjisë dhe përcaktimi i rrugës së qartë drejt zhvillimit të sektorit të energjisë në Kosovë.
Vendi ka nevojë urgjente për rritjen e prodhimit të energjisë elektrike dhe aktualisht, sipas Besfort Kosovës nga BGF, forma më e lehtë, më e shpejtë dhe me mundësinë më të mirë për financim, mbesin Burimet e Rinovueshme të Energjisë (BRE), përkatësisht projektet që ndërlidhen me energjinë e erës. Porse, miratimi i ligjit për BRE-të dhe mbi të gjitha vendosja e sistemit të ri të ankandeve për energjinë e ripërtëritshme, janë parakushte që ky potencial i gjenerimit të rritet ndjeshëm dhe të ketë ndikim substancial në energjetikën kosovare.
Sa i përket energjisë së gjeneruar nga thëngjilli, hulumtuesi nga BGF thotë se Kosova ka centrale të stërvjetëruara, të mbishfrytëzuara, jo-efiçiente dhe që shkaktojnë dëme të konsiderushme mjedisore – por edhe ekonomike në mungesë të efiçiencës në operim, por edhe kosto të mëdha shëndetësore që ndikojnë negativisht në produktivitetin e fuqisë punëtore për shkak të ndotjes së ajrit që shkaktojnë.
E si rezultat i këtij resursi dhe mungesës së theksuar të alternativave tjera energjetike, si p.sh., mungesa e rrjedhave të mëdha të ujit për hidrocentrale, vendi ynë do të jetë i detyruar që për një kohë të gjatë energjinë bazë ta marrë pikërisht nga thëngjilli, kurse energjia e ripërtëritshme do të ketë një rol të rëndësishëm mbështetës në këtë sektor, si një rezervë strategjike shumë e rëndësishme.
Intervista e plotë e Buletinit Ekonomik me Besfort Kosova:
Buletini Ekonomik: Kosova ka mungesë evidente të energjisë elektrike dhe kjo u shpërfaqë frikshëm në muajt kur eskaloi kriza globale energjetike dhe kur u rrezikua realisht ekulibri financiar i shtetit nga shpenzimi i mjeteve të shumta financiare të dedikuara për import të shtrenjtë të rrymës. Çka duhet bërë urgjentisht Kosova apo autoritet e saj, sipas jush, për ta zbutur këtë mungesë të energjisë elektrike?
Besfort Kosova: Hapi i parë i rëndësishëm është ndikimi dhe kontrollimi i kërkesës. Në këtë rast vendosja e bllok-tarifave ka ndikuar direkt në konsum, përndryshe situata do të dilte nga kontrolli dhe do të rrezikohej shumë shpejtë edhe vet rrjeti elektrik dhe siguria e furnizimit me energji elektrike. Përpos kontrollimit të konsumit, është me rëndësi që të përfundojë korniza ligjore dhe strategjike e sektorit të energjisë, të jetë i përditësuar dhe në rrjedhë me zhvillimet e kohës dhe kështu është imperative që të përfundojë sa më parë miratimi i Strategjisë së re të Energjisë dhe përcaktimi i rrugës së qartë drejtë zhvillimit të sektorit të energjisë.
Vendi ka nevojë urgjente për rritjen e prodhimit të energjisë elektrike dhe aktualisht forma më e lehtë, më e shpejtë dhe me mundësinë më të mirë për financim, mbesin BRE-të, përkatësisht projektet që ndërlidhen me energjinë e erës. Miratimi i ligjit për BRE-të, por mbi të gjitha vendosja e sistemit të ri të ankandeve për energjinë e ripërtëritshme, janë parakusht që ky potencial i gjenerimit të rritet ndjeshëm dhe të ketë ndikim substancial.
Lexoni edhe këtë:
Buletini Ekonomik: Mos po anashkalohet paksa shpejt qymyri, resursi që Kosova e ka me bollëk falë rezervave kolosale dhe thuaja në sipërfaqe të tokës, duke kthyer vëmendjen kryekëput te energjia e rinovueshme? Në këtë kontekst, a ka potenciale premtuese Kosova për energji të rinovueshme? Nëse po, cilat janë ato?
