Pushteti tenton kapjen e BQK-së, eliminohet nga gara kandidatja më e poentuar nga britanikët në konkursin e parë për guvernator

BQK - Buletini Ekonomik

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), përkatësisht Komisioni përzgjedhës, si asnjëherë më parë, ka dërguar për votim në Kuvend vetëm dy emra nga lista e kandidatëve për guvernator.

Ahmet Ismaili dhe Lulzim Ismajli janë dy emrat që i kanë shkuar Kuvendit të Kosovës për votim, si kandidatët “më potencial” për Guvernator të BQK-së.

Burime të sigurta të afërta me këtë proces i kanë thënë Buletinit Ekonomik se bëhet fjalë për një skenar të mirëmenduar, që ka për qëllim “eliminimin nga gara të kandidatëve që kishin marrë pikë maksimale nga britanikët”.

Reklama e sponzorizuar

Të premten në mbrëmje, Qeveria e Kosovës njoftoi se është pajtuar me dy kandidaturat e përzgjedhura nga paneli për përzgjedhjen e Guvernatorit të BQK-së. Ky vendim tani do të shkojë në Kuvendin e Kosovës, ku pritet të bëhet edhe votimi i guvernatorit të ri të BQK-së.

Sipas BQK-së, kandidati Ismaili mori 84.67 pikë nga 100 maksimalet, ndërsa Ismajli 73.67 në vlerësimin e panelit.

Mirëpo, Buletini Ekonomik përmes burimeve të sigurta mëson se Komisioni përzgjedhës ka shkelur Ligjin për BQK-në kur ka vendosur që t’i dërgojë në Kuvend vetëm dy emra.

“Komisioni mundet me vendos për miratim ose jo të listës, por jo në mënyrë arbitrare me heq njerëz nga lista”, ka thënë ky burim.

Por, përveç kësaj, në janar në procesin e zgjedhjes së guvernatorit të ri të BQK-së kanë marrë pjesë edhe britanikët, ndërsa tani të njëjtit janë tërhequr.

Kandidatja më e poentuar në raundin e parë kishte dalë Shkendije Himaj. Por, më pas ky proces u rikthye në pikën zero në mënyrë mjaft të dyshimtë.

Tash në konkursin e dytë, Bordi i BQK-së ka dërguar në Kuvend vetëm 2 emra: Ahmet Ismailin dhe Lulzim Ismailin duke e eliminuar nga gara Shkendije Himajn.

Ndërkaq, në konkursin e dytë britanikët nuk kanë qenë pjesë e monitorimit. Buletini Ekonomik mëson se tërheqja e tyre nga procesi lidhet me parregullsitë qysh në konkursin e parë.

Aktualisht, detyrën e Guvernatorit të BQK-së e ushtron Bashkim Nurboja, dikur kandidat për deputet e për kryetar të Pejës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. /Buletini Ekonomik/