Instituti Musine Kokalari kërkon zbatim të plotë të pagës minimale prej 500 eurosh

euro
Monedha Euro

Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari ka përshëndetur hyrjen në fuqi të pagës minimale bruto prej 500 eurosh, duke e cilësuar këtë vendim si një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të pozitës ekonomike të punëtorëve me të ardhurat më të ulëta në Kosovë.

reagimin e institutit theksohet se një punëtor me orar të plotë duhet të përfitojë një pagë që garanton siguri ekonomike minimale dhe një jetë me dinjitet.

Sipas tyre, niveli i ulët i pagave në Kosovë nuk është vetëm pasojë e strukturës ekonomike, por lidhet edhe me fuqinë e kufizuar negociuese të punëtorëve, organizimin e dobët sindikal dhe modelin ekonomik të mbështetur në fuqinë e lirë punëtore.

Megjitahtë, Instituti ngre shqetësime për mënyrën e përcaktimit të pagës minimale, duke vlerësuar se vendimmarrja duhet të jetë më transparente dhe të përfshijë më shumë Këshillin Ekonomik-Social, ndërsa formula për llogaritjen e shumës duhet të publikohet për të mundësuar debat të bazuar në të dhëna.

Sipas vlerësimeve të cituara nga Instituti GAP, rritja e pagës minimale nga 350 në 500 euro përfaqëson një rritje prej 42.9 për qind. Nga kjo masë pritet të përfitojnë rreth 130 mijë punëtorë me orar të plotë gjatë vitit 2026, ose rreth 36 për qind e të gjithë të punësuarve me orar të plotë në Kosovë.

Po ashtu, kostoja shtesë për punëdhënësit vlerësohet të jetë mbi 85 milionë euro, ose rreth 2 për qind e fondit të përgjithshëm të pagave në vend.

Instituti thekson se suksesi i vendimit nuk duhet të matet vetëm me ndryshimet formale në kontratat e punës apo deklarimet e pagave, por me shumën që punëtorët marrin realisht.

Në këtë drejtim, kërkohet angazhim më i madh nga Qeveria, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) dhe Inspektorati i Punës për të parandaluar praktikat e paligjshme, si deklarimi formal i pagës minimale pa pagesën reale, regjistrimi i rremë i orarit të punës, kthimi i një pjese të pagës në para të gatshme, kontratat fiktive apo ripunësimi i punëtorëve me kushte më të pafavorshme.

Instituti kërkon hartimin e një plani të koordinuar për zbatimin e vendimit, me inspektime të fokusuara në sektorët më të prekur, mekanizma të sigurt për raportimin e shkeljeve dhe publikim të rregullt të të dhënave mbi respektimin e ligjit sipas sektorëve ekonomikë dhe komunave.

Sipas institutit, një pagë minimale që nuk monitorohet në mënyrë efektive rrezikon të krijojë pabarazi mes punëtorëve, duke lënë një pjesë të tyre pa mbrojtjen që garanton ligji. /Buletini Ekonomik/

Më shumë:

Jetesa e padinjitetshme e varfanjakëve të Kosovës