Besfort Kosova: Kosova ka rezerva të jashtëzakonshme të thëngjillit që vlerësohen ekonomikisht të eksploatueshme afër 11 miliardë tonë, nga gjithsej 14 miliardë tonë, që ndodhen në dy bazene të mëdha thëngjill-mbajtëse, atë të fushës së Kosovës dhe të fushës së Dukagjinit. Si rezultat i këtij potenciali dhe afërsisë me qendrat kryesore të popullsisë dhe të ndërmarrjeve ekonomike, janë ndërtuar termocentralet në fushën e Kosovës. Këto centrale janë të stërvjetëruara, të mbishfrytëzuara, jo-efiçiente dhe shkaktojnë dëme të konsiderueshme mjedisore – por edhe ekonomike në mungesë të efiçiencës në operim, por edhe kanë kosto të mëdha shëndetësore dhe ndikojnë negativisht në produktivitetin e fuqisë punëtore, për shkak të ndotjes së ajrit që shkaktojnë.
Kosova, si rezultat i këtij resursi dhe mungesës së theksuar të alternativave energjetike, si mungesa e rrjedhave të mëdha të ujit për hidrocentrale, do të jetë e detyruar që për një kohë të gjatë, energjinë bazë ta marrë nga thëngjilli, kurse energjia e ripërtëritshme do të ketë rol të rëndësishëm mbështetës në këtë sektor, por edhe do të ofrojë mundësinë e të qenurit një rezervë strategjike shumë e rëndësishme. Kështu, Termocentrali ‘Kosova B’ duhet të rehabilitohet dhe të bëhet më miqësor me mjedisin dhe kogjenerimi të zgjerohet ende. Ndërsa, duhet të hulumtohet dhe shfrytëzohet mundësia që energjia nga era dhe BRE-të, ta zëvendësojnë gjenerimin e energjisë nga ‘Kosova A’, e cila veçse është pranë fundit të jetës së saj operative/teknike.
Thëngjilli është problematik të ndiqet e të zhvillohet si resurs, sepse problematike janë:
Mekanizmat e financimit – mekanizmat e jashtëm finaciar për thëngjill janë thuajse in-ekzistent dhe kjo teknologji është shumë intenzive në aspektin financiar. Financat e brendshme janë thuajse të pamundura të sigurohen në kuadër të kësaj krize të madhe ekonomike, energjetike dhe sociale që po kalon vendi, me inflacion të madh, presione sociale e sindikale për rritje të rrogave, skemave socale e investimeve infrastrukturore. Ndërsa financimet e brendshme për projekte të tilla, mbartin gjithmonë edhe rrezikun e skandaleve të keqpërdorimeve dhe keq-planifikimeve, në të cilat kanë kaluar edhe shtetet më të zhvilluara se Kosova, kur kanë ndjekur projekte të tilla më vetë-financim, e ku kostot janë tejkaluar shumë herë nga kostot e parashikuara fillestare.
Mbi të gjitha, kostot në investime të tilla, edhe në thëngjill, do të reflektonin prapë se prapë në faturat e qytetarëve, sepse dikush do të duhet të paguajë për investime të tilla. Prandaj, zgjidhje të lehtë në një krizë të tillë energjetike nuk ka. KEK-u prodhon energji të lirë, për vetë faktin se nuk është përfshirë çmimi i ndërtimit dhe i amortizimit në këto centrale të trashëguara.
Problematike mbetet edhe zhvillimi i minierave, menaxhimi i tyre, shpronësimi dhe humbja masive e tokës, ndotja enorme e ajrit, ujit, tokës dhe kostot e mëdha shëndetësore për një rajon që ngërthen së paku 800,000 banorë.
Pastaj obligimet ndërkombëtare të Kosovës drejt ‘Traktatit të Komunitetit të Energjisë’, dekarbonizimit dhe tranzicionit të energjisë, nuk do të arriheshin dhe me këtë do të pamundësohej edhe integrimi evropian. E mos të flasim pastaj për çmimin e karbonit, që Kosova do të duhej të paguante në të ardhmen, duke i bërë investimet e tilla më pak atraktive për zhvillim.
Premtuese dhe me potencialin më të madh mbesin: padyshim era (së paku 1000 MW kapacitet i instaluar dhe gjenerim rreth 2000 GWh/vit – aq sa është prodhimi vjetor, mesatar i TC ‘Kosova A’), por edhe energjia diellore nuk duhet të nënvlerësohet. Ndërsa, duhet të eksplorohet më tepër energjia elektrike nga përdorimi i biomasës, përkatësisht biogazit, që shumë pak është hulumtuar dhe shfrytëzuar tek ne, ndërsa në vende si Gjermania, kjo përbënë një bazë të rëndësishme të gjenerimit të energjisë.
