Kontrata për Zgjatjen e Pistës në Aeroport, e cilësuar dikur e paligjshme, po zbatohet pa asnjë problem nga ministrat e Qeverisë Kurti. Ndonëse Aeroporti i është dhënë me koncesion kompanisë turke Limak, përmes kësaj kontrate u parapa që të investohen rreth 34 milionë euro të taksapaguesve kosovarë tek një biznes privat.
Buletini Ekonomik
Në vitin 2019, në një analizë të gjatë që mban nënshkrimin e tij, ministri aktual i Financave Hekuran Murati, asokohe si analist i pavarur, e kishte cilësuar si të paligjshme një kontratë në vlerë të 34 milionë eurove, të lidhur mes Qeverisë dhe kompanisë turke Limak.
“Kontrata për Zgjatjen e Pistës së Aeroportit”, ishte investim i parave të taksapaguesve kosovarë në një biznes privat, meqë me Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës qe një dekadë menaxhon kompania turke.
Në analizën e tij të para tri viteve, Murati madje shpreh dyshime serioze për mundësinë e keqpërdorimit të parasë publike në këtë rast:
“…fakti që një kontratë me vlerë rreth 34 milionë euro është nënshkruar gjatë kohës sa qeveria ka qenë në dorëheqje, dhe e tëra është bërë në mënyrë jo-transparente pa tender, lë hapësirë për të dyshuar që kjo kontratë mund të ketë elemente të keqpërdorimit të parasë publike…”.
Sot, kur kanë kaluar më shumë se një vit nën qeverisjen e Vetëvendosjes, nuk dihet ende nëse është kërkuar ndonjë hetim.
Në Ministrinë e Financave kanë zgjedhur heshtjen ndaj pyetjeve të Buletinit Ekonomik, duke mos kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të shkrimit. Mirëpo, se projekti po zbatohet pa asnjë problem tregon një vizitë në Aeroport nga ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Dy ministritë përgjegjëse për kontratën janë Ministria e Infrastrukturës, si palë nënshkruese, dhe ajo e Financave që po ashtu mori pjesë në hartimin e saj.
“Ministri Aliu i shoqëruar nga inzhinieri i ndërtimit nga pala mbikëqyrëse për projektin e zgjatjes së pistës, Peter Bonello, dhe drejtori i operimeve të Aeroportit Gokmen Aritay, zhvilloi një vizitë tek pista e Aeroportit për të parë nga afër të gjitha punimet e kryera deri tani dhe diskutuan në hollësi për finalizimin e projektit të zgjatjes së pistës, nga 2500 metra në 3050 metra, e po ashtu edhe për instalimin e paisjeve të rëndësishme përcjellëse në ngritjen e kapaciteteve teknike për ofrimin e shërbimeve ajrore”, thuhej në një njoftim të Ministrisë së Infrastrukturës të datës 11 dhjetor 2021.
Kontrata sekrete që nuk u raportua në ZKA
Zbatimi i këtij projekti edhe në qeverinë e kaluar edhe në këtë të tashmen, po ecën përpara përkundër paralajmërimeve të mëhershme të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) se i gjithë procesi ishte mbajtur sekret nga palët nënshkruese, Ministria e Infrastrukturës dhe kompania Limak.
Kontrata nuk është prezantuar asnjëherë tek Zyra Kombëtare e Auditimit, ani pse këtë e kërkon Ligji për Prokurimin Publik.
Në një përgjigje për Buletinin Ekonomik, nga Zyra e Auditorit patën thënë se Ministria e Infrastrukturës nuk e kishte raportuar fare në KRPP kontratën në fjalë. Ndonëse bëhet fjalë për një investim publik, i gjithë procesi deri të nënshkrimi i kësaj kontrate është zhvilluar në mënyrë krejtësisht jo transparente. Përveç që u mbajt sekret në kohën e nënshkrimit, kontrata nuk është publikuar as sot e kësaj dite nga Ministria Infrastrukturës, e cila është palë nënshkruese e saj.
