Vetëm pas publikimit të hulumtimit në Buletini Ekonomik, ZRrE është aktivizuar duke i kërkuar KESCO-s që, tash e tutje, të marrë pjesë në ankandet në SEECAO, direkt dhe pa ndërmjetësues. Por kjo ngre dyshime se pse gjatë viteve 2024-2025, çështja e linjave u la “në duart” e tregtarëve, të cilët e shfrytëzuan situatën duke e rritur çmimin e bartjes së energjisë elektrike për Kosovën shpeshherë më shumë se vetë çmimi i produktit (energjia elektrike).
Agon Sinanaj
Një ‘skenar’ i përgatitur nga tregtarët e energjisë dhe me “izën” e ZRrE-së e KESCO-s, dyshohet se ka qenë “biznesi” me ankande në SEECAO në emër të importit të energjisë elektrike për Kosovën gjatë viteve 2024-2025.
Ani pse ligjërisht ishte e mundur, Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) asnjëherë nuk mori pjesë direkt dhe pa ndërmjetësues në ankandet për shitblerjen e linjave të transmisionit në Zyrën e Ankandeve në Podgoricë (SEECAO).
Së paku, emri i KESCO-s nuk figuron në ankandet e kësaj platforme në asnjë rast përgjatë viteve 2024-2025.
Kjo iu dha mundësi tregtarëve të energjisë elektrike që të bëjnë “biznes” me linjat e transmisionit në emër të importit të energjisë elektrike për Kosovën.
Siç del edhe nga gjetjet e hulumtimit të publikuar në Buletini Ekonomik, linjat që në SEECAO u blenë me 1.11 euro për megavatë/orë, KESCO-s në raste të caktuara iu shitën deri në 800 euro për megavatë/orë.
Vetëm në vitin 2024, janë diku afër 10 milionë euro më shumë se në vitin 2023 kosto vetëm për bartje të energjisë, apo një rritje prej 907 për qind, që u janë ngarkuar në tarifa konsumatorëve të rrymës në Kosovë.
Rritje e kostos për transportin e energjisë së importuar nga KESCO për 907% në vitin 2024
Krejt kjo do të mund të ishte shmangur sikur KESCO të merrte pjesë direkt në ankandet në SEECAO për t’i siguruar vet linjat për bartjen e energjisë.
Por vetëm pas publikimit të hulumtimit në Buletini Ekonomik, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) është aktivizuar, duke i kërkuar KESCO-s që, tash e tutje, të marrë pjesë në ankandet në SEECAO, direkt dhe pa ndërmjetësues.
Për vitin 2026, KESCO, tashmë për herë të parë ka siguruar linjat përmes ankandeve në SEECAO. Nga të dhënat që dalin nga kjo platformë, aty tash figuron edhe emri i KESCO-s, si një nga zotëruesit e linjave të transmisionit.
KESCO ka blerë linja vjetore në të tre kufijtë; me Shqipërinë, me Malin e Zi dhe me Maqedoninë.