Buletini Ekonomik: Sipas analizave dhe përllogaritjeve të deritanishme, sa megavatorë energji elektrike të ripërtëritshme, po qe se shfrytëzohen të gjitha potencialet (turbinat e mundshme me erë, panelet solare dhe minihidrocentralet ekzistuese), mund të kishte prodhuar Kosova?
Besfort Kosova: Nuk ka një analizë të mirëfilltë të përllogaritjeve se sa megavatorë energji do të prodhohej po të shfrytëzohej i tërë potenciali ekonomik vendor sa i përket BRE-ve, porse duhet të theksojmë se sipas përllogaritjeve të përafërta, numri mund të arrijë në rreth 3600 GWh (i përafërt me prodhimin vjetor/mesatar të TC ‘Kosova B’). Pa dyshim, rolin kryesor e bartë energjia e erës me mbi 2000 GWh, energjia hidrike në varësi të kushteve hidrologjike rreth 600 GWh (me impante të rezervave hidrike reverzibile), dhe një sasi të përafërt prej 800 GWh nga energjia solare dhe afërsisht 200 GWh nga shfrytëzimi i biogazit/biomasës për prodhim të energjisë elektrike. Sfiduese mbetet balancimi i BRE-ve që duhet të investohet në rrjet për integrimin dhe balancimin e këtyre kapaciteteve të BRE-ve dhe që aktualisht Kosova ka potencial të balancimit rreth 600 MW, ndërsa potenciali i gjithëmbarshëm i përafërt i përllogaritur i kapaciteteve totale, i instaluar i BRE-ve sillet në rreth 2000 MW.
Duhet theksuar që Kosova, kërkesën për energji elektrike vjetore e ka në vlerën e përafërt të 6500 GWh. Afërsisht 24% janë humbjet në rrjet përfshirë veriun, dhe afër 4500 GWh është kërkesa nga sektori i amvisërisë, njëherësh konsumuesi më i madh i energjisë elektrike.
Buletini Ekonomik: Sipas disa njohësve të kësaj fushe, te ne vetëm nga turbinat me erë që mund të instalohen në disa vende tashmë të identifikuara për mundësitë e prodhimit të energjisë nga era, pos Shalës së Bajgorës -105 megavatë dhe Kitkës -36 megavatë, tashmë të ndërtuara, si mundësi përmenden edhe Çyçavica, Budakova, Zatriqi dhe Kozhica, vende këto në të cilat mund të prodhohen gjithsej 600 megavatorë energji elektrike. Çka mendoni ju për këto parallogaritje? A janë reale, apo vetëm teza para ngarendjeve për të marrë fonde për investime për energjinë e rinovueshme?
Besfort Kosova: Këto janë pika reale, ku janë duke u zhvilluar matje. Ato kanë treguar një rezultat të mirë dhe premtues të prodhimit të energjisë nga era, disa madje edhe i kanë tejkaluar pritshmëritë. Falë avancimit të teknologjisë së turbinave me erë, rritjes së efiçiencës së tyre dhe faktorit të kapacitetit të tyre, edhe vendet e tjera që më herët janë menduar jo-ekonomike për investim, tanimë veçse po bëhen atraktive ngase turbinat e reja mund të jenë ekonomike dhe me shpejtësi më të ulët të erës se sa ato modelet e mëparshme. Numri prej 600 MW kapacitet i instaluar, mund të arrihet pa ndonjë vështirësi të madhe në Kosovë, sepse potenciali për pikat më të mira vlerësohet në rreth 1000 MW. Investimi në këto kapacitete nënkupton investim paralel edhe në balancim të rrjetit dhe ndërlidhshmëri edhe me shtetet tjera, në mënyrë që të adresohen imbalancat dhe të sigurohen importet/eksportet, përkatësisht tepricat dhe mangësitë në sistem nga këto kapacitete të BRE-ve.
Buletini Ekonomik: Kosova, sipas njohësve të zhvillimeve energjetike, nuk ka shumë potenciale për energjinë solare. Sipas jush, mundësitë për prodhimin e energjisë solare sa janë në vendin tonë?