Buletini Ekonomik ka siguruar një kopje të kësaj kontrate, ku shpalosen në detaje të gjitha obligimet që ka marrë Qeveria e Kosovës për përmbushjen e këtij investimi prej 33.6 milionë eurove me paratë e taksapaguesve kosovarë.
“Ministria e Infrastrukturës dhe Limak Kosovo Airport J.S.C janë pajtuar për të përmbyllur një kontratë publike për punë si me poshtë: “Zgjatjen e pistës, ngritjes së sistemit instrumental të aterrimit dhe sistemit të radiokomunikimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës Adem Jashari”, thuhet në hyrje të kontratës.
Kontrata ka për qëllim zgjatjen e pistës së Aeroportit për 500 metra, si dhe blerjen e disa pajisjeve tjera që nevojiten për ngritje të sistemit të aterrimit dhe radiokomunikimit.
Qeveria mori përsipër ta kryejë në Aeroport investimin e Limakut
Bazuar në Kontratën për Koncesionim të Aeroportit, kompania turke Limak obligohej që ta ndërtojë zonën e sigurisë në të dy anët e pistës së Aeroportit, e njohur si RESA. Por sot e kësaj dite, ky investim nuk është kryer nga ana e koncesionarit. Këtë investim që i takonte Limak-ut, Qeveria e Kosovës e mori përsipër ta kryejë vetë përmes kontratës për Zgjatjen e Pistës.
Përfshirja në këtë kontratë e një investimi që do të duhej ta kryente koncesionari është evidentuar në raportin “Shqyrtimi i kontratës për zgjatjen e pistës së Aeroportit Adem Jashari” me autor Hekuran Muratin, asokohe si analist i pavarur.
“Ngritja e kësaj zone të sigurisë me Kontratën e Koncesionimit i takon Koncesionarit, mirëpo një gjë e tillë nuk është përfunduar asnjëherë. Për më tepër, tani edhe kompletimi i RESA-s është përfshirë në kontratën për zgjatjen e pistës, dhe ajo çka është dashur të kryhet nga Koncesionari, tani do të bëhet me para publike”, thuhet në raport.
Për më tepër, për këtë aktivitet nuk ishin zhvilluar fare procedura tenderuese, por duke përdorur negociatat direkte pa publikim të kontratës.
“Kontrata për kryerjen e punëve i është dhënë Koncesionarit të ANP-së, kompanisë Limak Kosovo Internation- al JSC, pa zhvilluar procedurë tenderimi, por duke përdorur negociatat direkte pa publikim të kontratës. Arsyetimi për këtë veprim është se në Kontratën e Koncesionimit ka klauzola të cilat i japin të drejta ekskluzive Koncesionarit, dhe si pasojë çfarëdo pune që kryhet brenda hapësirave të ANP duhet t’i ipet vetëm Koncesionarit”, konstaton kjo analizë.
Murati në analizën e tij vlerëson se “fakti që një kontratë me vlerë rreth 34 milionë euro është nënshkruar gjatë kohës sa qeveria ka qenë në dorëheqje, dhe e tëra është bërë në mënyrë jo-transparente pa tender, lë hapësirë për të dyshuar që kjo kontratë mund të ketë elemente të keqpërdorimit të parasë publike”.
Sipas kësaj analize, nëse shikohet si tërësi, vërehet se i tërë ky proces ka qenë në shërbim të shpërblimit të Koncesionarit me këtë kontratë.
“Me fjalë tjera, përfituesi i kontratës është ditur që në fillim, ndërsa procesi ka zgjatur derisa MI ka gjetur mënyrën më të përshtatshme që kryerjen e punëve të këtij projekti t’ia japë Koncesionarit ekzistues të ANP”, thuhet tutje në analizë. /Buletini Ekonomik/