Oda Ekonomike e Kosovës ka bërë thirrje për veprime urgjente nga institucionet e Kosovës për përfshirjen e vendit në projektet rajonale të gazit natyror, duke e cilësuar këtë si të domosdoshme për sigurinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
OEK paralajmëron se refuzimi ose mosangazhimi në projektet e gazit amerikan mund të ndikojë negativisht në partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe në pozicionimin e Kosovës në zhvillimet energjetike rajonale.
“Vendet e Ballkanit Perëndimor po avancojnë shpejt në zhvillimin e infrastrukturës së gazit dhe lidhjeve me burime alternative furnizimi, përfshirë projektet LNG me mbështetje ndërkombëtare. Mungesa e Kosovës në këto iniciativa e vendos vendin në disavantazh ekonomik dhe kufizon mundësitë për investime të reja strategjike”, theksojnë nga OEK.