Besfort Kosova: Energjia solare mund të përdoret më tepër në kuptimin e uljes së faturave dhe uljes së konsumit, kurse roli direkt në sistemin elektro-energjetik është më i vogël. Fuqia më e madhe rregulluese e rrjetit dhe e gjenerimit i takon erës, për shkak se energjia solare ka mangësitë e saj fizike të cilat janë të ditura, sepse natën nuk ka diell ndërsa këto panele funksionojnë me energji të diellit. Sistemet solare kanë impakte të mira në uljen e faturave dhe për ujë sanitar, kurse në total vlerësohet se potenciali total ekonomik është në afërsi të rreth 800 MW kapacitet i instaluar në tërë vendin. Këto duhet të investohen në hapësira të përshtatshme sikurse janë tokat e degraduara, kulmet e shtëpive, kodrat me cilësi të dobët të tokës dhe kulmet e bizneseve, por nuk duhet të investohet në toka bujqësore. Aktualisht, vetëm rreth 15 MW energji solare janë të instaluara sipas të dhënave nga ZRRE-ja.
Si organizatë aktive në fushën e energjisë dhe të qëndrueshmërisë, është kënaqësi të ndajmë me ju se ne si Balkan Green Foundation, në kuadër të projektit – “Kapërcimi i Gjelbër” i mbështetur dhe i financuar nga Bashkimi Evropian, së bashku me komunën e Klinës e Bashkinë Has, dhe në partneritet me qendrën mjedisore “Eden” nga Shqipëria, kemi realizuar kohën e fundit investim me panele solare në shtatë ndërtesa të komunës së Klinës në kapacitet prej 70 KW solare dhe 15 KW termale. Është vlerësuar se aftësia kursyese falë këtyre paneleve, në faturat komunale do të ulet në 30% në vit dhe që mund të replikohet edhe nga komuna tjera në Kosovë por edhe më gjërë. Për referencë, komuna e Prizrenit ndër të rrallat në Kosovë me panele solare, ka vendosur një kapacitet prej 53 KW në ndërtesat e saj.
Buletini Ekonomik: Pse, sipas jush, autoritetet dhe zyrtarët kompetentë po ngurojnë paksa si shumë për të vendosur për projekte të energjisë së rinovueshme, qoftë atyre në bazë të erës, qoftë sosh me diell?
Besfort Kosova: Arsyeja është e thjeshtë – kostoja, dikush duhet të paguajë për këto investime, sepse çdo investim që bëhet në sektorin e energjisë thuajse ka ndikime dhe implikime financiare e tarifore, e të cilat në fund duhet t’i paguajë konsumatori. Kriza ndërkombëtare energjetike dhe çmimet ekstreme të energjisë e kanë ngritur vetëdijësimin e njerëzve në raport me rëndësinë e investimit në energji të ripërtëritshme dhe në efiçiencën e energjisë. Padyshim që çmimet e energjisë elektrike do të jenë një stimulim i drejtëpërdrejtë që këto potenciale energjetike të shfrytëzohen shumë në vitet në vijim dhe të kenë ndikim të drejtëpërdrejtë në gjelbërimin dhe diversifikimin e miksit energjetik në Kosovë.
Buletini Ekonomik: Cilat nga këto kapacitete eventuale, turbinat me erë, apo ato solare, janë më të favorshme për sistemin elektroenergjetik të Kosovës?
Besfort Kosova: Padyshim që energjia me erë është potenciali më i rëndësishëm ekonomik dhe me rolin më të madh prodhues dhe eksportues në situatën e Kosovës, porse nuk duhet të nënvlerësohet as energjia nga dielli. Energjia nga era e ka potencialin e prodhimit më të madh edhe për faktin se nuk është edhe aq i varur nga stina dhe nga variacionet ditë dhe natë, sikurse janë panelet solare. Por ,edhe në lartësi më të mëdha, era frynë më njëtrajtshëm dhe me fuqi më të madhe që është një avantazh tjetër i turbinave përkundër formave tjera të BRE-ve.
Buletini Ekonomik: Po për hidrocentralet, si e vlerësoni mundësinë e prodhimit të energjisë elektrike nga to në Kosovën me pak ujë?
Besfort Kosova: Kosova nuk ka potencial të madh për prodhim të energjisë nga burimet hidrike, për shkak të kufizimeve gjeografike dhe nuk duhet të ndërtojë hidrocentrale të reja të vogla. Kosova ka nevojë që të ndërtojë akumulime dhe liqene në vende të përshtatshme për balancimin e sistemit elektro-energjetik të trajtës së hidrocentraleve reverzibile, por jo të ndërtojë hidrocentrale të vogla me gypa, të cilat e kanë shkatërruar në masë të madhe natyrën, veçanërisht në vende me vlera të mëdha të biodiverzitetit dhe natyrës.
Më shumë:
Buletini Ekonomik: Kohëve të fundit është folur dhe po flitet, ç’është e vërteta me zë të ulët, për nevojën dhe rëndësinë e ndërtimit të një hidrocentrali kosovar në një nga lumenjtë e Shqipërisë, ose të një hidrocentrali në bashkëpunim me Shqipërinë, të kapacitetit rreth 300 megavatë (përmendet konkretisht Hidrocentrali i Skavicës). Ju, çfarë mendoni, a do të ndikonte në stabilizimin e sitemit elektroenergjetik të Kosovës një kapacitet i këtillë?
Besfort Kosova: Ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës nuk do të ketë ndikim të madh direkt në Kosovë. Kosova nuk do të jetë bashkëhidesare në këtë projekt dhe për rrjedhojë përfitimet janë të vogla dhe indirekte për Kosovën. Ky hidrocentral do të mund të shërbente me marrëveshje të veçantë me palën shqiptare për çështje balancimi, porse ndryshimet klimatike dhe ndryshimet në ndryshueshmërinë hidrike dhe thatësira e madhe kohën e fundit (tharja e HC Fierza), e bën investimin në hidrocentrale të mëdha, pak më të vështirë dhe me hije të madhe dyshimi në këto kapacitete e mos të flasim për impaktin e tyre socio-mjedisor.
Në Kosovë, kohën e fundit kemi një aplikacion preliminar në ZRRE (Zyrën e Rregullatorit për Energji) në lidhje me ndërtimin e një hidrocentrali reverzibil në Kosovë, në fuqi të 250 MW në Vërmicë të Prizrenit, me rol të rëndësishëm balancues në sistemin elektroenergjetik të vendit. Ndërtimi i këtij kapaciteti hidrik, do të kishte ndikim më të madh sesa vet HC Skavica për sistemin energjetik të vendit tonë.
Buletini Ekonomik: Krejt në fund, sipas normave dhe kritereve ndërkombëtare tashmë të miratuara, deri më 2050-n do të lejohet të përdoret thëngjilli si resurs energjetik. Ky afat, nuk është i largët. Si do të arrijë Kosova të përmbushë nevojat e konsumit vetanak pa thëngjillin e “dënuar” deri në këtë vit, pa kapacitete as për së afërmi të mjaftueshme të energjisë së rinovueshme dhe pa alernativa të tjera të prodhimit të rrymës elektrike?
Besfort Kosova: Përgjigja është e thjeshtë – Interkonektiviteti – Integrimi rajonal dhe mbarëkontinental, eksportimi i energjisë kur ekziston tepricë e madhe dhe blerja e saj kur ka mungesë të energjisë nga BRE-të. Diverzifikimi i resurseve energjetike është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe veprim strategjik. Se a do të largohet tërësisht thëngjilli deri në atë datë, askush nuk mund ta dijë me saktësi, porse zvogëlimi i tij do të ndodhë me kalimin e kohës. Kjo falë uljes së kostos së teknologjisë së BRE-ve dhe stimujve të politikave të qëndrueshme.
Por, ndërlidhshmëria e shteteve dhe tregjeve, si dhe largimi i barrierave është krejt ideja e Bashkimit Evropian, zvogëlimi i ekonomive të vogla të mbyllura nacionale dhe rritja e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndërlidhshmëria e tregjeve dhe vendeve, është hapi më i mirë. Krijimi i tregjeve dinamike ndërkombëtare – mbarëevropiane të energjisë, dhe shkëmbimeve të energjisë pa-pengesa dhe në distanca të gjata, është parakusht i tranzicionit energjetik dhe kjo po ndodhë gradualisht, sepse përndryshe ky transformim rrënjësor ekonomik nuk është i mundur.
Asnjë shtet nuk do të mundet i vetëm dhe pa bashkëpunim me shtetet tjera, ta arrijë këtë tranzicion dhe Kosova po bënë hapat e parë nëpërmjet krijimit të bashkëpunimit simbiotik, së pari me Shqipërinë dhe pastaj me shtetet tjera të rajonit në kuadër të Traktatit të Komunitetit të Energjisë. /Buletini Ekonomik/